Vezë mbi Ramën dhe Mustafën, po Ahmeti ç’meriton?

Opinione

Vezë mbi Ramën dhe Mustafën, po Ahmeti ç’meriton?

Më: 8 nëntor 2015 Në ora: 08:11

Këto kohë ka nisur një “fushëbetejë” e ballafaqimit të liderëve politikë shqiptarë me vezët. Si duket, në pamundësi për të gjetur një reagim më sensitiv, gjuajtja me vezë është një zgjidhje e mundshme për të bërë të dukshme disa kauza të caktuara.

Zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës nuk i kanë shpëtuar goditjeve me një vezë, duke filluar që nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, njeriu që konsiderohet më i fuqishmi politikisht në Kosovë, Hashim Thaçi, zëvendësministri për Integrimet Evropiane të Kosovës, Petrit Selimi, si dhe kreu i qeverisë së Tiranës, Edi Rama.

Zyrtarët e Kosovës u qëlluan për shkak se, sipas Vetëvendosjes, kanë shitur Kosovën tek Mali i Zi dhe në Kosovë po vendosin “Republikë Serbe”. Zyrtarët e lartë të Kosovës duhet të duronin jo vetëm vezët, por edhe mjete të tjera, derisa Parlamenti u mbajt në një dhomëz.

Ndërkaq, kreun e Qeverisë së Shqipërisë e qëlluan me vezë për shkak të ligjit të Arsimit të Lartë, ku disa studentë pretendojnë se favorizon klasën e pasur.

Deri më tani janë goditur me vezë zyrtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Edhe goditja me vezë ngjan paksa veprim i tepruar, pasi nuk është mjet demokratik, porse “lufta” më mirë duhet të ishte ideore dhe në këtë “luftim” idesh të gjykohej nga njerëzit se kush ka më të drejtë.

Por, derisa Rama e Mustafa u qëlluan fizikisht me vezë, figurativisht Ahmeti me çfarë meriton të goditet (figurativisht pasi fizikisht asnjë veprim nuk mund të jetë i ligjëruar)?

Skandali më i fundit që duket sheshit dhe që ka zënë vend si lajm edhe në medie të huaja është se Tetova është shpallur “kampione” në “garën” si qyteti më i ndotur jo në rajon. As në Evropë, por në të gjithë botën! Pra, ka fituar “medaljen e artë” të qytetit më të ndotur në botë, në një listë ku veç Tetovës nuk kishte asnjë qytet tjetër evropian.

Pasi e ka shndërruar Shkupin në kryeqytetin e turpit, të ndërtesave monoetnike maqedonase, me histori të fryrë mbi taksa publike, Ali Ahmeti ka “goditur” qytetarët tashmë të Tetovës.

Pasi i ka ndarë shqiptarët e Shkupit me maqedonasit, të lënë në një gjendje jo të mirë ekonomike dhe me ndasi nga pjesa e banuar nga maqedonas, Ahmeti ka nisur të helmojë tetovarët.

Gazrat dhe tymrat që prodhon “Jugohromi” këtu e vite me radhë kanë krijuar një qytet që mbytet i tëri në një zymtësi të madhe.

Edhe protestat e organizuara kundër “Jugohromit”, ku maskat e protestuesve më tepër se figurative në Tetovë janë realitet, duket se u shuan dhe qeveria iu preu fjalët anti-ndotje.

Figurativisht Ahmetit duhej t’i vihej ndonjë maskë në fytyrë ose të nxirrej në mes të qytetit kur ndotja është më e madhe dhe t’i mbushte mirë mushkëritë me ndotjen që prodhon fabrika. Kështu, do të përmbushej disi kritika ndaj disa çështjeve që politikanët e shteteve të banuara nga shqiptarët, nuk po i përmbushin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat