“Kartela shëndetësore”, projekt i dështuar!?

Maqedonia

“Kartela shëndetësore”, projekt i dështuar!?

Më: 24 mars 2018 Në ora: 18:03
Ilustrim

Ende nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja afatgjate për kartelat shëndetësore, gjegjësisht nëse libreza shëndetësore do të bashkohet me letërnjoftimin. Këtë ndryshim kohë më parë e kishte premtuar ish ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Kontrollet mjekësore shumica e pacientëve vazhdojnë t’i kryejnë me librezat e vjetra shëndetësore edhe pse për marrjen e disa pajisjeve ortopedike, e patjetërsueshme është kartela elektronike.

Nga ministria e Shëndetësisë thonë se është formuar grup pune për të shqyrtuar ndryshimet e mundshme, mirëpo siç mëson Alsat grupet punuese për muaj të tërë, që nga formimi i tyre nuk janë aktive.

“Është formuar grup pune me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Fondit Shëndetësor, Drejtorisë për shëndetësi elektronike, Fakultetit për shkenca informatike dhe inxhinieri kompjuterike. Ai punon në propozimin për sigurimin e shërbimeve elektronike në sistemin shëndetësor, lidhur me të dhënat e disponueshme. Janë analizuar proceset ku shfrytëzohet kartela elektronike e tanishme dhe certifikata digjitale. Sipas të dhënave të grumbulluara, grupi i punës përgatit zgjidhje afatshkurta dhe afatgjate për tejkalimin e problemit me shfrytëzimin e kartelave elektronike”.

Qytetarët e anketuar nga ALSAT thonë se thuajse asnjëherë nuk kanë përdorur kartelat elektronike.

“Tani më dha udhëzimin me librezën shëndetësore. Kartela ime elektronike ka afat por nuk është në përdorim. Sigurisht se kartela elektronike është më e përshtatshme për shfrytëzim nëse përdoret siç duhet”.

“Kartela elektronike është më praktike, sepse nuk zë vend për ta mbajtur”.

“Unë bëj kontrollet me librezën e vjetër. Asnjëherë nuk ma kanë kërkuar kartelën elektronike, gjithmonë librezën e vjetër..

“Me librezën e vjetër kontrollohem. Deri më tani asnjëherë se kam dhënë kartelën elektronike”.

“Asnjëherë nuk ma kanë kërkuar kartelën elektronike. E mbaj me vete gjithmonë por nuk ma kanë kërkuar asnjëherë. As nëpër kontrolle të specialistëve, askund nuk ma kanë kërkuar!Më qëndron ashtu kot në kuletë”.

Kartelat e para elektronike shëndetësore u hodhën në përdorim në vitin 2011. Qeveria e kaluar për projektin për kartelat elektronike kishte siguruar buxhet prej 7.5 milionë eurosh. Për marrjen e kartelës elektronike, qytetarët kanë paguar 250 denarë, ndërkaq për pensionistët kjo shumë ka qenë 100 denarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat