Drejt një revolucioni monetar në Kosovë: Mundësia e Bitcoinit

Opinione

Drejt një revolucioni monetar në Kosovë: Mundësia e Bitcoinit

Korab Rashiti Nga Korab Rashiti Më 15 mars 2024 Në ora: 12:33
Foto ilustrim

Në një analizë të hollësishme të Kushtetutës së Kosovës, del në pah një detaj i rëndësishëm: nuk është specifikuar në mënyrë eksplicite se Euroja është monedha zyrtare e Republikës së Kosovës. Kushtetuta thjesht përcakton ekzistencën e një monedhe zyrtare, pa përmendur cilën. Ky paqartësi ligjore hap debat të thellë me rëndësi vitale për ekonominë e Kosovës, lidhur me monedhën që përdoret për shkëmbimet brenda dhe jashtë vendit nga personat fizik dhe juridik.

Kosova ka adoptuar në mënyrë unilaterale Euron, një monedhë fiduciare të cilës vlera i është ulur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, për shkak të politikave monetare ekspansioniste dhe prandaj inflacioniste të Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Kjo situatë ka bërë që Kosova të regjistrojë normën më të lartë të inflacionit në kontinentin evropian, duke u bërë viktimë e sindromës së "të fundit që merr" eurot e sapo lëshuara. Në këtë zinxhir distribuimi, çmimet rriten përpara se eurot e reja të arrijnë tek personat fizik dhe juridik.

Megjithatë, Kosova ndodhet në një kryqëzim unik, duke pasur mundësinë të bëhet vendi i parë evropian që adopton Bitcoinin si monedhë kombëtare. Ky veprim do të përfaqësonte jo vetëm një mburojë kundër inflacionit falë natyrës decentralizuese, anti-inflacioniste dhe digjitale të Bitcoin, por edhe një rezervë të fortë të vlerës në kohë.

Adoptimi i Bitcoinit mund të garantojë jo vetëm stabilitetin e çmimeve por edhe të shërbejë si model për një tranzicion financiar modern në kontinentin evropian. Kjo do të hapte dyert për ardhjen e kapitaleve të reja dhe themelimin e ndërmarrjeve të reja të specializuara në shërbime financiare.

Është thelbësore për vendimmarrësit kosovarë të konsiderojnë Bitcoinin si një element qendror të politikës së tyre ekonomike. Një nismë e tillë do të vendoste Kosovën në avantgardën e inovacionit financiar, duke ofruar popullsisë dhe ekonomisë së saj një stabilitet dhe mundësi rritjeje pa precedent. Pyetja nuk është më nëse Kosova mund të përballojë adoptimin e Bitcoin, por nëse mund të përballojë të mos e bëjë.

Autori - Ekonomist, deputet i kantonit Bernit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat