Organizmi i jetës kulturore: Gjithpërfshirja në vend të provincializmit

Maqedonia

Organizmi i jetës kulturore: Gjithpërfshirja në vend të provincializmit

Më: 21 prill 2018 Në ora: 22:46
Ilustrim

Shoqata, klube, lidhje, oda… janë disa prej formacioneve që koordinojnë jetën artistike dhe kulturore të krijuesve shqiptarë në fusha të ndryshme prej disa vitesh, por pa potencialin për të zhvendosur kufijtë gjeografikë të veprimit, për të artikuluar një strategji për zhvillimin e kulturës shqiptare, apo promovimin e talenteve dhe mbrojtjen e vetë të drejtave të artistëve. Kështu pohojnë krijues dhe artistë për rolin e këtyre shoqatave, duke shtuar po ashtu se pavarësisht kontributit dhe zhvillimeve pozitive që kanë dhënë – nuk kanë arritur dot t’i shmangen izolimit dhe të krijojnë edhe një interaksion më të gjerë dhe më kreativ, shkruan gazeta KOHA.

TË KRIJOHET NJË FIZIONOMI MË E PLOTË

A mund të tërësohet jeta kulturore në Maqedoni dhe të vendoset në koordinatat e një prodhimtarie të vlefshme? Jeta letrare dhe kulturore nuk ka arritur të vendoset në koordinatat e një organizimi më gjithëpërfshirës dhe më të strukturuar, pohon shkrimtari Bardhyl Zaimi. Që të mos rrezikojmë të provincializohemi, ai është i mendimit se detyrimisht duhet të mendojmë për forma organizimesh më gjithëpërfshirëse, ku do të konvergjonin të gjitha impulset pozitive në nivele lokale. Sipas tij, duhet të bëhet shumë më tepër në drejtim të krijimit dhe promovimit të organizimeve në nivele për gjithë shqiptarët e Maqedonisë, në mënyrë që të krijohet një fizionomi më plotë e qenësisë letrare dhe kulturore.

“Për shembull, të krijohet një subjekt me njerëz të verifikuar që do të bart dhe promovojë vlerat letrare duke përfshirë gjithë krijuesit dhe produksionin letrar dhe kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë. Në këtë drejtim mund të instalohet edhe një çmim letrar më prestigjioz që do të mbajë një emër prestigjioz nga tradita jonë letrare dhe i cili me një rigorozitet të plotë do të ndahej për krijimtarinë letrare brenda një viti. Kjo do të ishte një mundësi për të zgjeruar dimensionet e përfshirjes krijuese te shqiptarët e Maqedonisë, por edhe do të stimulonte një produksion letrar që do të synonte majat e vlerave letrare. Pa diskutim, ky subjekt i institucionalizuar nga ana e Ministrisë së Kulturës, do të krijonte një ambient dhe një debat tjetër letrar në të gjitha dimensionet e jetës letrare, të studimeve, kritikës letrare, por edhe të nxitjes dhe promovimit të vlerave në gjithë hapësirën gjuhësore shqiptare, jo vetëm në Maqedoni, por edhe me gjerë”, thotë për KOHA, Zaimi.

Një tjetër artist nga artet figurative, Reshat Ameti duke iu referuar shembujve jashtë vendit pohon se menaxherët, galeritë private.., janë ato që promovojnë dhe organizojnë jetën artistike. Ndërsa mbrojtja e të drejtave të artistëve i kalon grupimeve të ndryshime, sindikale, shoqatash, e të tjera. “Pa dyshim që kanë shumë shoqata, por veprojnë në mënyrë parciale, dhe jo si shoqata në nivel nacional. Pra kemi një situatë të atillë, ku çdo qytet i vogël i ka ato artistët e ashtuquajtur të mëdhenj të tyre dhe veprojnë në formën – më mirë i pari në fshat se i fundit në qytet. Shoqatat tani kanë mbetur më shumë si relikte, tani kemi grupime më të vogla që mbrojnë grupe të caktuara interesi dhe nuk kanë një forcë qendrore që të gravitojnë. Synimi është që të marrin mjete financiare, e për rrjedhojë më shumë sesa erën e vlerës më shumë prej tyre mund të ndjesh erën e lekut. Kur forca e artistëve shfuqizohet në grupime më të vogla shoqëria në përgjithësi, ajo politike, shteti e pushteti e ka më të lehtë t’i kontrollojë shfrytëzojë e t’i vërë në përdorim”, thotë Ameti.

PSE MARGJINALIZOHET KULTURA SHQIPTARE NË SHKUP?

Për violinistin Blerim Grubi, mungesa e shoqatave në Shkup për mbrojtjen dhe afirmimin e vlerave artistike ka krijuar një kaos që mundëson zhvillimin e kulturave joshqiptare. Sipas tij është e rëndësishme se kush e organizon një aktivitet kulturor dhe nëse pesha e tij artistike i përligj paratë e taksapaguesve.

“Shoqatat që ekzistojnë në vendin tonë tash është një fenomen që s’ka qenë asnjëherë në një numër kaq të madh, gjithsesi më shumë dhe më të organizuara janë në qytetet e tjera, si në Tetovë e Gostivar, Kërçovë sesa në kryeqytet. Kjo ndodh edhe për shkak të ekzistencës së më shumë institucioneve në Shkup. Për mua si artist, është e rëndësishme se cili institucion apo shoqatë ka idenë për të realizuar një aktivitet artistik muzikor, pasi disa shoqata kemi individ që organizojnë sa me thënë ndonjë aktivitet jo me peshë dhe kualitative sa i përket vlerës, sidomos kur bëhet fjalë për projekte që paguhen nga Ministria e Kulturës. Mbi të gjitha unë përshëndes aktivitetin nga volumi që janë duke u bërë në vendin tonë, kjo normal sjell edhe pasurimin e jetës kulturore në qytete ku jetojnë qytetaret “taksapagues”. Por kjo temë kërkon një qasje me shume kujdes, për të përmirësuar gabimet që ka qyteti i Shkupit, ku disa individë nuk kanë interes për të zhvilluar artin- kulturën kombëtare, por zhvillojnë kultura të ndryshme të huazuara”, thotë për KOHA, Grubi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat