Grupi ABBA do të “ribashkohet” në muze

Mediale Vip

Grupi ABBA do të “ribashkohet” në muze

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 14:25

Një ekspozitë e grupit ABBA, që deri më tani ka udhëtuar nëpër botë, do të ketë shtëpi të përhershme në muzeun e ri që do t’i dedikohet kryesisht katërshes suedeze që shiti më shumë se katër milionë albume që nga viti 1970.
Ish – anëtari i këtij grupi, Bjoern Ulvaeus, ka thënë se “ABBA The Museum”, do të jetë pjesë e një salle muzikore suedeze, që do të inaugurohet në kryeqytetin suedez, Stockholm, në pranverën e vitit të ardhshëm.
Në këtë muze do të vendosen disa nga kostumet që bendi i kishte përdorur në skenë, instrumentet dhe të tjera relikte që ishin ekspozuar në kuadër të ekspozitës “ABBA World”, që kishte shëtitur nga Evropa deri në Australi nga viti 2009 deri më 2011. Ulvaeus ka thënë se ai shpreson që të katër ish-anëtarët e ABBA-s do të jenë të pranishëm në ceremoninë e hapjes së muzeut, që ende nuk është përcaktuar nëse do të mbahet në prill apo në maj. Mirëpo ai nuk ka folur për ndonjë mundësi që bendi të dalë sërish në skenë.
“Ne jemi i vetmi grup që asnjëherë nuk është ribashkuar. Mendoj se kjo është cool”, ka thënë Ulvaeus (67) për “The Associated Press” pas një konference për media të mbajtur në Stockholm.
“Është përparësi për ABBA-n që ju i mbani mend ata muzikantët e rinj e ambiciozë të viteve ‘70”, ka shtuar ai. Anëtarët tjerë të bendit të famshëm suedez ABBA ishin Benny Anderson, Agnetha Faltskog dhe Anni-Frid Lyngstad. Ata kishin krijuar bendin si dy çifte të martuara, duke u ngjitur në majat e top – listave botërore, pasi fituan garën e Këngës Evropiane më 1974 me këngën “Waterloo”.
Ata vazhduan të performojnë edhe pasi të dy çiftet u divorcuan, por bendi u shpërbë në fillim të viteve ‘80.
“Ne u ndalëm kur ishim plotësisht në kulm”, ka thënë Ulvaeus. “Dhe kur u ndalëm ideja ishte të pushonim pak, të kryenim disa punë dhe të ktheheshim përsëri së bashku. Por asnjëherë nuk ndodhi kjo”, ka shtuar ai.
Megjithëse bendi nuk u bashkua, muzika e ABBA-s vazhdoi të jetojë, me miliona albume të shitura për çdo vit dhe përmes mjuziklit të famshëm “Mamma Mia”.
Qyteti i Stockholmit, që prej kohësh kishte paralajmëruar se do të ndërtonte një muze për pop – bendin më të famshëm suedez. Kësaj here, ndërtesa e muzeut të bendit është duke u ndërtuar afër një parku në Djurgarden, një nga ishujt e shumtë të kryeqytetit suedez.
Ulvaeus u ka thënë gazetarëve se kishte hezituar për të përkrahur idenë që të ndërtohej “një muze para se unë të vdes”, por megjithatë, i pëlqen ideja që ABBA do të përfshihet në sallën më të famshme në të cilën do të nderohen të gjithë muzikantët suedezë. Kur nisi ideja për ekspozitën shëtitëse, Ulvaues thotë se anëtarët e ABBA – s kishin shprehur gatishmëri të plotë të jepnin gardërobën e paharrueshme skenike, duke përfshirë edhe kostumet vizëlluese dhe çizmet me take të larta- disa prej të cilave ai nuk do t’i harrojë asnjëherë.
“Kam pasur një kostum që e mbaj mend në veçanti, që më dukej sikur Supermani me pelerinë”, ka thënë Ulvaeus. “Më çmend kurdo që e shoh”, ka shtuar ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat