Pajisje dhe inventar për shkollën shqipe në Mitrovicë - Bota Sot
Pajisje dhe inventar për shkollën shqipe në Mitrovicë

Mitrovica

E hënë, 18 qershor 2018

Pajisje dhe inventar për shkollën shqipe në Mitrovicë

Më: 4 maj 2018 Në ora: 17:27
Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës Veriore ka ndihmuar sot nxënësit shqiptarë të Shkollës fillore ‘Aziz Sylejmani’ në lagjen “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës, duke sjellë për ta lap-topë, projektor, printer skaner dhe fotokopje, si dhe inventarë banka, karrige, ormana, varëse etj, vlera e të cilave arrinë shumën rreth 7 mijë euro.

Me këtë rast, drejtori i kësaj shkolle, Flamur Gacaferri, në emër të nxënësve, arsimtarëve, por edhe të prindërve, ka falënderuar Komunën e Mitrovicës Veriore, në veçanti Adriana Hoxhiqin, për të cilën tha se në vazhdimësi është duke bërë një punë të mrekullueshme për këtë shkollë.

Sipas tij, gjendja e përgjithshme e sigurisë në këtë pjesë është e qetë dhe nuk kanë probleme.

Gacaferri: Nuk kemi telashe me çështje të sigurisë

“Nuk kemi telashe me çështje të sigurisë… Që 19 vjet që punojmë këtu, nuk kanë ndodhur krejt dy-tre incidente të vogla të cilat nuk kanë peshë të madhe… Themi që nga themelimi i shkollës neve na është ndihmuar nga ana e komunës veriore, me theks të veçantë kur ka qenë Zyra Administrative e veriut ku është Adriana, të cilën e falënderojmë shumë, jo vetëm unë, por edhe nxënësit, prindërit dhe të gjithë të tjerët, sepse vërtetë është bërë një punë e mrekullueshme. Ka qenë tmerr, ndërsa tani është për mrekulli”, ka thënë Gacaferri.

Edhe Mustafë Ceraja, nxënës i klasës së nëntë në këtë shkollë, ka falënderuar komunën dhe Adriana Hoxhiqin, për të cilën tha se iu ka ndihmuar shumë dhe vazhdimisht.

Ceraja: Adriana Hoxhiq na ka ndihmuar vazhdimisht

“Falënderojmë komunën e Mitrovicës veriore, në veçanti Adriana Hoxhiqin, e cila ka sjellë këto pajisje për shkollën tonë dhe e cila na ka ndihmuar vazhdimisht”, tha ai.

Në anën tjetër, Adriana Hoxhiq, drejtoreshë në Administratën e komunës së Mitrovicës Veriore, ka potencuar se asnjëherë nuk është harruar shkolla ‘Aziz Sylejmani’ dhe nxënësit e saj, sa herë që komuna e Mitrovicës Veriore ka bërë diçka për shkollat në veri.

Ajo tha se nuk do të ndalet me kaq, duke premtuar mbështetje të fuqishme edhe në të ardhmen për këta nxënës, ndërsa ka apeluar tek të gjithë që të fuqizohet dhe përkrahet bashkëjetesa.

Hoxhiq: Nuk e kemi harruar shkollën ‘Aziz Sylejmanni’

“Vërtetë ne kemi bashkëpunim të ngushtë e të mirëfilltë me këtë shkollë që sa vite. Secilën herë kur komuna e Mitrovicës Veriore ka bërë diçka për shkollat në veri, asnjëherë nuk e kemi harruar edhe shkollën Aziz Sylejmanni…Jemi të interesuar ta përkrahim arsimin sepse në arsim është e ardhmja e të gjithë qytetarëve tonë…Dua të theksoj se multietniciteti është një gjë që vërtetë jeton në Mitrovicën Veriore…Bëj apel tek qytetarët, tek qeverisja lokale dhe ajo qendrore, që ta fuqizojmë dhe përkrahim bashkëjetesën”, theksoi Hoxhiq.

Ndryshe, shkolla ‘Aziz Sylejmani’ në veri të Mitrovicës, ka shtatë paralele dhe numëron gjithsej 19 nxënës shqiptarë nga klasa parë deri në klasën e nëntë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test