Kamata të ulëta për të shpëtuar ekonominë

Maqedonia

Kamata të ulëta për të shpëtuar ekonominë

Më: 15 mars 2018 Në ora: 16:23
ilustrim

Banka Popullore me zvogëlimin e bono thesareve dëshiron ta gjallërojë ekonominë e ngecur vendore. Ky është qëndrimi i një pjese të ekspertëve ekonomik, pas vendimit të djeshëm të BPM-së që të ulë normën e interesit të bono thesareve nga 3.25% në 3%. Ata thonë se nxitja e këtillë ka për qëllim që ekonomia të mos ngec edhe më shumë.

Ulja e normës së interesit vjen në periudhë kur ekonomia është në stagnim, e pamë rritjen e vitit të kaluar, ishte 0 për qind, por edhe në këtë periudhë në fillim të vitit shohim se nuk kemi ndonjë impuls serioz për ekonominë. Nga ana tjetër, ka likuiditet shumë të lartë në sistemin bankar, do të thotë nuk jepen shumë kredi ndonëse ato në ekonomi kanë rritje të vogël, por banka Qendrore vlerëson se kësaj i duhet nxitje shtesë – vlerëson profesori universitar Marjan Petreski.

Nga Shoqata e bankierëve pranë Odës Ekonomike thonë se në kuadër të politikave të tyre të biznesit gjithmonë i ndjekin sinjalet e politikës monetare të BPM-së. Prej atje pranojnë se ndonëse bankat kanë mjete të mjaftueshme, vitin e kaluar kërkesa për kredi për ndërmarrjet ka qenë e dobët. Për t’u rritur kreditimi, nga Shoqata kërkojnë projekte më të mira.

Kompanitë duhet të dorëzojnë projekte të qëndrueshme, stabile dhe profitabile. Kuptohet, si nga kompanitë ashtu edhe nga bankat, perceptimi për nivelin e rreziqeve në ekonomi dhe mjedisin e përgjithshëm, duhet të ndryshojnë në drejtim pozitiv. Kjo me qëllim që edhe njëri edhe tjetri, të munden të ndërmarrin aktivitete afariste duke besuar në perspektiva dhe qëndrueshmërinë e bizneseve – thonë nga Shoqata e Bankierëve

Nga BPM thonë se për tremujorin e parë të këtij viti, të dhënat tregojnë përmirësim të gjendjes në industri dhe tregti, e kjo është sinjal i përmirësimit të ekonomisë së vendit. Inflacioni është pak më i ulët sesa projeksionet. Ndryshe, norma e interesit e bono thesareve është bazë sipas të cilës llogariten të gjitha normat tjera të interesit të kredive dhe kursimeve në bankat vendore. Derisa në BE dhe SHBA ashpërsohen kushtet për kredi, Maqedonia dëshiron t’i lehtësojë, ndonëse në periudhën e fundit ka historikisht normë më të ulët të interesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat