Berisha: Ivanov mbi kushtetutën, tregoi frymë antishqiptare

Maqedonia

Berisha: Ivanov mbi kushtetutën, tregoi frymë antishqiptare

Më: 1 prill 2018 Në ora: 19:27
Sali Berisha

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë, një nga figurat qendrore shqiptare të pas viteve 90 Sali Berisha në një intervistë ekskluzive për TVM2 ka analizuar zhvillimet e fundit në Maqedoni e rajon. Sali Berisha thotë në intervistë se presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov nxori mbi frymën e Kushtetutës, notat nacionaliste antishqiptare, duke mos dekretuar ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Ligji nuk u firmos ndonëse e ka detyrim kushtetues, nga presidenti Ivanov. Ky shtetar tregoi se mbi frymën e kushtetutës qëndron urrejtja e tij ndaj shqiptarëve dhe ai përbën një problem serioz për stabilitetin e Maqedonisë. Uroj dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të marrë të gjitha vendimet ndaj një presidenti që nxjerr albanofobinë mbi nenet e kushtetutës. Kur e kthen një herë, herën e dytë presidenti është i detyruar ta firmosë ligjin. Në Kushtetutën e Shqipërisë nuk i dërgohet fare për firmë, kalon vetvetiu dhe presidenti e humbet të drejtën të firmosë për së dyti një ligj. Është në kundërshtim flagrant por le të flasë Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë dhe jo unë për këtë gjest destabilizues për vendin”, shprehet ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Më tej, z.Berisha thotë se në Maqedoni ekziston një hendek mjaft i thellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke mos i përfshirë ata në vendimmarrje. Por, qeveria nën drejtimin e Zoran Zaev, sipas tij, po pasqyron disa nga shqetësimet kryesore të shqiptarëve.

“Pozitën e shqiptarëve në Maqedoni unë e vlerësoj seriozisht problematike. Një hendek të madh mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe më pas një seri skenarësh fund e krye kundër shqiptarëve, të ndërmarrë nga forcat ultranacionaliste maqedonase me pushtet dhe pa pushtet. Kur shoh se buxheti kryesor përqendrohej në Maqedoninë qendrore në Shkupin e Aleksandrinë dhe investimet në Maqedoninë Perëndimore të banuar nga shqiptaret ishin krejt të parëndësishme. Besoj se në një farë mënyre qeveria e re e Zaevit po pasqyron disa nga këto shqetësime kryesore. Së pari u miratua ligji i gjuhës. Ky ligj është një arritje e vërtetë. Nuk është më i ploti, por krahasuar me atë që ishte, është një ndryshim qartësisht pozitiv dhe për t’u përshëndetur”, shprehet me tej z. Berisha.

Ish-kryeministri Shqiptar vlerëson hapat e ndërmarrje për zgjidhjen e çështjes së emrit, duke rikujtuar nga ana tjetër se ish-kryeministri Nikolla Gruevski nuk e ka dashur kurrë këtë zgjidhje.

“Vetë Gruesvki me të cilin kam pasur marrëdhënie të gjera, nuk donte të zgjidhte problemin. Unë e kam biseduar shumë herë me të,. Në një moment të caktuar i tha popullit të tij se jemi në prag të zgjidhjes për një emër të pranueshëm. Në mos gaboj ishte Maqedonia e Epërme ose e Re. Biles jo e re, se ai nuk e pranonte sepse thoshte se nuk jemi të rinj por të vjetër. I thashë unë, po ja Zelanda e Re, dhe thoshte jemi të vjetër, nuk pranohet kjo. Pas një jave deklaroi se unë do bëj referendum për këtë, por vetë do votoj kundër. E takova në Zagreb dhe i thashë, “a mund të më thuash pak Nikolla si është kjo punë”. “Po – më tha – unë këtë mendim kam dhe e shpreha”. Të themi të vërtetën, nuk ishte për zgjidhje. Është rrugë pa krye ajo e Alkeksandrisë. Ajo çonte në gjenerimin e nacionalizmave të tjerë dhe në mënyrë të pashmangshme në konfliktualitetin dhe përballjen midis tyre”, thekson Berisha.

Por, në këto rrethana, a do të arrijnë vendet e Ballkanit perëndimor t’i bashkohen Familjes Evropiane? Berisha shpreson se po.

“Ëndrra e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në familjen evropiane unë besoj se do të bëhet realitet. Vështirësitë kryesore i  krijojnë qeveritë në këto vende dhe mungesa e maturitetit të tyre gatishmërisë së tyre për të zbatuar standardet demokratike”, shprehet me tej Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat