Nuk u kualifikua në finale, Çiljeta: Jam vërtet e habitur dhe shumë e zhgënjyer…

Mediale Vip

Nuk u kualifikua në finale, Çiljeta: Jam vërtet e habitur dhe shumë e zhgënjyer…

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 16:02
Çiljeta

Mes shumë këngëtarëve të njohur që nuk u bënë pjesë e finales së Këngës Magjike këtë edicion, ishte edhe Çiljeta Xhilaga, e cila, ndryshe nga shumë kolegë të saj, zgjodhi të mos prononcohet as për mënyrën e votimit dhe as për mungesën e saj në finale.

Në të vërtetë, të gjithëve u ka rënë në sy kjo mungesë e Çilit në finalen e këtij viti. Jo vetëm sepse është një prej këngëtareve me më shumë pjesëmarrje në këtë festival (7 pjesëmarrje dhe 7 finale me çmime), por edhe për faktin që sa herë prezantohet në Këngën Magjike, përkushtohet maksimalisht për të dhënë më të mirën nga vetja. Dhe në një kohë kur të gjithë prisnin të përjetonin nga Çili të njëjtën magji, Hajmalia mungoi.

Në të vërtetë, konkurset muzikore në botë nuk janë përcaktuese për aq kohë sa këngëtari pëlqehet për personalitetin e veçantë artistik, për performancën e mirë, për fizikun, për faktorin X, dhe, natyrisht, edhe për vokalin – faktori VOICE. Kënga Magjike, ashtu siç vlerësohet për këtë të fundit, i ka mëshuar fort edhe performancës skenike të artistëve gjatë këtyre viteve. Dhe nëse ka ndonjë këngëtar që të vjen në mendje për performanca të arrira, e para në listë është Çiljeta. Sepse në të gjitha edicionet e Këngës Magjike, Çili ka rezultuar me performanca mbi mesatare. Megjithatë, këtë herë nuk mjaftoi për të qenë një ndër finalistët.

E kontaktuar nga revista Class, Çiljeta, megjithëse ka dashur të përcjellë në heshtje këtë moment për të qenë sa më larg diskutimeve dhe komenteve, tha vetëm që: “Jam vërtet e habitur dhe shumë e zhgënjyer nga votimi absurd i disa prej kolegëve të mi. Nuk kërkoja të më kualifikonin për miqësi, por për tërësinë e elementëve të një performance që ishte absolutisht në standardin e një nate finale”.

E sinqertë deri në fund, ashtu siç ka qenë përherë me publikun që e ndjek, Çili pranon të kënduarit live është sfidë. Por ajo që kënga dhe interpretimi transmetonin ishte mjaft e qartë. Kjo mungesë, për të nuk është aspak shqetësuese, sepse, në fund të fundit, ajo bëri më të mirën e saj, si në çdo kompeticion muzikor. Në të vërtetë, turpi këtu u mbetet disa kolegëve që nuk votuan një këngë si “Hajmali”, tërësisht të denjë për në finale.

Sa për votat e veta, Çili thekson se për këtë pjesë është përpjekur të votojë ata kolegë që për të përfaqësonin vlera të larta artistike, pa lënë mënjanë edhe vlerësimin për artistët e rinj. Ajo nuk ka pranuar asnjëherë të bëhet pjesë e lobingjeve “më jep, të të jap”, përkundrazi ka zgjedhur të qëndrojë sa më larg tyre duke zgjedhur më të mirët sipas gjykimit të saj profesional: “Përpara dinjitetit tim nuk vë asgjë“, – thotë ajo duke dashur ta mbyllë këtë pjesë.

Dhe siç gjen dhe sheh gjithmonë anët pozitive, Çili këtë bën edhe këtë herë duke menduar se mënyrë më e mirë, ndoshta është sjellja e klipeve: “Megjithatë karriera vazhdon. Është zgjedhje shumë e mirë ideja e klipeve. Aty je i pakushtëzuar nga kupat dhe fitoret, kanë rëndësi klikimet. Sa herë dëgjohesh, është e barabartë me sa herë pëlqehesh”, – vijon Çiljeta.

Duke u uruar fitoren atyre që jetuan kënaqësinë e trofeve, Çili u gëzohet shtatë çmimeve të marra në edicionet paraardhëse dhe po përqendrohet te puna për videon e këngës së dhe te koncertet e fundvitit – aty ku matës nuk janë pikët, por duartrokitjet e publikut. Po kjo nuk do të thotë se do të heqë dorë nga garat muzikore. Do të marrë pjesë në festivale sa herë të ketë një material të mirë muzikor dhe ta gjykojë të nevojshme. Kjo mungesë në finalen e Këngës Magjike nuk ndryshon asgjë në karrierën e saj muzikore.

Megjithëse kjo finale kishte një Hajmali që mungoi, Çiljeta vazhdon ta gëzojë njëlloj suksesin e këngës. Jo vetëm për numrin e pafundmë të fansave që ia këndojnë këngën në çdo notë, por edhe për paraqitjen e saj skenike, të cilën e ka gjithmonë armë të fortë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat