Qeverisja kërkon mendje specialisti e jo dorë “artisti”!

Opinione

Qeverisja kërkon mendje specialisti e jo dorë “artisti”!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 9 janar 2024 Në ora: 09:45
Xhevat Mustafa

Shumë vite e vonoi kryeministri Edi Rama shpërblimin e shokut të tij të vjetër nga Instituti i Arteve me një post të lartë, ministri! "Kritika" për këtë vonesë bazohet sidomos tek fakti se ia njihte “aftësitë” prej shumë vitesh më parë, kur menaxhonte apo drejtonte një nga bisneset e tij të mëdha turistike në Barcelonë! Pra, për shokun apo sivëllain qysh në rini, kryeministri krijoi apo më saktë, sajoi një ministri, që do të drejtojë bashkë kulturë, ekonomi, inovacion..., sektorë apo fusha, që janë larg, jo gjeografikisht, por nga problematikat dhe specifikat, në mënyrë figurative sa Surreli nga Brukseli!!!???

Nuk thonë kot: këto të pabëra, marrëzira apo çudi, ndodhin këto mbi 79 vjet, më me "nivel artistik e modernizmi origjinal" ekskluzivisht e për respektim dhe theksim të “autorësisë personale”, në këta 10 vjet në Shqipërinë e "liderit global Edi Rama, që po dërgon shumicën e shqiptarëve ose në vende të Perëndimit, ose në spitale, ose në...varreza!? Dhe për më tepër kjo ministri alla edirama, me tri fusha, i falet një miku të vjetër e besnik të tij, vërtetë, me diplomë nga Instituti i Arteve, por njësoj si Edi Rama, pa ndonjë shquarje, qoftë edhe meteorike, në fushën e kulturës...!? Pra, edhe pa "kryevepra", qoftë edhe brenda për brenda studiove të tyre personale...!? Por, siç është shkruar nga shumëkush sapo u shpërnda ky "sihariq" apo trill enverian, edhe pa "kryevepra" fare nuk është Blendi Gonxhe...!

Si më e madhja i njihet përmbytja e Tiranës nga hapja e portave të Liqenit artificial, mbi 21 vjet më parë, natyrisht realizuar jo vetëm me kokën e vet... Pas kësaj është folur dhe shkruar edhe për disa "kryevepra" në "artin e korrupsionit", që mund të gjenin kohë të lirë, për "kënaqësi estetike", t'i shikonin edhe shokët e shoqet e SPAK- ut ...!? Ore, shqiptarë "të djathtë", "të majtë", "të pavarur"..., në Shqipëri e nëpër botë, ç' bëhet kështu në këtë vend e me këtë popull? Duke qenë ndër më të varfërit në Evropë, ndryshe nga vendet më të zhvilluar e me nivele mirëqenie të lartë, kemi kryeministrin piktor e nga dt 8 janar 2024 edhe ministrin me 3 sektorë parësorë, po me diplomë nga Instituti i Arteve e nga rrethi shoqëror kryeministror?! Çfarë e pandehin këtu qeverisjen? Galeri të arteve figurative? Tufë apo grup shokësh...dhe shoqesh? Klub apo kazino...? Estradë...?

Kjo surprizë e ky eksperiment i 8 janarit 2024 apo ky akt i lakuriqësuar talljeje me qeverisjen, familjariteti, klanizmi dhe autoritarizmi, deri në enverizëm, është ngjashëm sikur t'i japësh një aktori, që ka interpretuar për 30 vjet vetëm role në komedi të luaj 3 role njëkohësisht në një dramë apo tragjedi..., jo në një skenë, por në jetë...!?

Gjithsesi, asgjë e re dhe për çudi: prej mbi 79 vitesh jemi në Enver Hoxha- Edi Rama shtet e qeveri! Ndoshta, duke e flakur skepticizmin, ministërllëku i Gonxhes në "epokën e kanabizisë dhe kullëzisë...", mund të sjellë "lulëzimin" e gjithë Rama-qeverisë!? Përse jo: edhe shengjinizimin, gjadrizimin, afrikanizimin... , e gjithë Shqipërisë?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat