Tingullnaja shqip e dirigjentit spanjoll

Muzikë

Tingullnaja shqip e dirigjentit spanjoll

Nga: ANDI BICA&BETI KUMI Më: 12 maj 2017 Në ora: 09:24
Koncerti

Mbrëmjen e të shtunës së 6 majit,  patëm fatin të shijonim koncertin operistik e simfonik të artistëve  shqiptarë të Operas mbi skenën e qendrës kulturore të Katedrales Ortodokse. Protagonistët e shfaqjes premierë në Shqipëri të organizuar nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vijuan me këngët e tyre të muzikës së autorëve tashmë të njohur botërorë spanjollë si Plaçido Domingo e kualitete të ngjashëm, duke shpërfaqur pothuajse në maksimum aftësitë profesionale gërshetuar me talentin individual. Vlen të ndalemi tek risitë e mjeshtërisë së interpretimit të Vikena Kamenicës, ku të befasonin vibrimet e saj me ritmet spanjolle së bashku me frymën e gëzueshme të natyrës së këngëve lirike “Zarzuela”. Kujtojmë lojën përmes ngjyresave të zërit të saj, me performimin aktorial, në sinkron me dirigjentin spanjoll. 

Po në këtë linjë risie,  në aktrimin e kombinuar me këngëtimin në rritje kualitative , Armando Lika solli edhe elementin e kostumit tradicional të ngjashëm me toreadorët duke shprehur më qartë tiparet e këtij profili të muzikës së famshme spanjolle. Një duet plotësues në regjistrat e ndryshëm zanorë, me  shkallën e pëlqyeshmërisë së mirë të publikut, ishin solistët e njohur Ramona Tullumani me Klodian Kaçanin. 

Enkelejda Kamani një kualitet tjetër i operas shqiptare, e vlerësuar si e para ndër 6 fituesit e akademisë “La Scala”  për vitet 2017 -2019, performoi ndjeshëm me pjesën “Granada“,  e  stolisur me të kuqen e zjarrtë spanjolle të fustanit, duke u  harmonizuar pa përsëritur vetveten në duetet me kolegët Lika dhe Kllogjeri. Solistët e Teatrit të Operës dhe Baletit  Armaldo Kllogjeri,  Eva Golemi të kthyer tanimë në një etalon vlerësimi për shijuesit e operas, si edhe kolegët Drina Selimaj, Shpresa Beka, Ivana Hoxha e Sonila Baboçi,   i pasuruan këto prurje  të bukura spanjolle me veçorinë e zërave të tyre.

Një fill lidhës i të gjithë koncertit ishte kori profesionist i Teatrit të Operas dhe Baletit, të cilët e shumfishuan entuziazmin festiv të mbrëmjes me bashkshoqërimin zanor dinjitoz. Surprizë në finale,  ishte flakja e baketës magjike mbi njerëzit nga dirigjenti virtuoz spanjoll Ricardo Cassero, i cili rrezatoi muzikalitet e komunikim me të gjithë qënien e tij. Pasi i dhuroi shikuesve spektaklin e jetshëm, ai ofroi edhe një gostitje tingujsh.  

“Tingullnaja” e orkestrës simfonike shqiptare i mbajti natyrshëm më gjatë të pranishmit me duartrokitjet e tyre, në “arenën” e Katedrales Ortodokse të Tiranës. Madje publiku nuk arrinte të largohej nga tërheqja magnetike e koncertit…  

“Zarzuelat” energjike na thuhet se po vijojnë udhëtimin në qytetet e tjera  të vendit, për të sjellë më afër bashkombasve në klasin e merituar, pak aromë Spanje në Shqipëri. 

“E, sikur të këndonin të gjithë si bilbili, atëherë pylli do të ishte i zbrazur !“

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat