Boban Iliqi nuk ndjehet fajtor, Gjykata pranon ekspertizat e falsifikuara

Maqedonia

Boban Iliqi nuk ndjehet fajtor, Gjykata pranon ekspertizat e falsifikuara

Më: 2 prill 2018 Në ora: 17:51
Boban Iliqi

Të akuzuarit në rastin “Almiri” nuk ndihen fajtorë, e as i akuzuari i parë Boban Iliq, të cilin Prokuroria e akuzon për “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, e as tre të akuzuarit për “dhunë”, babain e Almirit, Sedat Aliu, Sami Demiri dhe Abdulla Aliu. Avokatët e tyre në fjalën e fundit, sot në Gjykatën e Kumanovës kërkuan vendime për lirim.

Iliq shprehu keqardhje për ngjarjen për fëmijën dhe tha se nuk ndihet fajtor. Babai i fëmijës, Sedat Aliu tha se nuk është në dijeni pse po akuzohet kur e ka mbrojtur familjen dhe kërkoi të lirohet nga akuza. Edhe i akuzuari i tretë dhe i katërt – Sami Demiri dhe Abdulla Aliu thanë para Këshillit gjyqësor se nuk janë fajtorë për veprën “dhunë”.

Në fjalët e fundit, avokati Stafan Pavleski sot kërkoi vendim për lirimi e Iliqit, duke potencuar se veprën nuk e ka bërë me paramendim, duke iu referuar ekspertizës neuropsikiatrike dhe teknike të komunikacionit dhe video-xhirimit, duke theksuar se është përfshirë në situatë konflikti nga i cili ka tentuar të dalë. Në fillim të gjykimit, avokati në emër të familjes shprehu ngushëllime deri tek nëna për humbjen e fëmijës së saj.

Në deklaratën për media, Pavleski tha se ka kërkuar gjykim për lirim në bazë të dëshmive të fuqishme dhe të pakundërshtueshme, duke shtuar se nga to rrjedh e drejta e mbrojtjes së nevojshme dhe e drejta e nevojës përfundimtare. Ai pajtohet me prokurorinë në lidhje me kronologjinë e ngjarjes, por jo edhe me kualifikimin ligjor të veprës.

Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispaiq, kërkoi vendim për lirim të klientëve të tij, duke theksuar se në fjalët e fundit ka pasur lëshime në aktakuzë, se nuk ka dëshmi adekuate se klientët e tij e kanë kryer dhunën. Ai edhe njëherë përsëriti se për të është e pakuptueshme se në këtë rast nuk ndiqet vëllai i të akuzuarit, i cili në procedurë është theksuar si palë e dëmtuar. Përsëriti se prokurorja është e njëanshme në këtë rast.

Alispaiq tha se dy mjekët nga Klinika universitare për neuropsikiatri dhe eksperti për komunikacion nuk kanë pasur licenca të vlefshme të dhëna nga Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht ekspertizat i kanë përgatitur kur licencat i kishin me afat të skaduar. Për klientët e tij theksoi se nuk e kanë bërë veprën, për çka thotë nuk është bërë analizë komparative krahasuese dhe se dëshmitarët nuk i kanë njohur personat të cilët gjoja i kanë sulmuar. Ai kërkoi nga Gjykata sërish ta hapë gjykimin kryesor në lidhje me licencat e ekspertëve, që të  sqarohen indikacionet.

Alispahiq theksoi se nëse Gjykata e bazon aktvendimin nga ana e saj do të lehtësohet dhe shpreson se gjykata më e lartë do ta kthejë lëndën në gjykim të sërishëm. Shpallja e aktgjykimit është caktuar për më 5 prill të këtij viti.

Në seancën paraprake e cila u mbajt në mes të muajit mars, Prokuroria e Kumanovës e riklasifikoi aktakuzën kundër Iliqit nga “vrasje” në “vepër kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. I akuzuari Iliq akuzohet për shtypjen e Almir Aliut 4-vjeçar, më 25 qershor të vitit 2016, pas grindjes paraprake banale me babain e djalit në Shtëpinë shëndetësore të Kumanovës në rr. “Borik Kidriq”. Almiri katërvjeçar e humbi jetën nga lëndimet e marra më 1 korrik të vitit 2016. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat