Komuna e Mitrovicës: Objektet sportive të shpëtohen nga likuidimi i AKP-së

Mitrovica

Komuna e Mitrovicës: Objektet sportive të shpëtohen nga likuidimi i AKP-së

Më: 6 shkurt 2017 Në ora: 17:02
Fusha e sportit ne Mitrovice

Komuna e Mitrovicës ka organizuar mbledhjen e radhës të rregullt të Bordit të Drejtorëve, ku fillimisht u bisedua për Raportin e brendshëm të auditimit lidhur me shpenzimet për subvencionet dhe transfere në Komunë për vitin 2016 dhe për Raportin e auditimit të brendshëm lidhur me të hyrat vetjake në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi për vitin 2015, si dhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Sipas njoftimit për media nga Komuna e Mitrovicës, për raportet e paraqitura, para anëtarëve të Bordit, foli shefi i Njësisë së Auditimit në komunë, Nexhat Berani. Ai i njoftoi në pika të shkurtra drejtorët për të gjeturat e theksuara në raport, duke dhënë më pastaj sugjerimet e tij. U vendos që për këto raporte të bisedohet më gjerësisht në një takim të përbashkët të udhëheqësve të komunës dhe të drejtorive përkatëse për të cilat janë bërë auditivet.

Fidan Ademi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sportit, parashtroi problemin e futjes në listën e likuidimit nga ana e AKP të objekteve kryesore sportive të komunës, siç janë halla e sporteve “Minatori”, stadiumi i sporteve të vogla “Fatime Xhaka”, stadiumi i futbollit “Rizah Lushta” dhe stadiumi ndihmë i futbollit “Nexhat Taraku”.

Ai tha se ky proces duhet të ndërpritet sa më parë, sepse në të kundërtën, sporti në Mitrovicë do të pësojë goditje të rëndë, nga e cila nuk do të mund të këndellet më.

“Sportistë kanë dëgjuar për një proces të tillë dhe janë tepër të shqetësuar për faktin e objekteve në të cilat ushtrojnë dhe për fatin e sporteve të tyre në përgjithësi. Ata kanë paralajmëruar protestat masovike, për çka edhe e kanë mbështetjen e qytetarëve, andaj duhet të reagojmë si komunë sa më shpejtë dhe në bashkëpunim me institucionet e Qeverisë së Kosovës, të parandalojmë nj gjë të tillë”, tha Ademi.

Të gjithë të pranishmit u dakorduan se në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar tjetërsimin e titullarëve të këtyre objekteve sportive, të cila janë pronë publike, e qytetarëve të komunës dhe të cilat janë ndërtuar me mund të madh, prandaj edhe duhet të mbesin në shërbim të sportistëve të komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat