“Ti ma nxive jetën”, si ndryshuan këngët e dashurisë, nga erotika e fshehur te zhveshja

Muzikë

“Ti ma nxive jetën”, si ndryshuan këngët e dashurisë, nga erotika e fshehur te zhveshja

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 08:48
Nga dokumentari “Kur kënga nuk ishte pazar”

“Ti ma nxive jetën”, “pse sillesh si katunare”, “jeta s’bohet pa lek”, “e ke senin e vogël”…. Këto janë copëza tekstesh të këngëve të sotshme për dashurinë. Djali, që atëherë të priste me biçikletë, sot të pret me sllon, nuk të dhuron një tufë mimozash, por çelësin e një “Ferrari”, beli i këputur që imagjinohej te burimi i fshatit, ku vajza mbushte ujë, tani s’ka nevojë fare për imagjinatë, se vajza e ka zhveshur vetë; dhe jo vetëm belin, po çfarë të duash…

“Kënga njëherë këndon veten e pastaj për mua e për ty”, thotë tekstshkruesi Lefter Çipa. Po kështu këndojnë këngët polifonike, po ato që buçasin kanaleve televizive, radiove, xhamave të makinave, pub-eve, kujt i këndojnë?!

Gjithnjë e interesuar ndaj fenomeneve të tranzicionit, Donika Mustafaj kësaj here është ndalur te këngët e dashurisë; si kanë ndryshuar ato në këto 25 vite demokraci. “Kur kënga nuk ishte Pazar”. Kështu titullohet dokumentari më i ri i skenaristes dhe regjisores Mustafaj, i cili u shfaq dje në Kinema “Millenium”.

DY KOHË

Kompozitorë e poetë, që kanë krijuar përpara viteve ’90, por vazhdojnë të jenë aktivë edhe sot, rrëfejnë se si shkruheshin këngët asokohe dhe si shkruhen sot; se si një autor teksti apo muzike kalonte net të tëra zgjuar, jetonte me krijimin e vet, vërente me vëmendje histori e i transformonte në këngë… Jorgo Papingji, Luan Zhegu, Lefter Çipa, Flamur Shehu, Nasho Jorgaqi, Adrian Hila, Pandi Laço, Agim Krajka, Arben Duka, e shumë të tjerë rrëfejnë për Mustafajn.

Dokumentari është ndërtuar mbi shumë zëra, mbi kontraste të forta dhe përplasje mes këngësh të dy periudhave të ndryshme; tekstesh; ritmesh. Ndryshimi është radikal. Dashuria e ndrojtur, e fshehtë, e veshur me një simbolikë erotike në këngët e para viteve ’90, qofshin këto të lehta apo edhe popullore, është zëvendësuar me erotikën e hapur, karnale, të drejtpërdrejtë, pa shumë naze dhe ojna, materiale e kapriçoze; ndërsa gëzimi i dashurisë dhe i pritjes është shndërruar në dhimbjen e ndarjes, tradhtisë, “tjetrës”.

Këngët janë vetë ato që flasin, por Mustafaj ka marrë edhe mendimin e një klase nxënësish. Çuditërisht, ata thonë se ata nuk e gjejnë veten te këngët e pas viteve ’90, se tekstet e tyre janë banale, që e trajtojnë dashurinë si një ndjenjë ordinere, që nuk të mësojnë asgjë për të, që flasin më shumë për vuajtjen se për gëzimin që të fal, se bëhen vetëm për të fituar treg.

PYETJE QË KËRKON PËRGJIGJE

Sipas vetë kompozitorëve apo tekstshkruesve “atëherë këngët bëheshin pa hile”, ndërsa sot është tregu ai që e orienton këngën. Por, nëse është tregu ai që i orienton muzikantët e poetët drejt një kënge sipërfaqësore, komerciale; nëse nuk janë të rinjtë ata që e pëlqejnë, atëherë kush janë ata që e konsumojnë këtë këngë?!

Përse ato shtohen dita-ditës, bashkë me fytyrat e këngëtareve manekine?! Autorja e orienton dokumentarin drejt idesë së saj që kënga e dashurisë ka pësuar një zvetënim të dukshëm, ajo e dokumenton këtë fenomen, por nuk na jep arsyen përse. As vetë kompozitorët dhe autorët e teksteve nuk na japin një arsye se përse ka ndodhur ky shndërrim.

Ata thonë se e dikton tregu; se nuk ka kontroll; se këngë mund të bëjë dhe mund të këndojë kushdo; se një këngë mund të blihet dhe shitet në Pazar, por nuk na thonë se si është krijuar ky Pazar dhe kush janë blerësit e tij. Ndër të intervistuarit nuk ka asnjë që të pranojë se i pëlqejnë këngët tallava, këngët e Çiljetës, Zajminës, Florit, Medës, Xhesika Ndojt, Encës, Luana Vjollcës, Getoarit, Tunës, Nojzit, Stresit dhe gjithë shokëve të tyre. Dhe nga sa shohim përditë, nuk janë pak ata që i pëlqejnë, i këndojnë e kërcejnë këto këngë.

Image
Regjisorja dhe skenaristja, Donika Mustafaj

Nuk është pyetur asnjë nga këngëtarët e mësipërm se përse këndojnë ato këngë që këndojnë, kush ua pëlqen ato. Madje, edhe në mes të kompozitorëve dhe poetëve që flasin, ka edhe nga ata që nuk i kanë shpëtuar dot tundimit të komercialitetit. Ata, më mirë se kushdo mund të na e kishin zbërthyer mekanizmin e krijimit të një kënge “të mirë” dhe një kënge “të keqe”, një kënge të ndjerë, të menduar, të punuar gjatë dhe një kënge komerciale, me dy vargje tekst, dhe me të njëjtin motiv muzikor që përsëritet pa fund.

Është e vërtetë se publiku bie dakord me faktin që këngët kanë ndryshuar, se më parë kishin më shumë melodi e më shumë tekst; këtë e ndjen në lëkurë, në emocionin që të shkakton një këngë e bukur, por nuk e merr përgjigjen e pyetjes, se përse ka ndodhur ky shndërrim.

A është ky një fenomen mbarëbotëror? A kanë ndryshuar shijet e shqiptarëve? A ka ardhur ky ndryshim bashkë me ndryshimin që ka pësuar shoqëria shqiptare, në mentalitet, mënyrë jetese etj.? Mos vallë edhe koncepti për dashurinë dhe moralin ka ndryshuar? Ndoshta këto përgjigje publiku do t’i marrë në hulumtimin e ardhshëm. Donika Mustafaj do të dijë të na japë edhe anën tjetër të medaljes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat