“Martirët” e radhës në “Inceneratorin e Tiranës”?!

Opinione

“Martirët” e radhës në “Inceneratorin e Tiranës”?!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 2 gusht 2023 Në ora: 09:11
Xhevat Mustafa

Më 28 korrik 2023 SPAK, pasi nguroi dhe u vonua siç e ka zakon e praktikë, më në fund mori një vendim që ka bërë bujë, zona-zona, ku më shumë e ku më pak. Ky akt është pritur masivisht me befasim, si një rrufe në atë ditë fundkorriku e me diell përvëlues! Por, ky "vendim historik" është pritur edhe me debat e me shpresë, sidomos nga ata iluzionistë të pashërueshëm “majtistë”, deri në vetë verbëri dhe naivitet, për një kthesë...të fortë në drejtësinë allashqiptare të këtyre rreth 32 viteve endjeje si "çifutët në shkretëtirë" në kërkim të DEMOKRACISË, DREJTËSISË SË VËRTETË dhe të SHTETIT LIGJOR !

Dosja e këtij inceneratori, njëherazi të fantazuar, të shumëpërfolur e real, sidomos për nga dhjetëra milionat e gllabëruar, "kullëzuar", komplekse pallatesh banimi dhe saraje -turistike shndërruar, është deng me dokumente me firma e vula! Prokurorët dhe specialistët e SPAK, me shumë gjasa, nuk do ta kenë të vështirë aspak, të identifikojnë se cilëve u takojnë ato firma dhe vula miliona- djegëse apo më saktë miliona- pastruese në industrinë e pastrimit të parave të pista apo edhe në formën e plehrave! Kështu që opinionit publik shqiptar i mbetet të presë sa më pak nga SPAK që të njoftohet për vazhdimin! Domethënë, edhe që të kuptohet nëse do të kemi një dramë- komedi, një serial të tejzgjatur apo një farsë propagandistike dhe demagogjike të rradhës! Ose, që një pjesë të gëzohet e një pjesë të hidhërohet, se kush apo cilët do të jenë "martirët" e rradhës të firmave dhe vulave të tyre!

Apo se kush dhe cilët do të digjen nga firmat dhe vulat e tyre të papërgjegjshmërisë dhe të pangopshmërisë në inceneratorin e Erion Veliajt apo të Edi Ramës! Kryeministri nuk mund të përjashtohet nga skandali i inceneratorëve, në Tiranë, Fier, Elbasan dhe gjetiu, sepse falë postit ka edhe privilegjin historik të jetë emër-dhënës ose emër-identifikues i kësaj "epoke qeverisëse", ndoshta pa u gabuar dhe pa u treguar superlativues, kampione për korrupsion, edhe në nivel global...! Kryeministri Edi Rama, që tashmë ka përvojë të pasur e të suksesshme, me alibinë dhe kartën "përgjegjësia është personale", ndërsa edhe një foshnje e sapolindur e di se përfitimet kanë qenë ekipore, partiake, ortakërore..., mund të mos digjet edhe këtë herë...!

Atëherë, merret me mend se do të shtyjë në " furrën dhe llavën e inceneratorit të Tiranës", të tjerë, nga të rradhës së gjatë! Ose të urdhërojë SPAK -un që ta lërë ndëshkimin ligjor allarilindas vetëm tek emrat Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri! Pra, duke mos kërkuar të hetohet dhe zbulohet se kush apo cilët i kanë ndihmuar me firma e vula të thata apo të njoma...!!!??? Natyrshëm tek shumëkush ideohen dhe formulohen, të paktën katër pyetje! 1- Meriton lavdërim e mirënjohje apo përbuzje e mallkim kryeministri Edi Rama nëse nëpërmjet duarve të SPAK-ut “bën kurban nga tufa e tij e madhe”, djeg me një dënim minimal, pa sekuestrim të të gjithë pasurive në Shqipëri e jashtë saj, ose me një dozë humori, huazuar nga arkivi i pasur kryeministror, bën “martir korrupsioni” një shok tjetër të vjetër ”ideali”, “pazaresh”, “fitorjesh”...??? 2-

Ku i kishin gjatë një kohe të gjatë, sytë, veshët, gojët, hundët...kryeministri, drejtuesit kryesorë të institucioneve vartëse të tij apo mbuluese të “minierës” a "thesarit të plehtë" të inceneratorëve, përfshirë edhe SPAK që nuk reaguan shpejt, domethënë që nuk u ndjenë kaq gjatë? Aq më tepër, kur nga inceneratorët e dukshëm e funksionalë apo vetëm në letra, dilnin dhe përhapeshin flakë, tym, erë azmatizuese dhe vidheshin miliona lekë dhe euro, duke bërë "pleh e hi" edhe atë fije imazh të qeverisjes Rama...???!!! 3- Për deri sa i djeg, pa keqardhje të fortë, a i ka pasur vërtetë shokë bese, ideali, sakrificash...apo shokë në letra, sa i janë dashur për të kapërcyer lumenj me përfitime dhe "male me plehëra"??? 4-

Po “popullit të majtë” shqiptar, që gjatë mbi 78 vjetëve ia ka hëngër shkopin vetëm partia e zemrës dhe kryetar-mbretërit e saj, mos vallë i duhen edhe 47 vjet që të binden se Rama-qeverisja është e përmbytur nga pushtetarë dhe qeveritarë të paaftë, të paskrupullt, të papërgjegjshëm, të pashpirt për shumicën e popullit të thjeshtë, për Shqipëri e për PS...; të korruptuar nga fundi i këmbës deri në majë të kokës...???!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat