Sela rizgjidhet kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Maqedonia

Sela rizgjidhet kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Më: 10 mars 2018 Në ora: 16:30
Ziadin Sela

Aleanca për Shqiptarët e mbajti të shtunën Kongresin e saj të parë në Tetovë, ku Ziadin Sela u zgjodh për ta drejtuar partinë në një mandat të ri. Ai ishte kandidati i vetëm për këtë post. 606 delegatë kanë votuar pro, ndërsa vetëm një kundër zgjedhjes së tij për kreun e ASH-së.

Në kongres ishin të pranishëm përfaqësues politikë të dy krahëve të Lëvizjes “Besa”, të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe një pjesë e trupit diplomatik nga Shkupi.

Ziadin Sela, duke folur para delegatëve, kërkoi që kryetarët e partisë të mund të zgjidhen më së shumti vetëm për dy mandate për ta drejtuar partinë. Kjo u miratua nga të pranishmit.

Sela kërkoi më tej zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni ndërsa shtoi: “Shqiptarët në 16 vjetët e fundit jetojnë sikur në monizëm; çdoherë që ka zgjedhje është po i njëjti që i fiton ato (duke aluduar në BDI-në). Me ndërhyrjen e subjekteve maqedonase, u bë përpjekje për përçarjen e opozitës shqiptare”, u shreh ai.

Vetem dega e një lagjeje të Shkupit, e Butelit, e ka bojkotuar kongresin, për shkak të pakënaqësive për mospërfaqësimin në strukturat e larta udhëheqëse të partisë.

Aleanca për Shqiptarët është një parti e re në skenën politike të Maqedonisë. Ajo ka vetëm dy ligjvënës në parlamentin e Maqedonisë; njëri nga ata vetë zoti Sela. Deputeti i tretë, i cili ishte zgjedhur në kuadër të koalicionit parazgjedhor u nda nga ASH-ja dhe u afrua me BDI-në në pushtet, pasi Aleanca për Shqiptarët vendosi ta braktisë koalicionin qeveritar. Vendimi për të dalë nga qeveria qe komentuar në mënyra të ndryshme nga analistët. Kuadrot e ASH-së të cilët bartnin poste të larta qeveritare dhe publike u detyruan t’i lëshojnë ato.

Të qenurit në opozitë në Maqedoni, sidomos për partitë e vogla, është shumë e vështirë për të mbijetuar, sipas shumë analistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat