A po e mbron Gjermania - Kosovën nga Escobari?

Opinione

A po e mbron Gjermania - Kosovën nga Escobari?

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 17 mars 2024 Në ora: 09:49
Gabriel Escobar dhe Albin Kurti

Emisari Eskobar i pa kënaqur me takimin e tij me Kurtin, i parashtroi kushtet shtesë për anëtarësimin e Kosovës në KE. Kjo deklaratë e tij, sikur e ngriti në këmbë opozitën e Kosovës për rrëzimin e Kurtit. Lutfi Haziri i trimëruar indirekt bëri thirrje, që me të gjitha mjetet të rrëzohet Kurti. Kryetari i PD zoti Krasniqi i entuziazmuar po ashtu deklaroi se, PD e Kosovës e sheh veten si fituese të zgjedhjeve.

Sipas asaj që po shihet ekziston një koalicion i gjerë për rrëzimin e Kurtit, kurse përkrahja e vetme ndërkombëtare atij po i vjen, nga disa deputet mjaft të fuqishëm të Bundestagut Gjerman.

Këta deputet qartazi ia bënë me dije zotit Escobar se kushtet për pranimin e Kosovës në KE, do të shqyrtohen nga vetë KE e jo nga SHBA.

Shtrohet pyetja, pse tash po ndodh kjo kur dihet që shqiptarët besimin më të madh e kishin në SHBA sesa në EU, kurse tash derisa SHBA po tregojnë inferioritet ndaj Kosovës, duke ia zvogëluar çmimin e pavarësisë me themelimin e Asociacionin, ku qëndrojnë arsyet? (sipas opozitës, te Albin Kurti)

Në këto momente aspak të favorshme për Kosovën, një përkrahje ndaj qëndrimeve të sa po tregojnë vetëm një pjesë e deputetëve të fuqishëm të Bundestagut Gjerman.

Kjo përkrahje e këtyre deputetëve edhe pse e çmuar, sepse vjen nga një shtet i fuqishëm i EU, nuk luan rol për opozitën kur ata llogarisin vetëm në fuqinë e emisarëve të SHBA. Për ta qenësore është se, kush nuk qëndron në një linjë me SHBA, i ka ditët e numëruara.

Pyetja tjetër e dhimbshme është se, si SHBA po e ndërrojnë kursin ndaj Kosovës dhe më tepër po preokupohen që t´ia plotësojnë dëshirat Serbisë hegjemoniste.

Për këtë mendohet se qëllimi kryesor është që ta largojnë Serbinë nga Rusia, po  siç është e njohur edhe gjatë historisë, Serbia vret e pret shqiptar dhe e loz rolin e viktimës, por edhe ulja e saj në dy e më shumë karrige : dërgesat e armatimeve për Ukrainën dhe Izraelin, po luajnë me ndjenjat e perëndimit në favor të saj.

 Çështja tash mbetet, si do të arrijnë emisarët e SHBA rrëzimin e Kurtit? Në vijim presioni do të shtohet edhe më shumë ndaj tij. Do ta pengojnë pranimin e Kosovës në KE. Do të përpiqen që Kosova të izolohet sa më shumë. Do t´i shtojnë sanksionet, në mënyrë që ta rrisin pakënaqësinë e popullit ndaj Kurtit, për një rotacion të pushtetit.

Për të ndodhur të gjitha këto duhet kohë, por rrjedha e ngjarjeve mund të merr  krejtësisht kahje tjetër, me rastin e zgjedhjeve presidentiale në SHBA.

Si do qoftë nëse opozita vjen në pushtet, do të insistohet në përmirësimin e marrëdhënieve, tashmë të luhatura, me EU dhe SHBA.

Opozita në krye me LDK, PDK, AAK etj. në të kaluarën janë treguar mjaft transparente, sa u përket nënshkrimit të marrëveshjeve siç ishin Çakorri, Gjykata Speciale, Bashkitë serbe me nga 200 – 300 veta, Dinari, Asociacioni etj. prandaj nuk parashihet asnjë pengesë në këtë drejtim.

Me arritjen e një marrëveshje të paraparë, me kushtet në të cilat po ngulin këmbë emisarët e EU dhe të SHBA, do të përfundonte një proces i gjatë dhe i vështirë, ku të gjithë do të dilnin fitues: Serbia se e fitoi Asociacionin, ( për ta pa marr parasysh se si formulohet, do të jetë me kompetenca ekzekutive), bashkësia ndërkombëtare se e zgjidhi problemin Kosovë – Serbi dhe opozita e Kosovës se e arriti marrëveshjen dhe i përmirësoi marrëdhëniet, në një nivel të lartë, me SHBA dhe EU.

Pra me përfundimin e këtij procesi, opozita me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, ngase ishte transparente, do ta vazhdoi misionin e saj aty ku e kishte shkëputur me humbjen e pushtetit. Asociacioni do ta zgjedh kryetarin, sipas shijes së Beogradit. Këtë do ta përcaktoi Vuçiqi, kuptohet me biografinë dhe cilësitë e njëjta të Dodikut, Radojçiqit etj.

 Pra të gjithë do të dalin fitues, megjithatë dikush do të del si humbës. Do të dëshironim që kjo mos të ishte Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat