40 studentë përfitojnë bursa në kuadër të projektit “Access Program”

Mitrovica

40 studentë përfitojnë bursa në kuadër të projektit “Access Program”

Më: 20 tetor 2016 Në ora: 17:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së bursave për 40 studentë të programit “English Access Micro Scholarship”, në kuadër të projektit “Access Program”, që u mbajt të enjten në Mitrovicë.

Ambasadori Delawie i dëshiroi mirëseardhje klasës së të diplomuarve të vitit 2016, dhe i uroi ata për vullnetin dhe vendoshmërinë për të mësuar gjuhën angleze.

Delawie: Jam shumë i lumtur që kam lindur në një shtet ku flitet anglisht

“Jam i mahnitur me vendosshmërinë tuaj, por mbi të gjitha e vullnetin tuaj për të mësuar anglisht dhe për kulturën amerikane në kohën tuaj të lirë.  E di se sa sfiduese është të mësosh gjuhë të reja. Përgjatë jetës sime kam mësuar shumë gjuhë dhe për shumë kultura, përfshirë edhe gjuhën shqipe para mbërritjes sime në këtu në Kosovë vitin e kaluar, gjithashtu edhe kroatisht gjatë kohës që kam kaluar në Kroaci 10 apo 12 vite më parë. Dhe e di se gjuhët janë të vështira, veçanërisht anglishtja jonë. E di se nuk është gjuha më e lehtë në botë dhe jam shumë i lumtur që kam lindur në një shtet ku flitet anglisht”, tha Delawie.

 Drejtoresha e këtij programi Natasha Saveliq, duke falënderuar ambasadën amerikane për ndihmën e vazhdueshme për Kosovën uroi bursistëve një të ardhme më të ndritshme në ecjen e tyre.

Agon Gashi, njëri nga përfituesit e këtyre bursave foli rreth eksperiencës së tij në “English Access Micro Scholarship” duke thënë se zor se do ia kishte marrë mendja dikujt se një grup njerëzish të panjohur do bashkoheshin nga ky program dhe do mësonin së bashku. Ai rrëfeu një fragment nga dita kur ishte intervistuar për t’u pranuar në “Access...”.

 Gashi: Profesorët na mësuan në mënyrën më të mirë  të mundshme

“A mundet dikush të më thotë, kushdoqoftë, se kujt do ia kishte marrë mendja që një grup njerëzish plotësisht të panjohur, të cilët kurrë nuk e kanë njohur njëri tjetrin më parë, do vinin këtu dhe do mësonin së bashku. Do bënin qejf  dhe më e rëndësishmja do bëheshin pjesë e kësaj familjeje të madhe të quajtur ‘Access’. E mbaj mend ditën time të parë kur shkova për intervistën e parë. Atëbotë unë sapo kisha filluar hobin tim të magjisë dhe kur i tregova intervistuesve, Majlindës  dhe Milloshit. Majlinda tha: ‘menjëherë bëje një trik’. Unë i kisha letrat me vete kështu që e bëra një trik dhe ata ishin të mahnitur. Kështu në njëfarë forme mund të themi që unë u pranova në ‘Access..’ me magji. Në fillim ishte paksa e çuditshme, por ne e dinim qëllimin tonë. Të mësojmë dhe të shoqërohemi . Sa për pjesën e mësimit, profesorët tanë na mësuan në mënyrën më të mirë  të mundshme. Por sa për pjesën e shoqërimit në fillim ka qenë e vështirë. Ne tentuam ta njohim njëri tjetrin dhe ia arritëm, filluam të shoqërohemi. Ne u bëmë miq të mirë dhe mësuam nga miqësia,” tha Gashi.

Ky projekt që u financua nga ambasada amerikane në Kosovë, u realizua në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM) në Mitrovicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat