Pasi të njiheni me vetitë kuruese të trëndafilit të egër, nuk do hiqni më dorë nga ai

Mjekësi alternative

Pasi të njiheni me vetitë kuruese të trëndafilit të egër, nuk do hiqni më dorë nga ai

Më: 22 janar 2017 Në ora: 08:34
Ilustrim

Trëndafili i egër ose Rosa Canina ka vendlindjen në Europë dhe Shqipëria është një nga vendet e bekuara me këtë super bimë. Kjo shkurre e egër është me degë gjëmbore dhe arrin nga 2 në 4 metra lartësi. Ka një rrënjë të gjatë dhe fibroze. Degët e saj çelin lule të bardha ose ngjyrë rozë me nga pesë deri në shtatë petale nga fillimi i pranverës deri në mes të verës.

Trëndafili i egër është një bimë, që rritet në shkurre dhe vlerat e tij në kurimin e sëmundjeve janë të pallogaritshme. Në mjekësinë popullore pjesët që ndihmojnë në lehtësimin e sëmundjeve janë frutet, që përftohen pas tharjes së luleve. Frutet e trëndafilit të egër ndihmojnë mjaft në kurimin e disa prej sëmundjeve më të përhapura.

Ato janë të pasura me vitamina, acide yndyrore, antioksidantë, madje përbëjnë një metodë domethënëse për përfitimin e vitaminës C. Kokrrat e trëndafilit të egër mund të përdoren për çaj, mund të bëhen reçel ose marmaladë dhe mund të përfshihen në shumë ushqime të tjera. Varianti i tyre i thatë që përdoret në çaj është kryesisht më popullori.

Janë plot me antioksidantë, këto kokrra që kanë përmasat e qershive janë thesari i vërtetë që trëndafilat e fundit të verës u dhurojnë njerëzve. Ato përmbajnë karotenoidë dhe substance të tjera bioaktive. Trëndafili i egër njihet për vetitë e tij autostimulante dhe antialergjike. Për këtë arsye, ai është shumë efektiv kundër rrufës dhe virozave të dimrit. Ai forcon sistemin imunitar.

Trëndafili i egër mund të përdoret edhe për të luftuar dhimbjet e kyçeve që vijnë nga reumatizma apo artriti. Çaji nga trëndafili i egër, ndikon mirë kundër lodhjes, plogështisë dhe anemisë. Këshillohet që trëndafili i egër të mos përdoret gjatë shtatzënisë dhe as në fazën e ushqyerjes me gji të fëmijës. Kjo pasi mund të shkaktojë reagime alergjike tek bebet e vogla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat