Urimi i një emigranti!

Opinione

Urimi i një emigranti!

Nga: Silvana Begaj Më: 5 janar 2024 Në ora: 18:03
Silvana Begaj

Atmosfera e festave mua më sjell aromën e nënës, gatimeve të saj, tavolinën e mbushur plot dhe njerëz. Oh sa shume njerëz! Njerëz në shtëpi, njerëz në rrugë, njerëz në jetë që flasin gjuhën tënde. Njerëz që sjellin Diellin dhe në errësirë.

Aromë familje duhet të jetë! Aromë që e ndjen në shpirt, në trup, në mendje. Aromë që të përndjek gjatë gjithë jetës tënde dhe sa më shumë të rritesh aq më shumë të mungon ajo aromë. Eh dreq kjo jetë! Do doja që kohën ta ndalja aty dhe mos të rritesha kurr.

Por ja që kohën nuk e ndala dot dhe jam kaq larg asaj arome. Kujtimi i asaj atmosfere e ngelur si fotografi në kokën time, sot, nuk më sjell erën e gjelit të detit që piqet me orë e me orë të tëra në furrë e as zhurmat e hareshme , por sjell ndjenjën e shëmtuar të vetmisë. Se emigrimi është i dhimbshëm! Do guxim!

Të përndjekin kujtimet! Ndërrimi i viteve nuk ka kuptim pa gatimet e nënës sado vjec të jesh. Ajo e di si të të ngopi shpirtin edhe pa ngrënë. Oh sa më torturon mungesa e ngrohtësisë së prehrit të saj!

E prandaj unë sot dua të uroj Veten për këtë Vit të Ri dhe me veten uroj cdo shqiptar që është në emigrim. Bota është e guximtarëve dhe do guxim të jesh emigrant.

Uroj nënën time e me të uroj të gjitha nënat që e kanë festë vetëm ditët që i vijnë fëmijët. Do guxim të jesh nënë e të të thahen sytë për të parë fëmijët e tu. Guxim I nënave shqiptare!

Uroj tim atë dhe me të uroj baballarët që këtë vit festuan me sofrën plot dhe me karriget bosh. Do guxim të jesh baba I fëmijëve që enden rrugëve në botë të huaj.

Uroj gjyshërit që të vetmin gëzim nga jeta është të mbushin prehrin me nipër e mbesa dhe tani duhet të mjaftohen me një ekran telefoni.

Uroj Shqipërinë time, Atdheun tim në këtë fillim viti me vargjet e Pashko Vasës:

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush te ka qitë me krye n'hi?

Ti ke pas kenë një zojë e randë,

Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Të uroj që të shekullosh Shqipëri, të fluturosh lartë mbi Europë ashtu si shqipet mbi botë.

Uroj që në këtë vit e në cdo vit në vazhdim të bësh histori që të shkruhet në flori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat