Kurrë nuk do ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa Beogradi zyrtar nuk iu kërkon falje 2 milionë shqiptarëve për krimet e kryera ndaj tyre!

Opinione

Kurrë nuk do ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa Beogradi zyrtar nuk iu kërkon falje 2 milionë shqiptarëve për krimet e kryera ndaj tyre!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 17 mars 2024 Në ora: 22:15
Rexhep Elezaj

Ja, lexoni më poshtë shprehjet dhe vokabularin luftënxitës, shpifjet dhe rrenat ordinere-shekullore të një presidenti të një shteti racist-fashist në jug të Evropës, siç është Serbia, me në krye neo-çetnikun, A. Vuçiq, që i tha në takimin e tij me disa nxënës serbë nga Kosova:

“Të dashur fëmijë nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe Metohisë dhe të Serbisë, mirë se keni ardhur në pjesën tjetër të Serbisë tonë, faleminderit që sot jeni me ne këtu në Beograd, në 20 vjetorin e dhunës së tmerrshme ndaj banorëve serbë në krahinën jugore serbe, e cila ( regjimi aktual në Prishtinë, v.i.) me të njëjtën ashpërsi dhe egërsi po vazhdon edhe sot ndaj tyre (serbëve), edhe pas 20 viteve, me ndihmën e gjithanshme të atyre që i kanë përkrahur ata (shqiptarët) edhe me bomba ndaj Serbisë në vitin 1999.

Ju faleminderit, fëmijë të dashur, që e doni Serbinë, ju e dini se ajo është vendi juaj, se ju keni vetëm një kryeqytet, dhe ai është Beogradi, dhe, dëshiroj që të jetoni gjatë e me shëndet dhe lumturi në familjet tuaja, në Kosovën dhe Metohinë tonë, dhe ejani sa më shpesh në Beograd, që ta doni Serbinë sikur paraardhësit tuaj dhe tonë, që kanë sakrifikuar për të. Serbia nuk është diçka jashtë jush, ju jeni pjesë e saj, ne jemi pjesë e juaj, dhe gjithmonë do të jemi pranë jush, do jemi bashkë me juve, dhe kurrë nuk do të jeni të vetmuar. Le të rrojë Kosova dhe Metohia, le të rrojë e jona më e bukura dhe e vetmja, Serbia”..!?

Ky është pra, fjalori agresiv, luftënxitës, antishqiptar, urrejtës dhe racist i presidentit të Serbisë, A. V., i cili, përveç se nuk ka ndryshuar asgjë nga fryma shoviniste dhe politika fashiste e tij ndaj Kosovës dhe 2 milion shqiptarëve, përkundrazi, ai kudo dhe çdo ditë me fjalorin dhe sjelljet e tij antishqiptare vazhdon të ushqej urrejtje dhe propagandë patologjike antishqiptare, qoftë brenda vetë Serbisë, qoftë në qarqet ndërkombëtare, duke thënë çdo një të zezë për politikanët dhe udhëheqësit shqiptarë të Kosovës, në vend që si president i një shteti që ka bërë krime në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, të kërkoj falje publike si dhe të kontribuojë në pajtimin me popujt që i kanë vrarë dhe masakruar në vitet 1991 / 99..!?

Shtrohet pyetja, si është e mundur që një shtet, një regjim dhe një president, një pjesëmarrës aktiv në krimet e Millosheviqit në Bosnje, madje si ministër për informata dhe propagandë lufte, i cili e dinë mirë se sa kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë ka vrarë dhe masakruar ushtria e shtetit të tij, ai, pra Vuçiq, në vend që të pendohet dhe t’u kërkon falje këtyre popujve për ato krime monstruoze, ky vazhdon me të njëjtën retorikë lufte dhe urrejtjeje ndaj të njëjtëve, sidomos ndaj shqiptarëve.

Po ashtu, ky e dinë mirë se ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë i ka organizuar UDB-a e tij kriminale, e jo shqiptarët, ku duke gënjyer si qeni del dhe akuzon shqiptarët për diskriminim dhe vrasje të serbëve, gjë që është më shumë se një rrenë e madhe. Përkundrazi, serbët lokalë në Kosovë me përkrahjen e tij personale po vazhdojnë t’i provokojnë shqiptarët, kudo që iu vije rasti, siç ishin barrikadat në veri, mospjesëmarrja në zgjedhje lokale në veri, formimi i komunave paralele në disa qytete në Dukagjin, dhe së fundi siç ishte sulmi terrorist me 24 shtator në Banjskë kundër Kosovës. Pra, këto provokime ndaj Kosovës ndodhin duke filluar nga presidenti i Serbisë dhe deri tek serbi i fundit në Kosovë, ku të gjithë si në kor kukuvajkave vazhdojnë me politikën e tyre serbomadhe antishqiptare, duke e gënjyer Evropën dhe botën, se gjoja në Kosovë po shkelen të drejtat njerëzore të serbëve, siç është rasti me ndalimin e dinarit serb në Kosovë, e që është një shpifje e madhe si dhe një propagandë luftënxitëse ndaj Kosovës.

Andaj, e themi dhe e përsërisim për të satën herë, se pa kërkim falje të regjimit serb në Beograd ndaj shqiptarëve për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj tyre me 1998/99, është iluzore si dhe humbje kohe të pritet, se mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, dhe këtë fakt është mirë që ta kuptojnë në BE si dhe në SHBA, fakt, të cilin duhet t’ua bëjnë të qartë Borrellit, Lajçakut dhe Escobarit, politikanët, qeveritarët dhe diplomacia jonë, sa herë që t’iu jepet rasti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat