Ku ishin shokët e Adem Jasharit kur po luftonte i vetëm me familje kundër Serbisë?!

Opinione

Ku ishin shokët e Adem Jasharit kur po luftonte i vetëm me familje kundër Serbisë?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 6 mars 2023 Në ora: 21:16
Autori Faton Mehmeti

Nëse ka një ngjarje historike që meriton vëmendje dhe kujdes, padyshim se është "Epopeja e UÇK-së". Ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit në vitin 1998 në Prekaz bënë të mundur që krejt bota të kthente sytë aty ku një familje po rezistonte përball një shteti okupator, një familje e tërë po flijohej për Liri.

Lufta dhe përpjekjet e shqiptarëve për Liri janë të hershme me kurorëzimin e arritur në vitin 1999. Kur jemi tek "Epopeja e UÇK-së" duhet thënë se është fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë. Kjo ngjarje ishte diçka e paparë për botën, pasi që edhe fëmijët të luftonin. Ata nuk dorëzoheshin edhe pse e dinin se armiku ishte ushtarakisht më i përgatitur. Megjithatë shpresa dhe etja për Liri ishin më të forta se plumbat e armikut.

Pas rënies së Adem Jasharit dhe 52 pjesëtarëve të tjerë të Jasharajve, shumë njerëz u lavdëruan se ishin shokë të pandashëm me Adem Jasharin, mbi emrin e tij edhe arritën të bënin karrierë politike dhe pasuri pa mund.

Në 25 vjetorin e "Epopesë së UÇĶ-së",kujtojmë se janë të shumtë ata që thoshin “as gjumi nuk na ndante me Ademin dhe Hamzën”, “çuditërisht” kur filloi lufta ata nuk qëlluan tek Ademi.

Në datën 5 mars kur familja Jashari po rrethohej me tanket që po vinin nga Llausha, nëse shokët e tij do të ishin tamam shokë si duhet, do kishin mundësi të afroheshin tek familja Jashari, që sado pak t’i ndihmonin Ademit dhe të tjerëve.

Arsyetimi i ish shokëve të tij është pamundësia për t’u afruar tek Familja Jashari, pasi ishte e rrethuar me tanke. Edhe sikur të ishte kështu, së paku ka munguar tentativë për të shkuar, asnjëri nuk tregon se është nisur dhe s`ka mundur të depërtojë. Për më tepër s`ka patur edhe nevojë të afrohet tek Ademi, kanë mundur armikun të sulmojnë nga pjesë të ndryshme, në mënyrë që të shpërqendrohet dhe jo e gjithë forca e armikut të drejtohet tek Jasharët.

Derisa Adem Jashari luftonte me tërë familjen dhe nuk kishte as armatim, disa nga ata që veten e quajnë shokë, blinin toka. Adem Jashari s’ka pasur as armatim, armatimi më “luks” ka qenë një mitraloz, dhe nga një kallashnikov, asgjë më shumë.

Sikur, Samiu dhe “jaranat” e tij, të kishin mendjen për luftë, dhe paratë e popullit t’i përdornin për armatim, sigurisht se edhe Ademi mbase do ishte gjallë, sot, do rezistonte me shumë. Nuk është njësoj sit ë luftosh me një kallashnikov me fishekë të numëruar, sikur të keni armatim më të shumtë.

Prandaj, 25 vjetori i "Epopesë së UÇK" është ngjarje historike, me kalimin e kohës po dalin shumë të vërteta në pah me ata që janë shfaqur shokët e tij, në fakt dolëm të ishin mashtruesit dhe hajnat më të mëdhenj të pasluftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat