Sherret e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë të ndalur, mjerisht, rasti i faljes së tokave manastirit ortodoks serb të Deçanit, nuk do të jetë sherri i fundit..!?

Opinione

Sherret e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë të ndalur, mjerisht, rasti i faljes së tokave manastirit ortodoks serb të Deçanit, nuk do të jetë sherri i fundit..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 13 mars 2024 Në ora: 21:14
Manastiri i Deçanit

Nuk e gjen dot asnjë angazhim, veprim politik, akt ligjor, vendim gjyqësor, takim diplomatik, biseda zyrtare dhe private me faktorët ndërkombëtarë, të cilat i ndërmerr dhe i bënë regjimi kriminal i Beogradit zyrtar lidhur me Kosovën, e që nuk kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, mjerisht, që të gjitha në favor të interesave hegjemoniste serbe në Ballkan, duke filluar nga marrëveshja e Rambujesë (1998) e cila, pranë bombardimit të Serbisë nga NATO-ja, ajo do rezulton prapë në favor të saj, siç ishte aprovimi i Rezolutës së KS të OKB-së 1244, në të cilën sot e kësaj dite thirret Beogradi zyrtar, duke e trajtuar Kosovën si pjesë të Serbisë, këtu e 25 vite pas luftës.

Po ashtu, Plani i Ahtisarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës (2007), ishte në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës, me të cilin Plan, pakicave etnike në Kosovë u garantohen të drejta maksimale që nuk i ka asnjë pakë në Evropë, sidomos pakicës serbe prej afër 5%-ind do i jepet statusi i barabartë politik me shumicën shqiptare, duke mbjellë një sherr të madh politik brenda vetë qenies shqiptare, si element shtet-formues dhe bartës i pavarësisë së Kosovës. Pra, me Planin e Ahtisarit Serbisë i garantohet një sovranitet i tërthorët mbi Kosovën, kinse në emër të mbrojtjes së serbëve të mbetur në Kosovë, sovranitet të cilin Serbia e ka imponuar ndaj Kosovës me mjete dhe instrumente të shumta deri më sot.

Pastaj, gati çdo marrëveshje e arritur në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, sidomos marrëveshja e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, kanë qenë plotësisht në favor të Serbisë, gjegjësisht në dëm të shtetit të Kosovës, duke e copëtuar dhe de-funksionalizuar nga brenda shtetin e Kosovës, ku kërkesat e vazhdueshme të Serbisë për formimin e tij, e vendosnin palën kosovare në një pozitë tejet të pafavorshme në arenën ndërkombëtare, shantazh ky i cili po vazhdon edhe sot ndaj Kosovës.

Kështu që, edhe vendimi i Gjykatës kushtetuese i vitit 2016 që manastirit të Deçanit t’i regjestrohen 24 hektarë toka të komunës së Deçanit, zbatimin e të cilit sot e pranoi kryeministri A. Kurti, ishte vazhdimësi e planeve dhe skenarëve antishqiptare serbe ndaj Kosovës, që me çdo kusht dhe mjet ta shtrijë sa më shumë sovranitetin e Serbisë në Kosovë, ku njëra ndër këto shtylla, ishte dhe mbetet kisha ortodokse serbe, e cila, qëkur dinastia e Nemanjiçve e pushtoi Kosovën në shekullin 11/12-të, mbeti mjeti dhe objekti më i fortë i hegjemonisë kriminale serbe në Kosovë.

Të njëjtin rol e ka luajtur kisha serbe edhe gjatë shekullit 20-të, duke u barikaduar brenda fortesës Kishë, e cila kurrë nuk ka qenë në shërbim të besimit të krishterë ortodoks, veçse një fortifikatë e nacional-shovinizmit dhe barbarisë serbe në Ballkan, e cila territorin e Kosovës me ledhatimin e disa qarqeve ndërkombëtare, e ka copëtuar në enklava serbe, ku përveç propagandës antishqiptare, brenda tyre bëhen akte kriminale, duke i shndërruar ato godina në depo armesh dhe qendra sekrete të UDB-së serbe dhe KGB-së ruse, me synim të vetëm ripushtimin e Kosovës, dhe jo vetëm, për ta realizuar njëherë e mirë skenarin fashist për krijimin e Serbisë së madhe në dëm të popujve jo serb në Ballkan.

Prandaj, shqiptarët kurrë nuk duhet ta harrojnë deklaratën fashiste të ish vlladikut çetnik serb, Artemije i cili në vitin 2007 ka deklaruar; “Se më e mirë për Serbinë është pranimi i pavarësisë së imponuar të Kosovës, se sa ndarja e saj, sepse çdo gjë që është e imponuar është e përkohshme, afatshkurtër, si çdo okupim tjetër, i cili zgjatë një kohë dhe ndërpritet, ngase asnjë okupim nuk ka qenë i përjetshëm, sepse ai (okupimi v.i.) nuk është zgjidhje e qëndrueshme. Pra, nëse heqim dorë nga një pjesë e madhe e Kosovës në këtë rast nga 85%-ind e territorit, atëherë ai vendim bëhet i përjetshëm"..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat