Klan Kosova - e keni gabim!

Opinione

Klan Kosova - e keni gabim!

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 16 qershor 2023 Në ora: 16:24
Klan Kosova

Ka ndonjë të vërtetë, të cilën duhet mbrojtur edhe nëse krejt botën e ke kundër.

Unë e kuptoj ndjeshmërinë dhe reagimet që zgjon presioni ndaj medieve kudoqoftë, por po ashtu jam i bindur se askush jashtë Kosove nuk e di gjendjen e mediave në këtë vend, për arsyen e thjeshtë se askush nuk ua ka shpjeguar! Ndonjë vlerësim etiketues i ndonjë aktivisti të partisë në pushtet nuk ndihmon, përkundrazi, vetëm sa hedh vaj në zjarr.

Por, se televizioni Klan Kosova nuk është në rregull mund të mësohet lehtë - nga portali i tij në internet.

Në impresumin e ttij, që është një lloj letërnjoftimi për median (shih foton), janë emrat e "argatëve" që punojnë aty, por jo edhe të themeluesit e pronarit!

Në botën në të cilën ka rend, pos që kjo kërkohet me ligj, mediat e kanë për nder që t'i shquajnë emrat e themeluesve, të cilët edhe konsiderohen si njerëz të respektuar!

Ndër ne, ndërkaq, ka media të cilat nuk vënë asgjë në impresum, pos ndoshta një numër telefoni a adrese e-maili, apo edhe nuk e kanë fare! Shtrohet pyetja: si mund të kërkojnë ato transparencë e llogaridhënie nga institucionet e shtetit, deri sa vetë veprojnë si të ishin ilegale!

Kolektivi i këtij televizioni, në vend se të dalin në ekran me gojën e mbyllur me flaster, e kanë një mënyrë shumë më të lehtë e më të bindshme të na tregojnë se janë në anën e së drejtës: të dalë pronari në televizion dhe të thotë, ja, unë jam ai! Apo kushdo që e përfaqëson pronarin, në qoftë se bëhet fjalë për pronësi kolektive!

E keni parë ndonjë të tillë?! As që do ta shihni!

Dhe, e fundit, është kjo çështje të cilën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është dashur ta shtrojë i pari, në mënyrë që të krijohet rend në hapësirën mediale, me qëllim që gazetaria jonë të ketë standarde të larta profesionale e etike!

Po ju tregoj edhe pse po i quaj "argatë" kolegët e nderuar të Klan Kosovës: sepse nuk mund t'i quaj gazetarë ata që punojnë në një media, e cila nuk dihet e kujt është!

Personalisht, më ka ndodhur edhe të punoj në ndonjë redaksi, me politikën redaktuese të së cilës nuk pajtohem, apo nuk pajtohem tërësisht, por kam bërë vetëm punë teknike, si përkthime për shembull, po më parë edhe kam qëndruar pa punë, siç jam edhe tash! Nuk jam kah lavdohem me parimësi, jam kah e vajtoj këtë shoqëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat