Vetëdija e retarduar sllavo-komuniste e antishqiptarizmit shtetëror maqedonas

Opinione

Vetëdija e retarduar sllavo-komuniste e antishqiptarizmit shtetëror maqedonas

Nga: Nehat Hyseni Më: 12 shtator 2013 Në ora: 17:49

Maqedonia aktualisht ka në pushtet dhe qeveriset nga relikti më tragjikomik i nacionalizmit sllavo-komunist në Ballkan, në krye me partinë e Nikolla Gruevskit, në koalicion me partinë shqiptare të proveniencës së UÇK-së, me BDI- në e Ali Ahmetit.

Ky shtet xhuxh, me ekonomi të pazhvilluar, i klasifikuar nga ekspertët ekonomikë si "banana republikë", ose "patlixhan-shtet" dhe me probleme rreth emrit, e vetmja në Europë. Pra, ka probleme dhe komplekse elementare me identitetin e vet kombëtar e shtetëror: me Bullgarinë në lindje ka probleme rreth identitetit të vet sllavomaqedonas, të cilin nuk ia pranon ky shtet fqinjë, duke i trajtuar maqedonasit si bullgarë, si dhe gjuhën e tyre si dialekt i bullgarishtes, me diferenca gjuhësore përafërsisht si gegërishtja me toskërishten në gjuhën shqipe.

Në jug Maqedonia kufizohet me Greqinë, e cila nuk ia njeh identitetin shtetërorë, meqë emërtohet me të njëjtin emër si Greqia veriore. Andaj, udhëtari që kalon kufirin në Gjevgjeli, habitet kur vëren se nga Maqedonia ka hyrë në "Maqedoni".

Ngjashëm me tentimet e serbëve të Kosovës të cilët veriun e Kosovës donë ta quajnë "Srbija", duke emërtuar edhe listën unike zgjedhore të tyre me këtë emër!
Për ta "zgjidhur" këtë problem identiteti kombëtarë e shtetërorë, Gruevski është duke e realizuar projektin megaloman "Shkupi 2014", duke ngritur kudo monumente gjigante për ta "dëshmuar" lashtësinë e këtij kombi dhe këtij shteti të krijuar nga komunisti J. B. Tito, për qëllime pragmatike politike të shtetit të Jugosllavisë. Paçka se "lashtësia" e tillë është problematike dhe përmendorja gjigante në sheshin e Shkupit e Aleksandërit të Madh është më tepër në favor të shqiptarëve si Leka i Madh i tyre, se sa i krijesës artificiale të sllavomaqedonasve të sotëm që u emërtuan nga nocioni gjeografik, për nevoja politike të ish Jugosllavisë socialiste.

Ndërkaq, Maqedonia në jug-perëndim kufizohet me Shqipërinë dhe në perëndim me Kosovën. Kurse, në veri me "vëllaun" sllav Serbinë, me të cilën ka probleme rreth identitetit fetarë, lidhur me Manasturin Prohor Pçinjski, që gjendet në territorin e Serbisë, në të cilin janë vendosur themelet e shtetësisë së Maqedonisë me mbajtjen e ASNOM-it, në vitin 1943. Por, kjo kishë paraqet kishën kryesore maqedonase, e cila ka probleme me fitimin e autoqefalitetit (pavarësisë) kishtare nga kisha ortodokse serbe. Gjithashtu, Maqedonia edhe sot e kësaj dite nga qarqet ekstremiste serbe trajtohet si provincë e Serbisë, sidomos pjesa e saj veriore.
Ndërkaq, me fqinjët në jugperëndim dhe në perëndim kufizohet me kufijtë shqiptaro-shqiptarë me Shqipërinë dhe me Kosovën. Sepse, e tërë Maqedonia Perëndimore është e banuar me shqiptarë, që nga Kumanova në veri, e deri tek Tetova, Gostivari, Manastiri dhe Struga dhe Ohri në jug, duke përfshirë mbi 35% të territorit dhe të popullsisë së këtij shteti artificial.

Derisa ky shtet problematik ka probleme me të gjithë fqinjët, sepse është firmuar duke i hequr nga një pjesë secilit prej tyre, ngjashëm me figurën e "Frankeshtajnit" që është jehuar si përzëierje e shumë organizmave dhe trupave, duke krijuar një krijesë të shëmtuar dhe të frikshme.

Ndërkaq, tani don t'i tregoj "muskujt" me Kosovën, duke dashur që ta imponoj mallrat e veta me kërcënim izolimi të shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Ky akt i çmendur i ultrashovenistit Nikolla Gruevski, më tepër se askush deri më tani i ka skalitur aq bindshëm dhe kaq ekstremisht fillimet e fundit të kësaj kreature artificiale kuazishtetërore në Ballkan.

Sepse, eksportin marramendës të mallrave dhe produkteve maqedonase, ky shtet karikaturë don t'ia imponoj Kosovës me kërcënim të izolimit të qarkullimit të shqiptarëve, duke e llogaritur veten Gruevski si mbret që "vret e pret" si t'ia dojë qejfi.

Por, kjo më tepër i referohet vetëdijes së retarduar politike të garniturës udhëheqëse të Maqedonisë nga koha e komunizmit, kur secili sulmonte dhe garonte në ndëshkimin e shqiptarëve në Serbi, Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi.

Kurse, ata në Shqipëri ishin zezuar e tmerruar edhe më egërsisht nga diktatori më tragjik i Ballkanit, i mbërthyer në vetizolim dhe vetëshkatërrim të kombit dhe shtetit.

Maqedonia mund të ketë "vetëdije të retarduar" edhe nga shkaku se mban në mend bllokadën që ia kishte vendosur Kosovës pas vitit 1999 dhe kishte krijuar kaos në Kosovë, duke krijuar mungesa të mëdha të artikujve më elementarë, deri dhe të atyre strategjikë.

Por, tani nuk duhet harruar se shqiptarët ndërtuan Rrugën e Kombit dhe Maqedonia nuk i ka mundësitë e dikurshme për ta bllokuar ekonominë e Kosovës.

Më parë, do ta këshillonim këtë karikaturë-shtet, që të filloj llogaritjen e humbjeve që do t'i krijohen ekonomisë së brishtë të saj për çdo minutë, orë e ditë nga kryeneçësia e saj primitive antishqiptare.

Sepse, Rruga e Kombit do ta zëvendësoj automatikisht importimin tranzit të karburanteve, që përbëjnë rreth gjysmën e importeve nga Maqedonia.

Kurse, sa i përket importimit të "specave e kastravecëve", shyqyr Zotit, këtë s’e kemi problem, sepse mundemi t'i prodhojmë vet shqiptarët.

Andaj, kryeneçësia e këtij shteti xhuxh, sa duket, do ta merrë leksionin e merituar kësaj radhe nga shqiptarët në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat