Festivali Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve

Muzikë

Festivali Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve

Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 16:52
Pamje nga festivali

Festivali i IX Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve mbledh sot në Lezhë, rapsodë dhe instrumentistë nga mbarë trevat shqiptare, të cilët përgjatë dy ditëve (24-25 nëntor) do të promovojnë vlerat e rapsodisë dhe kulturën jomateriale shqiptare.

Aktiviteti merr një rëndësi të veçantë, në një kohë që synohet përfshirja e lahutës dhe Eposit të Kreshnikëve në trashëgiminë kulturore të UNESCO-s. 13 janë grupet artistike që do të jenë pjesë e garës për 9 çmime që do të akordohen për fituesit. Një vend të veçantë në këtë festival do të kenë edhe grupet folklorike nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Festivali do të vlerësojë kontributin e rapsodëve dhe instrumentistëve, sidomos lahutarëve gjatë viteve, por synon gjithashtu edhe evidentimin e lahutarëve të rinj dhe ruajtjen e kësaj tradite. Ky aktivitet synon mbajtjen gjallë të traditës gojore të trashëguar brez pas brezi, baladave dhe rapsodive historike me lahutë si dhe të ashtuquajturave Këngët Majë – Krahu.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë grupet folklorike nga Lezha, Kurbini, Mirdita, Puka, Kukësi, Hasi, Tropoja, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Dibra, Mati, Gramshi dhe Mallakastra, ndërsa të ftuar do të jenë nga Kosova: Shoqata “Shote Galica, Drenas dhe Komuna Pejë; nga Mali i Zi: Shoqata “Dedë Gjon Luli” dhe nga Maqedonia: SHKA “Jahi Hasani” Cevran – Gostivar dhe kavallisti Sallah Shabani duet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat