Unë protestoj përditë ndaj kësaj qeveria por ZOTI nuk më shpërbleu

Opinione

Unë protestoj përditë ndaj kësaj qeveria por ZOTI nuk më shpërbleu

Nga: Arben LLALLA Më: 10 qershor 2015 Në ora: 15:06

Akademiku i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë Abdylmenaf Bexheti ka deklaruar se të protestosh kundër qeverisë së VMRO-BDI të shpërblen edhe ZOTI. Si publicistë kam protestuar kundër qeverisë së VMRO-DPMNE që në vitin 2007, por ZOTI nuk më shpërbleu, dhe unë nuk kam protestuar që të shpërblejë ZOTI, por për të ndërgjegjësuar njerëzit, për ti zgjuar nga gjumi. Ju i nderuar Akademik jeni njeri nga ata njerëzit e vonuar që jeni ndërgjegjësuar për të protestuar, bile jeni ende përgjumësh. Ngatërrimi i ZOTIT në protestë nga ana e akademikut Bexheti, është një punë jo e hishme dhe kjo sjell ngatërresa të mëdha. Si do të ndihen ata shqiptar që nuk do të protestojnë më 13 Qershor nga ana e ZOTIT sipas mendimit të Mehnaf Bexhetiti? Mesa di unë RDSH dhe RDK nuk do të protestojnë, sa keq do më vij sepse ZOTI i Menafit nuk do ti shpërblejë këta dy subjekte në të ardhmen!

Ju z.prof. Bexheti jeni zgjedhur akademik në vitin 2012, kur ishte po kjo qeveri e VMRO-BDI, që sot bëni thirrje për shpërblime edhe nga ZOTI nëse protestohet kundër saj. Përse ju keni pranuar të jenë anëtarë i një Akademie që më 2009 botoj Enciklopedinë ku ofendonte shqiptarët dhe fqinjët e tjerë? Nëse ju z.Abdylmenaf Bexheti doni të protestoni seriozisht bëheni pa maskë, dorëzoni librezën e anëtarit të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, përplasjani në fytyrë burrërisht dhe mos u fshihni pas gishtit. Ju nuk keni nevojë të jenë anëtar i një Institucioni që përgatit strategjinë për zhdukjen e kombit tuaj, për ofendimet e gjuhës, kulturës dhe traditave tuaja familjare. Nga kolltuku i butë i akademikut çdo kush mund të flasë, të krekoset, por hajdeni profesor, dilni jashtë zyrave dhe vihuni në ballë të çdo proteste pa asnjë përfitim karriere politike. Tek e fundit ju e keni mbyll prej vitesh derën e karrierës politike, prandaj nuk duhet tju pengoj diçka që të protestoni me populli.

Të protestosh kundër kësaj qeverie të keqe është një gjë shumë normale që duhet bërë, por kur këto protesta organizohet me përçarje, me prapavija për karrierën politike të disa individëve, mendoj se nuk është e drejtë dhe nuk do arrihet qëllimi kryesor, ai për rrëzimin e shpejtë të qeverisë.

Përderisa masës së popullit i mungon koka e dashit, i cili nuk do jetë egoistë, shqiptarët ende do të vuajnë nga virusi i përçarjes sepse koha ka treguar se egoizmi-unizmi ka mundur çdo gjë.

Sot më shumë se kurrë kërkohet që liderët e lëvizjeve të reja politike të zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga egoizmi për karrierë personale dhe të rrethi të ngushtë shoqëror. Të shikojnë mundësinë e krijimit të këshillit për koordinimit e politikës midis partive, shoqatave, të iniciativave qytetare, etj. Pa një këshill koordinimi çdo iniciativë është e dënuar të dështojë. Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që klasa politike të mos kenë një program koordinimi afat gjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët këtu. Duke bërë që shpeshherë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha politike që po ndodhin këtë periudhë. I shkruaj këto rreshta për ata që kanë mend e duan mend, e jo për ata që nuk kanë mend e nuk duan mend, dhe mbi të gjitha këto sigurisht “ia them nuses që t’i dëgjojë vjehrra”. Dhe në këtë rast “vjehrra” është udhëheqja politike që i uroj të mos ketë “vesh të rëndë” këtë herë përpara ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në riciklimin e politikave brenda Maqedonisë dhe jashtë saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat