Pak ditë e ndajnë Gruevskin nga aktgjykimi i parë në lëndët e PSP-së

Maqedonia

Pak ditë e ndajnë Gruevskin nga aktgjykimi i parë në lëndët e PSP-së

Më: 12 maj 2018 Në ora: 15:48
Nikolla Gruevski

Të hënën në Gjykatën Penale do të vazhdojë gjykimi për lëndën e Prokurorisë Speciale “Tanku”, në të cilën i akuzuar është ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Deri në fund të javës janë planifikuar edhe dy seanca tjera, të enjten dhe të premten (17 dhe 18 maj), ndërsa lënda është para thënies së fjalëve përfundimtare dhe shpalljen e aktgjykimit.

Kjo do të thotë se gjatë javës së ardhshme mund të pritet që gjykata ta sjell aktvendimin e parë për lëndët e PSP-së, në të cilat i akuzuar është Nikolla Gruevski.

Në seancën e fundit ai refuzoi të deklarohet duke vendosur të mbrohet në heshtje, ndërsa para mediave Gruevski tha se gjykatësja Dobrilla Kacarska është marrë vesh me kryeministrin Zoran Zaev që ta shpallin fajtor.

Seanca e parë për këtë lëndë u mbajt më 30 janar të këtij viti, që do të thotë se gjykimi po zgjat për më tepër se tre muaj.

Përndryshe, Gruevski përveç në lëndën “Tanku”, i akuzuar është edhe në lëndët “Titanik”, “TNT”, “Trajektorja” dhe “Dhuna në qendër”, ndërsa Prokuroria ka hapur edhe disa lëndë tjera ku ai është i dyshuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat