Politikanet shqiptarë po e turpërojnë historinë dhe të ardhmen e gjeneratave!

Opinione

Politikanet shqiptarë po e turpërojnë historinë dhe të ardhmen e gjeneratave!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 12 maj 2024 Në ora: 15:35
Autori Ismail Muçiqi

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut treguan kaotizmin e skenës politike shqiptare, e cila u mund dhe u përshkollua nga partia Nacionaliste Maqedone VMRO-DPMNE, e cila është prodhim i interesave Ruse-Serbe në Ballkan. Folklori i liderëve politikë shqiptarë në Maqedoni të Veriut dhe aspiratat për karrierë të gjatë politike janë turp më i madh për shqiptarët në Maqedoni. Si mund t'i besohet kalkulantit politik Menduh Thaqi, i cili për tre dekada ka manipuluar politikën e shqiptarëve në këtë Republikë, duke pretenduar se është mbrojtës i tyre, jo vetëm brenda Maqedonisë së Veriut.

Ky mashtrues dhe demagog politik i Maqedonisë, i cili deri dje e quante Ali Ahmetin tradhtar të shqiptarëve, tani ka bashkuar partinë e tij për të përfituar nga ndonjë post pasi partia e tij është shkatërruar dhe është braktisur nga elektorati. Nuk mund të quhesh patriot, atdhetar apo udhëheqës kur ke qenë një biznesmen që për dekada ka pasur monopolin e tregut të cigareve, jo vetëm në Maqedoni. Menduh Thaqi është njeriu më i pasur financiarisht që "derdh lotë krokodili" për fatin e shqiptarëve.

Historia është mësuesja më e mirë e popullit, siç kanë thënë mendimtarët e mëdhenj.

Shqiptarët në momentet më të rëndësishme të periudhave, ngjarjeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike që ndodhin në Ballkan, në Evropë dhe në botë, nuk kanë arritur asnjëherë të bashkohen dhe të koordinojnë për interesat e tyre dhe të shtetit. Lufta për pushtet dhe për bajraktarizëm nga liderët politikë dhe partitë po vazhdon edhe sot në shekullin e 21. Gabim pas gabimi kundër interesave të shqiptarëve.

Driton Abazoviçi i Malit të Zi është një (pingvin) i interesave të grupeve qëndrore fashiste serbe dhe ka shkelur parimet e politikës së arsyeshme të Milo Gjukanoviqit dhe partisë së tij, e cila pranoi Pavarësinë e Kosovës në momentet e duhura. Ky Abazoviçi, që u bë Kryeministër i Republikës së Malit të Zi me përkrahjen e politikës së qeverisë serbe në Beograd, duke organizuar protesta dhe demonstrata të ekstremistëve serbë në Mal të Zi, shkoi edhe më larg duke e rikthyer dhe zyrtarizuar Kishën Ortodokse Serbe në Republikën e Malit të Zi. Kjo është politika e mjerueshme e shqiptarëve. Kjo politikë e përçarjes është zgjeruar edhe në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku politika serbe ka arritur të futë pykat për të përçarë edhe më shumë shqiptarët.

Mjerimi më i madh që na ndodh kudo është figura politike që ka emrin dhe mbiemrin: Edi Rama në Shqipëri.

Mjerisht, ky lider, i cili e ka dërguar Shqipërinë para një luftë civile duke kriminalizuar sistemin shtetëror përmes trafikut të drogës, është mjerimi më i madh i politikës shqiptare në Ballkan. Nuk ka dyshim se Edi Rama u rreshtua në krah të Vuçiçit dhe politikës së Serbisë në lidhje me Kosovën në të gjitha proceset e fundit në Ballkan. Për shkak të egos së tij, ai përmes kanaleve të ndryshme diplomatike (konspirative) dhe diplomatëve të tij loboi kundër qeverisë së Kosovës, veçanërisht kundër Kryeministrit Albin Kurti.

Nuk ka dilemë se Edi Rama edhe sot është i angazhuar në bastisjen e Kosovës për të favorizuar Serbinë, duke e dëmtuar Kosovën. Kjo politikë e dhimbshme po ndjeket edhe nga disa liderë politikë, deputetë dhe "pseudoanalistë", të cilët vrapojnë në dyert e ambasadave dhe kancelarive të ndryshme evropiane, duke akuzuar institucionet legjitime të shtetit për interesat e tyre karrieriste, duke e denigrue njëri-tjetrin në dëm të shtetit të Kosovës. Në fund, na kujtohet mendimi i Faik Konicës: "Armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët" (liderët e mjerueshëm politikë shqiptarë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat