Në pritje të Donald Trump!?

Opinione

Në pritje të Donald Trump!?

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 3 janar 2024 Në ora: 18:01
Avdullah Hoti dhe Donald Trump

Kosova dhe Serbia kanë pranuar verbalisht tashmë një marrëveshje të sponsorizuar nga Gjermania dhe Franca, marrëveshje e cila ka marrë miratimin e të gjitha vendeve të BE-së. Kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga palët në dialog, për shkak të refuzimit për nënshkrim nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pas Luftës së Dytë Botërore marrëveshjet ndërkombëtare midis vendeve dhe shteteve nuk janë imponuar, siç ka ndodhur sidomos para Luftë së Parë Botërore, kur për fatin e popujve të vegjël vendosnin Fuqitë e Mëdha. Kjo praktikë ka ndodhur edhe me krijimin e shtetit shqiptar, sepse Konferenca e Londrës nuk kërkoi për asnjë moment dakordësinë e palës shqiptare për marrjen e vendimit për ndarjen e kombit shqiptar në dy pjesë.

Marrëveshja e shkurtit dhe aneksi i Ohrit i marsit të këtij viti ngjan më atë të Konferencës së Londrës. Të 27 kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të BE-së thanë se ajo marrëveshje e panënshkruar do të zbatohet dhe do të jetë kusht për negociatat e pranimit në BE për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë. Por ama mungon vullneti i Serbisë jo vetëm për nënshkrim. Ky vullnet mungon edhe për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit, për marrëdhëniet shqiptaro-serbe në përgjithësi?

Në Beograd nuk janë të brengosur, nëse refuzimi i zbatimit të marrëveshjes në fjalë çon në destabilizimin e Kosovës e të Ballkanit. Ata janë në pritje të Donald Trump, te i cili besojnë se do të rikthejë idenë dhe projektin e ndarjes së Kosovës. Aq më tepër kur kemi parasysh faktin se sekretar i Shtetit Amerikan do të jetë ambasadori Richard Grennell, një diplomat dhe politikan pro-Serbisë dhe kundër Kosovës. Kjo është arsyeja themelore pse Beogradi ka kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023. Presidenti dhe qeveria serbe, cilado të jetë ajo pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit të vitit të kaluar, besojnë se me votimin e presidnetit Trump më 20 nëntor 2024 dhe ardhjen e tij në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit të ardhshëm gjithçka do të ndryshojë. Administrata amerikane do të investohet ashtu si para vitit 2020 për ta shpërblyer Serbinë me territoret më të pasura të Kosovës dhe kësisoj për t’i dhënë fund edhe konfliktit midis të të dy vendeve.

Sigurisht që për katër vitet e qeverisjes së Trump Serbia do të respektojë një “armëpushimi”, sa i përket përpjekjeve të saj për të krijuar Serbinë e Madhe përmes një rengu tjetër tashmë, atë të Botës serbe! Por sapo Trump të largohet nga Shtëpia e Bardhë, Beogradi do të fillojë përpjekjet e tij të destabilizimit e pjesës tjetër të Ballkanit, përkatësisht Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut! Qëllimi nuk do të ndryshojë! As projekti jo! Krijimi i Serbisë së Madhe, ndoshta nën petkun e një Jugosllavie të Re. Madje nuk përjashtohet mundësia që ky projekt të nisë me administratën Trump, gjithnjë nëse ai vjen në Shtëpinë e Bardhë.

Çfarë mund ta parandalojë këtë opsion? Më e mira do të ishte që vendet e BE-së të ishin unike e në pajtim të plotë me njëra tjetrën sa i përket qëndrimit ndaj Kosovës. Ta njohin të gjitha këto vende atë dhe të përshpejtojnë integrimin e saj në union. Ndërkohë gjatë vitit 2024 të bëhej ftesa për pranim në NATO. Në mungesë të nënshkrimit dhe zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, masat e lart-thëna do të ishin dobiprurëse, nëse kryeqytetet evropiane nuk do të donin që Balkani të jetë shesh beteje dhe vatër krizash e luftërash në kontinent. Kjo i duhet bërë me dije që tani, pra brenda muajit janar, qeverisë dhe presidentit të Serbisë. Por për këtë do të duhet konsensus europian.

A mundet që këtë opsion ta realizojë BE pa ndihmën e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës? Besoj se jo. Atëherë çfarë mund të bëjë Kosova për të ndihmuar aleatët europianë dhe kabinetin aktual të presidentit Biden me qëllim realizimin e pavarësisë së plotë edhe pa nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes me njohje de facto nga ana e Serbisë? Duhet të qëndrojnë në lidhje të drejtpërdrejtë dhe të konsultohen vazhdimisht për të harmonizuar veprimet e përbashkëta. Por para kësaj duhet të hartojnë një projekt se çfarë duan ato në të vërtetë. Dhe këtë projekt t’ua paraqesin vendeve aleate të tanishme, përfshirë dhe kabinetit Biden, me argumentet përkatëse.

Nuk shoh se në përspektivë të afërt, siç thuhet brenda dy-tre muajve të ardhshëm, Serbia do ta pranojë dhe nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Ndaj dhe duhen hartuar skenarë dhe opsione alternative. Duhet një plan B e mundësisht edhe një tjetër C. Nëse priten zgjedhjet e nëntorit në SHBA, atëherë do të jetë vonë, po qe se këto zgjedhje i fiton Donald Trump! Me Donald Trump Kosova duhet të llogarisë ndarjen e saj midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pra të shuhet si shtet! Në këtë rast qeveria e Tiranës do të jetë në mbështetje të presidentit të ri amerikan dhe qeverisë e presidentit të Serbisë! Do të rikthehet madje me triumfalizëm, duke u thënë shqiptarëve se “fitoi kauza e përbashkët Tiranë-Beograd”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat