Osman Sefë Gashi - i çoi peshë zemrat e njerëzve, oxhakun ua ndezi!

Muzikë

Osman Sefë Gashi - i çoi peshë zemrat e njerëzve, oxhakun ua ndezi!

Nga: Flamur Shala Më: 23 gusht 2016 Në ora: 12:30
Osman Sefë Gashi

Të lindur në mes këngësh, në krisma pushkësh, me tingëllimë zëri ode Mleqani, aty ku fjalës e vargut po u jepte kumbim çiftelia në trashëgimi brezash, aty ku ngjyra zëri me këngë vajtimi po i jepte shpresë trimërisë, robërisë po ia zinte frymën, aty po rriteshin djemtë që me dekada po i ndeznin zemrat e njerëzve, me këngën burimore shqiptare.

 Konak më konak po nxitej trimëria e të parëve të fisit, me krushq e dasmorë po festohej. Kënga po këdohej edhe atëherë kur ishte vështirë të thurej vargu me fjalën liri të kërkuar, kudo anembanë trojeve. Të bijtë e Sefë Mleqanit, në varg të rreshtuar një nga një, nuk iu ndanë kurrë misionit të shqiptarisë, për Lirinë e vendit. Beqiri është dëshmi lulebozhuri, se atdheun e deshi të lirë, me gjak e këngë derdhur mbi të.

I biri i Sefë Mleqanit, Osmani, bashkë me vëllezërit, Imerin e Ibrahimin, Xhaferin, Ismetin e Beqën, më shumë se një gjysmë shekulli, i mbushi odat me  sofra këngë trimërie për kombin, për lirinë e kërkuar, për jetën e arshikinë, vit pas viti, konak pas konaku, oxhak më oxhak. Taleniti i tij për këngën ishte gjenetik, i trashëguar brez pas brezi. Zëri tingëllues i tij ishte magjik, i trashëguar nga i ati i tij, baba Sefë. Të kënduarit, shprehja dhe paraqitja prej rapsodi ishin origjinale, e ndërthurur me trashëgiminë. Sjellja e tij ishte njerëzore, e fuqishme, burrërore, tipike odash të burrave, aty ku bashkë me këngën u rrit trimëria.

Osman Sefa po rritej në mes të këngëve, bashkë me vargun fjalë më fjalë, të kënduara për Azem Bejtën, Nak Berishën, Hoxhë Breznicën, Ahmet Delinë, Demë Ahmetin, Ahmet Shtimjen, krahinat për Mujën e Halilin, për Arnaut Osmanin e Millosh Kapetanin, për Nikollë Bajraktarin e Tanushen, të Dylberes e shumë e shumë këngëve legjendë, të atyre historike-patriotike, të arshikisë e të këngëve mbi sjelljet shoqërore, të edukimit njerëzor e të punës, të trimërisë e të lirisë së vendit të tij.

E pati lehtë të këndonte, sepse në odën e familjes së tij, herë me sharki e çifteli varur në mur e, më shumë herë, me to në duar, bashkë me babain dhe vëllezërit e tij, s’po i lëshonte nga dora, duke ia thënë këngës në çdo rast ahengu, dasme e fjalë nuseje, mbledhur me  shokë, gjithandej Kosovës e trojeve shqiptare. Por, nuk e pati edhe të lehtë rritën e tij prej artisti, sepse po këndonte me babain, njërin nga rapsodët më të talentuar e të çmuar në kohën e tij, i cili me këngën e tij, po e luante e po e mbizotëronte gjithandej sharkinë, me këngën e me zërin e tij magjepsës po i çonte peshë nga vendi e pranë oxhaku njerëzit e zemrës, në odat shqiptare.

Osman Sefa, me vëllezërit e tij, me interpretimin rapsodik, më të spikaturin të mundshëm, me këngët më të zgjedhura të kohës, po i dominonte kërkesat për këngën, nga ato që me mall i këndohej të kaluarës së dhimbshme shqiptare, i këndohej sakrificës e trimërisë, kurbetit që i preku deri në ashk njerëzit, lirisë që s’po e linte varg i këngës pa e kërkuar, e deri te ato këngë të ditëve të tona, të heronjve të paepur të shqiptarisë sonë të dashur.

Osman Sefa nuk vajtoi kurrë me këngën e tij edhe atëherë kur po i këndonte dhembjes, kurbetit, fatkeqësisë njerëzore. Me zërin e tij, të thellë, tingullues, të kombinuar me zërin melankolik të Ibrahimit, të Beqës e Imerit, vargu i këngës me vaj kthehej në varg shprese për jetën. I dominote timbri, ngjyrimi që po i anonte kah thirrja për kushtrim, thirrja për qëndresë edhe në ato këngë vaji.

Na kujtohen këngët alegorike, me metaforizim të skajshëm, që përveçse koha e tij i kërkonte, ishte vargu, stili, figurat dhe interpretimi që po i jepnin dëgjuesit mesazhin më të fuqishëm, ku me ndiejsi të pakufishme po i ndezte zemrat për jetën, shpresën për ditë më të mira të lirisë që po vinte. Frymëzimi nga këngët e kënduara me interpretim prej artisti, të Osman Sefës, po ngjallte kujtimin për të bëmat heroike. Ato po dëgjoheshin me ashkun e shpirtin shqiptar të nejrëzve që po e rrethonin, kudo ku po këndohej, vatër më vatër, në odat shqiptare, në ahengje dasmash, në festivale këngësh burimore, gjithandej. 

Osman Sefa u nda prej nesh fizikisht. Një kohë të gjatë do të jetë mes nesh! Do ta kemi pranë, kudo e kurdo që duam ta kemi. Ai na e la këngën, interpretimin, na e la pamjen e tij prej rapsodi-artisti, përfytyrimin e plotë. Na e la tingëllimën, kumbimin e zërit të tij magjik, dhunti prej natyre. Ata që e deshën këngën e tij, e dëgjuan me andje, me respekt dhe me mall. Këndoi mbi gjysmëshekulli për jetën, njeriun, për dashurinë e për trimërinë, për lirinë. I këndoi hallit e mallit, i këndoi kalldrëmit, sokakut me gur, i këndoi oxhakut prush në kala, bedemave. Peshë po i çonte zemrat e njerëzve, kudo që po i zinte vend këmbëkryqi, sa herë që e dëshironim në konak atë jehonë zëri të babës Sefë.

Rapsodi është në mes nesh. Kënga e tij nuk vdes kurrë!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat