Cilët janë përçarësit e moçëm të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?

Opinione

Cilët janë përçarësit e moçëm të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 12:23
Xhevat Mustafa

Pas dështimit të merituar e të pritshëm në zgjedhjet e parakohshme të 17 dhjetorit 2024 në Serbi, kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi, figurë përfaqësuese e Partisë Alternativa Demokratike Shqiptare, për të larguar rolin dhe përgjegjësinë e tij individuale e partiake për këtë rezultat tejet të ulët, ia faturon apo lë në derë fajin Albin Kurtit! Sipas tij, Albin Kurti dhe “Vetëvendosja” dhe jo ai e partia e tij, jo vetë faktori partiak dhe votues i shqiptarëve në Luginë, kanë përgjegjësinë kryesore për nivelin e ulët të pjesëmarrjes në votime dhe rezultatin minimal të partisë së tij, rreth 10 herë më të ulët se Partia për Veprim Demokratik, me kandidat Shaip Kamberin!

Logjika e tij bëhet qesharake dhe vetëdiskretituese nëse mendon se kjo akuzë është e pabazë dhe fare e pabesueshme, përballë të vërtetës se Albin Kurti nuk ka shkuar shtëpi më shtëpi për tu mbushur mendjen shqiptarëve në Luginë të votojnë sa më pak prej tyre më 17 dhjetor 2024!? Këtë sajesë qesharake, origjinale, me autorësi të tij apo të dhuruar, Shqiprim Arifi e përsëriti edhe në intervistën dhënë më 19 dhjetor në Klan Tv, më 15.30 dhe 19.30.

Në vend që të kishte burrninë dhe shqiptarinë të bënte autokritikë e të kërkonte falje për rezultatin e turpshëm të xhuxhpartisë së tij e për këmbënguljen e tij individuale e partiake për mos përfaqësimin e partive shqiptare në Luginë me një aleancë unike, por me dy lista, fajësoi atë që ka ndihmuar më shumë, edhe financiarisht, për këtë qëllim, Albin Kurtin!

Për më tepër e më keq jo si institucion, si kryeministër i qeverisë së Kosovës, por si individ. Shqiprim Arifi ka kujtesë të fortë, megjithatë për ta ndihmuar që të bindet se çfarë “kumbulle të papjekur ka këputur”, po i ofroj një deklarim të kryeministrit Albin Kurti më 1 dhjetor 2023, gjatë vizitës së tij në Gjilan. Mes të tjerave ai tha në SHQIP: “Ne si qeveri i kemi mbështetur vazhdimisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, dhe është në interesin e shqiptarëve që të fitojnë sa më shumë mandate në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Serbi më 17 dhjetor...Si qeveri ne vazhdimisht po e rrisim buxhetin që i kushtohet shqiptarëve atje, jemi të interesuar t’i ofrojmë mbështetjen tonë. Sa i përket zgjedhjeve, ne japim kontributin tonë, interesi është të jenë sa më shumë të përfaqësuar në kuvend. Nuk e di se si do të shkojnë zgjedhjet, Serbia nuk është vend demokratik...”

Pra, siç shprehet fare qartë në këtë deklaratë të Albin Kurtit, kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi duhet t’i kërkojë përçarësit e vërtetë e të moçëm përreth tij e në Beograd e jo në Prishtinë! Duke e rënduar dhe turpëruar edhe më shumë veten i thuri lavde dhe i fali merita të paqena Edi Ramës!? Aq më tepër kur, në të vërtetë, me disa veprime e mosveprime të tij, natyrisht jo të drejtpërdrejta nga ana e tij, në kuadër të këtyre zgjedhjeve, Rama ka çuar ujë më shumë në mullirin e Beogradit se sa të Luginës së Preshevës!

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi u tregua tendencioz dhe zbuloi se nuk fliste vetëm me mendt e veta, edhe kur deklaroi se “Ndryshe nga qeveria e Prishtinës, politika e Tiranës ka qëndruar larg ndërhyrjeve në këto zgjedhje”. Me këtë ai vë në siklet jo vetëm veten, por edhe Edi Ramën. Sepse, dihet mirë se qeveritë e Serbisë, qysh nga 1999-ta nuk kanë qëndruar larg ndërhyrjeve, deri hapur të paligjshme, në të gjitha betejat zgjedhore në Kosovë, duke mbështetur me të gjitha mënyrat partiçkat serbe, segmente apo vasale të tyre...!? Papërgjegjshmëria dhe urrejtja jo krejt personale e Shqiprim Arifit ndaj Albin Kurtit u shprehën shumë qartë dhe në formë autogoli edhe kur ai u bë jo vetëm i pabesueshëm, por edhe qesharak me frazën se “shqiptarët e Luginës patën kundërshtarë në këto zgjedhje jo vetëm serbët, por edhe “Vetëvendosjen”... Kurti ka tentuar të përçajë shqiptarët edhe në Tiranë e Shkup...”!? Natyrisht Shqiprim Arifi ka të drejtë të pacenueshme të flasë apo përrallisë se çfarë ka parë e di në Preshevë me sytë e vet dhe jo të tjerëve, përreth tij, pra jo deri në Beograd, se çfarë mund të ketë bërë kryeministri i Kosovës në Luginë. Ama, nuk i lejohet të marrë përsipër të flasë për diçka që nuk është fare e vërtetë dhe që e kemi parë ne shqiptarët që jetojmë në Tiranë e Shkup!!!

Edhe logjika e një fëmijë në moshën 10-12 vjeç nuk arrin të mendojë se Albin Kurti me 1001 halle e vështirësi në Kosovë, me qeverisje të brishtë e jo në mbarë hartën administrative të Kosovës, të gjejë kohë, miliona euro e mundësi të tjera për të përçarë shqiptarët edhe në Shqipëri, MV, Malin e Zi, Diasporë...!? Me gojën e vet, me mllefin dhe mosmirënjohjen ndaj Albin Kurtit, me akuzat e padrejta e të pasinqerta ndaj tij, Shqiprim Arifi, rivertetoi se e urren kryeministrin e Kosovës jo më pak se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama! Duke kërkuar arsyet, shkaqet, motivet përse të tre i bashkon përpjekja për ta mjegulluar dhe baltosur figurën dhe veprimtarinë e Albin Kurtit në mbrojtje e të mirë të Kosovës dhe të interesave mbarëkombëtare, arrin lehtësisht tek bindja se kryeministri i Kosovës u ka prishur skenar, plane, punë, llogari...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat