Avokatët janë të vendosur për bllokimin e gjykatave

Maqedonia

Avokatët janë të vendosur për bllokimin e gjykatave

Më: 10 mars 2018 Në ora: 09:23
Avokatët

Oda e avokatëve edhe zyrtarisht nga Qeveria kërkoi të heqë dorë nga ndryshimet në ligjin për noteri, pasi siç thonë, rrezikohet pozita e avokatëve. Ata reagojnë sepse me ndryshimet e ligjit, aktet siç janë urdhërpagesat rrugore, procedurat e trashëgimisë, marrëveshjet e shitblerjes dhe akte tjera, do t’i përfaqësojnë vetëm noterët, pa angazhimin e avokatëve. Kryetari i Odës së avokatëve, Nikolla Dodevski për Alsat M thotë se reagimet e avokatëve janë të arsyeshme.

Reagimet e avokatëve janë spontane dhe të arsyeshme dhe janë si rezultat i propozim-ligjit për noteri në të cilin përjashtohen avokatët. U drejtuam në Qeveri me kërkesë dhe shpresojmë se në këtë mënyrë do të zgjidhet problemi – deklaroi  Nikolla Dodevski, kryetarë i Odës së avokatëve.

Për paralajmërimet se do të bllokohen gjykatat edhe atë në kulmin e procedurave kundër ish funksionarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së, Dodevski i cili deri para një kohe e mbronte Nikolla Gruevskin, thotë se nuk ka grevë që do mund ta pengonte procedurën gjyqësore. Nga Qeveria thonë se i kanë pranuar kërkesat e avokatëve.

 Qeveria e Maqedonisë

“Qeveria do ta shqyrtojë kërkesën dhe në bazë të kësaj do të bëhen analiza për situatën e përgjithshme pas çka edhe do ta informojnë opinionin”.

Nga Qeveria nuk sqaruan çka mendojnë me këtë dhe na thanë se nuk duhet të kërkojmë analizim të asaj çka është thënë, por vetëm ta transmetojmë. Pyetëm edhe në Ministrinë e Drejtësisë, çfarë ndryshime parashihen dhe pse bëhet intervenim në ligj pa debat të gjerë. Prej atje na u përgjigjën se janë të zënë me një delegacion nga Turqia, kështu që nuk munden të përgjigjen. Oda e noterëve vlerëson se reagimet e avokatëve janë shumë të rrepta. Ata e parashtrojnë pyetjen cila është logjika që noteri të mos mundet vetë të bëjë akt noterial?. Ndryshimet në ligjin për noteri ende nuk janë futur në procedurë parlamentare. Një pjesë e avokatëve, thonë se nëse pushteti bëhet i shurdhër ndaj kërkesave të tyre, opsioni i bllokimit të gjykatave është gjithnjë e më afër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat