Mitrovicasit skeptikë për rrënimin e murit

Mitrovica

Mitrovicasit skeptikë për rrënimin e murit

Më: 31 janar 2017 Në ora: 15:02
Muri në Mitrovicë

Rezoluta lidhur me ndërtimin e murit në mënyrë ilegale në pjesën veriore të Mitrovicës, që u votua nga Kuvendi i Kosovës, sot i jepte afatin e fundit autoriteteve përgjegjëse për largimin e murit të ndërtuar ilegalisht në veri të vendit. 74 deputetët e Kuvendit kanë votuar Pro rrënimit të murit në Mitrovicën veriore, dhe afati përfundimtarë ishte caktuar dita e fundit e janarit.

Ndërkohë që kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundim të ditës së sotme, datë 31 janar, mitrovicasit shprehen skeptikë se një gjë e tillë do të ndodhë.

Sipas tyre, Prishtina zyrtare nuk ka fuqi për ta rrënuar murin, duke e quajtur si një veprim të rrezikshëm rrënimin e tij nga pala kosovare.

Nga ana tjetër, disa qytetarë të cilët u shprehën më të matur në deklarimet e tyre, thanë se muri nuk do të rrënohet, por vetëm të shkurtohet.

Riza Lushi, qytetar i Mitrovicës, tha se muri do të largohet një ditë siç janë larguar edhe barrikadat, por tani jo.

Ai shtoi se nuk beson në deklaratat e politikanëve kosovarë, ngase siç tha, çka do që kanë thënë deri tani, nuk e kanë realizuar.

Lushi: Prishtina nuk mund t’a rrëzojë murin

“Ja s’ma merr mendja… sepse çka kanë thënë hala s’e kanë realizuar…Ndoshta i vjen koha sikur këto barrikadat e zallit që janë hjek, por njëherë jo…Veç nëse ju vjen qefi këtyre me hjek, se Prishtina m’sa unë e ti a mundemi me hjek… Bashkësia evropiane ka thënë ne të merren vesh qeveritë, pse me u marr vesh qeveria jonë për murin. Për që thonë këta ka me u rrënua sot, e nesër, e FSK-në kemi me qit me rrënue…s’ma merr mendja mu hiq ajo punë”, ka thënë Lushi.

Nazmi Januzi, ka kritikuar klasën politike, duke thënë se ky mur me këta politikanë nuk do të rrënohet kurrë.

Jonuzi: Me këtë klasë politike, muri nuk mund të rrëzohet

“Gjinja e dekt a munden me rrëzua diçka, s’munden. Isa Mustafa me kon me i çu policinë tek shqiptarët diku po, i mbysin. E keni pa kur hynë me hallakat dikend çfarë zhurme bëjnë, me ju thënë hajde dilni këndej, asnjë i vetëm nuk guxon…Ky mur me t’u hjek me këta njerëz kurrë…Serbët s’e hjekin kurrë, ata me qenë se e hjekin nuk e kishin qit, me i vet popullatën ata ndoshta e hjekin”, tha mes tjerash Januzi.

Edhe Bedri Shabani, një qytetar tjetër nga Mitrovica, u shpreh skeptik për rrënimin e murit.

Ai thotë se rrënimi i murit është veprim i rrezikshëm dhe ai mund të shkurtohet, por assesi të rrënohet.

Shabani: Rrëzimi i murit, veprim i rrezikshëm

“Jo sot, por hiq nuk ma merr mendja që dikush guxon me rrënu… Mundet eventualisht me u shkurtu për nja 70-80 centimetra... Është punë e rrezikshme kjo… Nuk ma merr mendja që institucionet e Kosovës e ndërmarrin atë hap me rrëzu këtë mur… Deri tani kemi pasur deklarata bombastike, por me u realizu nuk është realizuar asgjë”, sqaroi Shabani.

Njëri nga qytetarët që nuk deshi të prezantohet, tha se murin mund ta largojnë vetëm serbët nëse duan.

Muri rrëzohet vetëm nëse serbët duan

“S’hiqet sepse ato janë dallaveret tona…askush s’mundet me hjek murin pos serbët…Valla edhe nja 10-15 vjet…edhe atëherë bile dyshoj”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat