Kosova pa SHBA-në është si Evropa në atë kohë pa krahun e Gjergj Kastriotit dhe Arbërinë

Opinione

Kosova pa SHBA-në është si Evropa në atë kohë pa krahun e Gjergj Kastriotit dhe Arbërinë

Nga: Gjon Keka Më: 21 mars 2024 Në ora: 13:26
Autori Gjon Keka

Kosova është një shtet i ri dhe në zhvillim e sipër, një shtet që aspiron të integrohet në institucionet euroatlantike. Nuk mund të bëjë hapa, as të vegjël e as të mëdhenj, pa krahun e saj të dëshmuar nga SHBA-ja dhe vendet mikë europiane.

Ruajtja e raporteve miqësore dhe roli si aleatë e partnerë në mes të SHBA-së dhe Kosovës është tepër e rëndësishme, pasi SHBA-ja është mbështetja kryesore e Kosovës. Pa SHBA-në, Kosova nuk ka askënd për ta mbrojtur nga armiqtë që e kërcënojnë hapur çdo ditë. Kjo me kujton shpesh një kohë kur Europa kishte një mbrojtje, e cila ishte Gjergj Kastrioti dhe Arbëria e tij.

Koha që të gjithë ta kuptojnë rëndësinë e raporteve të miqësisë dhe partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës. Kosova ka përballë shumë sfida dhe mund t'i tejkalohet vetëm duke qëndruar pranë SHBA-së dhe vendeve tjera mikë europiane.

Duke qëndruar pranë miqëve dhe aleatëve të saj të dëshmuar historikisht, Kosova mund të arrijë shumë në udhën drejt të ardhmes. SHBA-ja, si një mik i sprovuar, ka qëndruar pranë Kosovës edhe në momente të vështira. Politika amerikane ka një traditë të qëndrueshme në këtë drejtim, duke e konsideruar miqësinë dhe aleancën si të reciprokë. Prandaj, raportet e miqësisë dhe partneritetit me Kosovën duhet të jenë të sinqerta dhe në bashkëpunim të ngushtë, madje mund të themi shumë të ngushtë. Sepse miqësia mes SHBA-së dhe Kosovës ka rrënjë thellë dhe është kthyer në një "miqësi të veçantë", sikurse thoshte presidenti historik dhe vizionari, Dr. Ibrahim Rugova.

Populli shqiptar i Kosovës dhe kombi ynë në përgjithësi kanë dy veçori të rëndësishme, të cilat janë zënë rrënjë që nga kohët e lashta. Po flas për popullin vërtetë arbëror-dardan, që ka ruajtur këto dy veçori, ndryshe nga ata që nuk kanë ruajtur asnjë nga këto dhe as identitetin, madje as rrënjët kombëtare europiane. Këto dy veçori janë: Mikpritja (tradita që mikpritësi duhet të ulet në krye të vendit sipas traditës) dhe Besa. Prandaj, duke qenë se kemi këto dy veçori si komb, duhet t'i ruajmë ato, veçanërisht kur kemi të bëjmë me miq që na kanë ndihmuar në momente të vështira të historisë sonë. Mik që na ka ndihmuar të çlirohemi, do të na ndihmojë edhe të shërohemi, të ndërtojmë veten dhe të bëhemi të fortë në të ardhmen. Ky është roli që SHBA-ja po luajnë me Kosovën, duke e ndihmuar atë të rindërtohet dhe të forcohet, duke e udhëhequr atë drejt pavarësisë së vërtetë dhe integritetit në institucionet euroatlantike.

Për këto arsye, populli ynë duhet të ruajë miqësinë me SHBA-në dhe ta rrisë atë edhe më shumë, sepse ky është faktori që bën Kosovën më të fortë, më demokratike, më të civilizuar dhe më të fuqishme. Kur ke miqë të fortë dhe besnikë, edhe ti bëhesh i fortë dhe i pazgjuar në çdo betejë. Koha po na tregon çdo ditë se sa e rëndësishme është miqësia me SHBA-në dhe vendet mikë europiane. Duke parë kërcënimet e brendshme dhe të jashtme që na rrethojnë çdo ditë, mund të konkludojmë se pa SHBA-në, Kosova mbetet pa mburojën e saj. Në rast të rrezikut, pa miqtë tanë SHBA-në, vendet mikë europiane dhe NATO/KFOR-in, Kosova mund të rrezikohet shumë lehtë nga armiqtë që presin me gojën hapur mundësinë për të gllabëruar Kosovën. Kosova nuk ka vetëm armiq të jashtëm, por edhe brenda, prandaj duhet të ruajë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-në dhe vendet tjera mikë, pa të cilat rrezikohet jo vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja e brezave dhe e Kosovës si shtet i ardhshëm brenda familjes europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat