Alarmi për ngrohjen e Tokës

Ndryshe

Alarmi për ngrohjen e Tokës

Më: 26 shtator 2013 Në ora: 07:52

Në Stokholm do të paraqitet këto ditë raporti i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, IPCC, një organizëm i përbërë nga qindra shkencëtarë të shquar, të cilët studiojnë efektet e veprimtarisë njerëzore mbi klimën e Tokës dhe ndikimin e ndryshimeve të saj tek mjedisi dhe shoqëria civile.
I konsideruar tepër i rëndësishëm, ky raport pritet të tregojë se pas rritjes së temperaturave të globit qëndron njeriu dhe aktivitetet e tij e se nxehja e sipërfaqes së Tokës nuk është treguesi i vetëm i ndryshimeve klimaterike të planetit.

Ndër shenjat e tjera që dëshmojnë ndryshimet do të përmendet tkurrja e shtresës së akullit në Arktik, shkrirja e akullnajave në Groenlandë, ngrohja e oqeaneve dhe rritja e nivelit të detit. Raporti i pestë i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike do të publikohet me faza, duke filluar nga e premtja, me analizimin e fizikës së ndryshimeve klimatike dhe botimi do të vazhdojë gjatë vitit të ardhshëm.
Dokumenti analizon ndryshimin e kohës së stuhive, sasinë e reshjeve, thatësirat dhe fenomene të tjera ekstreme të motit, si dhe pasojat e ndryshimeve në shtresën glaciale dhe të akullit për ngritjen e nivelit të detit, ndërsa do të vlerësojë mbi të gjitha ndikimin e veprimtarisë njerëzore përpos faktorëve natyrorë. Shpresat janë që raporti i IPCC-së do të arrijë t’i ndihmojë qeveritë dhe shoqërinë civile që të marrin vendime më të mira për çështjet e klimës.

Në draftin e tij që ka rënë në duart e medias, thuhet se Toka është ngrohur me shpejtësi që nga vitet ‘50 dhe ka shumë të ngjarë, me një probabilitet prej 95 për qindësh, që njerëzit të shkaktojnë më shumë se 50 përqind të ndryshimeve të vrojtuara, si shkrirja e dëborës dhe akullit, ngritja e nivelit të detit dhe fenomenet ekstreme të motit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat