“Sputnik” paralajmëron skenar apokaliptik në Maqedoni pas zyrtarizimit të shqipes

Maqedonia

“Sputnik” paralajmëron skenar apokaliptik në Maqedoni pas zyrtarizimit të shqipes

Më: 17 mars 2018 Në ora: 00:01
Shqiptarët

Miratimi i ligjit për gjuhën shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë ndez reagimin e rusëve nëpërmjet medias së fuqishme të Kremlinit, Sputnik.

Në një koment të ashpër të publikuar në ballinë, portali i Kremlinit thekson se “Shqiptarët fshehin dorën pasi kanë sulmuar maqedonasit”.

Edi Rama është sërish shënjestër e medias shtetërore të Moskës.

Brankica Ristiç, e përhershmja e artikujve-sulme thekson se ligji për gjuhën shqipe është një “agresion” ndaj Kushtetutës së Maqedonisë dhe akuzon kreun e Parlamentit, Talat Xhaferri se ka shkelur me të dyja këmbët rregulloren.

Madje Sputnik shkon edhe më tej në skenare duke paralajmëruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, raporton Tesheshi.com, shkrimin e “Sputnik”.

“Duke kundërshtuar presidentin e Maqedonisë për të nënshkruar një ligj që e barazon gjuhën shqipe me maqedonishten, Parlamenti i Shkupit po e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e rruga drejt tyre është e sigurt”, shkruan Sputnik.

Aleksandar Dastevski, një politiolog dhe analist i Sputnik ka mbrojtur qëndrimin e presidentit Gjeorgje Ivanov dhe thekson se Kushtetuta thotë qartë se gjuha maqedonase gjuhë zyrtare e Maqedonisë dhe se ligji për shqipen ka shkelur Kushtetutën.

“Gjuha shqipe është në përdorim në të gjitha komunitetet ku jetojnë më shumë se 20 përqind e shqiptarëve. Nga ana tjetër, maqedonasit përbëjnë rreth 60 përqind të popullsisë, ndërsa ky ligj i vendos në pozita të barabarta”, thekson Dastevski.

Sputnik thekson më tej se VMRO-DPMNE shpalli një padi kundër kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, për shkak se sipas portalit të Kremlinit ai shkeli Kushtetutën.

“Xhaferi shkeli Kushtetutën e Maqedonisë, për shkak se u foli drejtuar gazetarëve në gjuhën shqipe dhe jo në maqedonase zyrtare, pasi ajo është një detyrim.

Procedura e votimit vetë është shumë e diskutueshme. Së pari, rishikimi i amendamentit të paraqitur në këtë ligj nga opozita, anashkalohet.

Së dyti, votimi elektronik nuk ishte i mundur dhe thjesht numërimi i votave nuk mund të konsiderohej i vlefshëm. Së fundi, shtatë deputetë, duke përfshirë edhe dy shqiptarë nuk kanë votuar për këtë ligj, dhe emrat e tyre janë në listë sikur të kanë votuar pro”, deklaron Datevski për Sputnik.

Më tej portal i Kremlinit thekson se ligji për gjuhën shqipe është preludi i Platformës së Tiranës së firmosur në zyrën e Edi Ramës.

Sputnik akuzon kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev se ka shkelur premtimin e shkruar në zyrën e Gjeorgje Ivanovit kur mori mandatin se “nuk do të miratonte axhendat politike të shteteve të tjera”.

“Fakti është se deri më tani qeveria e Zaevit nuk ka miratuar ndonjë program reformash lidhur me progresin drejt BE.

Standarti dhe pagat kanë rënë. Shteti tani ka më shumë borxhe se nën regjimin e mëparshëm.

Pra, gjithçka që është bërë deri më tani, u përqëndrua në realizimin e asaj që shqiptarët u pajtuan në platformën e Tiranës” “, thekson Dashtevski.

Dhe më pas Sputnik parashikon skenaret e reja në Maqedoni.

Sipas portalit të Kremlinit,“dy gjëra mund të ndodhin. E para është se shqiptarët mund të largohen nga qeveria nëse ligji nuk dekretohet nga Ivanov, dhe tjetra është krijimi i një qeverie të unitetit kombëtar për t’u përgatitur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm, së bashku me zgjedhjet presidenciale”.

Duke iu referuar interpretimit të ekspertëve ligjorë, mediat shqiptare në Maqedoni bënë të ditur se është e mundur që ligji të publikohet menjëherë në Fletoren Zyrtare për të filluar një procedurë formale, nëse nuk ka ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Por Sputnik i hedh benzinë zjarrit, kur thotë se “shqiptarët ndjehen në këtë pjesë të sagës maqedonase si fitues.

“Ali Ahmeti, kreu i madh i BDI-së, partisë shqiptare ka postuar foton e votimit të djeshëm: “Kjo votë dhe kjo ditë ju takon juve dhe atyre që nuk janë më, e që janë më meritorët, dëshmorëve të kombit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat