KQZ ka publikuar rezultatin e 100% votave të numëruara në Mitrovicë, ku diferenca në mes të dy partive të para është në e vogla prej pasluftës.
Përderisa në zgjedhjet e vitit 2013 kandidati i PDK-së, Avni Kastrati kishte 42.60% apo 12608 vota në raundin e parë, Valdete Idrizi ka marrë vetëm 29.63% apo 9013 vota, duke shënuar rënie prej 13%.
Ndërsa, kandidati i AKR-së për kryetar, njëherësh edhe kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në zgjedhjet e vitit 2013 kishte 21.90% apo 6483 vota, kurse tash ka marrë 27.03% apo 8222 vota, duke shënuar ngritje prej mbi 5%.
Jashtë balotazhit në Mitrovicë ka mbetur kandidati i LDK-së, Safet Kamberi, i cili mori vetëm 21.66% apo 6588 vota. Kujtojmë se Safet Kamberi ishte për tri vite nënkryetar i komunës së Mitrovicës të drejtuar nga Agim Bahtiri.
Rezultat zhgënjyes në Mitrovicë ka shënuar Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit kishte dalë partia e parë në Mitrovicë, duke marrë mbi 35% të votave. Fehmi Ferati i VV-së ka marrë 15.67% apo 4766 vota.