Ecte apo fluturonte? Matja e pasurisë së Haradinajt në këmbë dhe kilometra

Opinione

Ecte apo fluturonte? Matja e pasurisë së Haradinajt në këmbë dhe kilometra

Xhevdet Mazrekaj Nga Xhevdet Mazrekaj Më 17 mars 2024 Në ora: 10:03
Nëse z. Haradinaj vërtet pretendon se ka luftuar për atdheun, atëherë akti më i denjë do të ishte që t'ia kthente këtë pronë shtetit, në shenjë respekti ndaj atyre që e kanë atdheun para çdo pasurie personale.

Në Kosovë, transparenca financiare e zyrtarëve të lartë është thelbësore për demokracinë dhe besimin e qytetarëve. Së fundmi, vëmendja është përqendruar tek një pronë e madhe e paluajtshme që ka në pronësi Ramush Haradinaj. Bëhet fjalë për 200 hektarë toke shtetërore të blerë për një çmim qesharak prej vetëm 75,000 euro; ku vlera e një hektari bie të jetë vetëm 375 euro, dhe për një ari, e pabesueshme 3.75 euro. Ky çmim sfidon çdo parim të ekonomisë dhe logjikës, duket sikur është marrë nga një botë paralele.

Le të ilustrojmë madhësinë e kësaj toke me një krahasim të thjeshtë: Nëse do të formonim një rrugë rrethore me një gjerësi prej një metri nga kjo tokë, gjatësia totale e saj do të ishte 2,000 kilometra. Kjo do të thotë se, nëse një person do të ecte në këtë rrugë, me një shpejtësi mesatare prej 5 km/h për 8 orë në ditë, do t'i duheshin të paktën 50 ditë për të përfunduar udhëtimin. Për të kuptuar akoma më mirë, kjo është ekuivalent me distancën rrugore mes Prishtinës dhe Zürichut, e cila mund të përshkohet me makinë dhe më tej deri në St. Moritz.

Përmendja e St. Moritz nuk është rastësore. Para pesë ose gjashtë viteve, Haradinaj ka shpenzuar 80,000 franga për një javë pushime në hotelin prestigjioz Carlton në St. Moritz - një shpenzim që e kalon çmimin e tokës që ka blerë. Ky kontrast në shpenzime ilustron një pabarazi të madhe ekonomike dhe ndoshta një mungesë ndërgjegjësimi për vlerën reale të pronave në vendin tonë.

Shumica e qytetarëve të Kosovës mund të mos kuptojnë plotësisht madhësinë e 200 hektarëve, apo 20,000 ari tokë - një sipërfaqe toke që për shumë prej tyre mbetet një ëndërr e largët. Por, për të kuptuar sa e madhe është kjo pasuri, mjafton të mendojmë se vetëm 5 ari tokë, ose 500 metra katror, i kanë kushtuar Haradinajve sa vlera e dy sandviçeve – 18.75 euro.

Kjo lloj blerjeje hedh hije dyshimi mbi integritetin e proceseve të privatizimit dhe mbi zyrtarët që kanë për detyrë të ruajnë interesat e publikut. Është koha që të kërkojmë llogari dhe transparencë për çdo veprim që prek pasurinë e shtetit dhe të ngrisim zërin kundër abuzimit të mundshëm me pushtetin dhe resurset e vendit.

Ne këtë shkrim, fokusi im ishte te Haradinaj për një arsye të thjeshtë: të dhënat e pasurisë së tij u panë në një temë të gazetës së djeshme. Ky qëndrim nuk do të thotë se çështjet e transparencës dhe përgjegjësisë janë të kufizuara te një individ; përkundrazi, ato janë të rëndësishme për të gjithë zyrtarët publikë. Për momentin, nuk kam pasur qasje në të dhënat e pasurisë së politikanëve të tjerë, por kjo nuk përjashton mundësinë që të ngrihen pyetje dhe të kërkohen llogari edhe nga ata në të ardhmen.

P.S.: Nëse z. Haradinaj vërtet pretendon se ka luftuar për atdheun, atëherë akti më i denjë do të ishte që t'ia kthente këtë pronë shtetit, në shenjë respekti ndaj atyre që e kanë atdheun para çdo pasurie personale. Ky gjest do të ishte një shembull i vërtetë i dashurisë ndaj atdheut dhe një veprim që shqiptarët do ta çmonin dhe nuk do ta harronin kurrë. Kthimi i tokës shtetit para se të bëhet vonë do të ishte një hap i rëndësishëm për të ndërtuar një të ardhme ku interesat e përbashkëta mbiqëndrojnë mbi ato personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat