Drejtuesit e Mitrovicës nderuan të rënit për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës

Mitrovica

Drejtuesit e Mitrovicës nderuan të rënit për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 17:20
Bahtiri viziton familjen Jashari

Në Ditën e Republikës së Kosovës, kryetari i komunës, Agim Bahtiri  dhe nënkryetari Faruk Mujka, me bashkëpunëtorë,  kanë filluar agjendën e tyre me vënien e buqetave me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Shipol.

Pas vënies së kurorës, kryetari Bahtiri me bashkëpunëtorë ka bërë nderime tek varri i secilit dëshmorë, ku familjarëve të tyre që ishin aty, ua ka urua Ditën e Pavarësisë, duke vlerësuar lartë kontributin e jashtëzakonshëm të dëshmorëve të rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Jo vetëm ju familjarë të nderuar, por të gjithë qytetarët e komunës dhe të Kosovës janë krenarë me bijtë tuaj që nuk kursyen gjakun e tyre për çlirimin nga pushtuesi dhe për të na pru lirinë që ne sot po e gëzojmë”, tha kryetari Bahtiri.

Nga varrezat e dëshmorëve në Shipol, kryetari Bahtiri me bashkëpunëtorë ka arritur në Prekaz, ku ka bërë homazhe dhe ka vendos lule të freskëta në varrezat e atyshme të dëshmorëve.

Image

Në Prekaz, kryetari Bahtiri u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili i uroj Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe sukses në drejtimin e komunës.

Pas kësaj, kryetari Bahtiri dhe bashkëpunëtorët e tij u pritën në Kullën e Jasharajve nga Murat Jashari. Pasi i uroj nikoqirit Ditën e Republikës, kryetari Bahtiri tha se varrezat e dëshmorëve në Prekaz dhe  Kulla e Jasharajve kanë qenë, janë dhe do të jenë përgjithmonë frymëzim për vizitorët e shumtë se si duhet të luftohet për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Familja emblematike e komandantit legjendar Adem Jashari, sot është familja më e nderuar dhe e respektuar në tërë shqiptarinë. Jo vetëm në luftë, por edhe pas saj, me qëndrimin tuaj i keni bërë të gjithë shqiptarët që të krenohen me juve dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Murat Jashari, pasi falënderoi kryetarin Bahtiri për respektin e treguar, tha se familja e tij është e vendosur që  të ndjek rrugën e atyre që dhanë jetën për liri, tani duke i kontribuar zhvillimit të demokracisë në vend dhe shtet ndërtimit të Kosovës.

“Ne jemi krenar para së gjithash që i takojmë shqiptarisë, e cila është tërësia, ndërsa ne jemi pjesë e saj. Nëse pjesët e janë në rrugë të drejtë, atëherë edhe tërësia patjetër që do të jetë në këtë rrugë për t’i dhënë shtetit kuptimin e plotë”, tha ndër të tjera Murat Jashari.

Image

 

Ndërkaq, në Kompleksin e Kullave të heroit Isa Boletini, në Boletin, kryetari Bahrir me bashkëpunëtorë, pasi vuri lule të freskëta tek varri i tij,  u prit nga stërnipi i heroit, Gazmend Boletini.

“Luftëtari i madh për bashkimin e trojeve shqiptare dhe lirinë e tyre, heroi Isa Boletini, me kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, na ka bërë ne Mitrovicasve, por edhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të krenohen me te. Ne që jetojmë në këtë kohë, duhet të marrim mësim nga heroi Isa Boletini se si duhet të luftohet për shqiptari”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri dhe bashkëpunëtorët e tij, gjatë ditës kanë vendos buqete me lule të freskëta edhe tek shtatoret e heronjve Isa Boletini, në qytet, Mehë Uka e Shemsi Ahmeti-Komandant Shemi.

Po ashtu lule të freskëta ata kanë vendos edhe tek shtatoret dhe bustet e dëshmorëve, Safet Boletini, Artim Jashari, Xhevë e Fehmi LLadrovci, Fatime Hyseni dhe Avni Shabani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat