Tish Daija, kompozitori i baletit të parë shqiptarë dhe autori i qindra krijimeve muzikore

Muzikë

Tish Daija, kompozitori i baletit të parë shqiptarë dhe autori i qindra krijimeve muzikore

Më: 30 janar 2017 Në ora: 12:46
Tish Daija

Përkujtohet sot në 91-vjetorin e lindjes artisti Tish Daija, që krijoi muzikën e shfaqjes “Halili dhe Hajria”, e vendosur më shumë se 250 herë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Nëpërmjet një statusi, akademiku Vasil Tole e përkujton me një nga krijimet emblematike të tij të vitit 1943, himnin e batalionit garibaldin antifashist “Antonio Gramshi”. ”Tish Daija dhe kënga e batalionit antifashist “Antonio Gramshi”!

“Sot e kujtojmë kompozitorin Tish Daija (30 janar 1926-3 tetor 2004) në ditën e lindjes me një nga krijimet emblematike të tij të vitit 1943, me poezi të italianit Mario Dacci, për të cilin kishim dijeni por nuk zotëronim partiturën”, shkruan ai. Bëhet fjalë për himnin e batalionit garibaldin antifashist “Antonio Gramshi”. Batalioni që mbante emrin e filozofit dhe politikanit italian Antonio Gramshi (1891-1937), me origjinë arbëreshe nga i ati Fran?esko, u krijua më 9 nëntor të vitit 1943, i përbërë kryesisht nga ushtarë italianë, të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste iu bashkuan rezistencës shqiptare kundër nazistëve gjermanë. Në themelim morëm pjesë 137 pjesëtarë. U pagëzua në betejën e parë më datën 15 nëntor 1943 dhe më pas u përfshi në Brigadën e I-rë sulmuese, ku morën pjesë edhe në betejën për çlirimin e Tiranës. Një pjesë e tyre ranë dëshmorë për çlirimin e Shqipërisë, ndër ta edhe komandanti i batalionit Terzilio Cardinali.

Pas çlirimit të vendit pjesa më e madhe e tyre u rikthye në Itali me ceremoni zyrtare. Ky himn ashtu si vetë batalioni antifashist shënojnë një rast unikal për mënyrën se si rrethanat janë ndërthurur për të bërë bashkë Tish Dainë, Mario Daccin, kujtimin dhe veprën e Garobaldit, rrënjët shqiptare të Antonio Gramshit si dhe partizanët italianë që luftuan në tokën shqiptare kundër nazistëve.

“Gëzuar ditën e lindjes mjeshtër DAIJA!” shkruan akademiku Tole. Daija është vlerësuar si kompozitori i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, si pedagog e akademik. I vlerësuar gjithashtu si drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Tish Daija la gjurmë të thella në krijimtarinë muzikore shqiptare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat