5 arsye përse shqiptarët nuk do të sulmohen nga ISIS

Opinione

5 arsye përse shqiptarët nuk do të sulmohen nga ISIS

Nga: Dalina Buzi Më: 15 nëntor 2015 Në ora: 17:55

Të nesërmen e ngjarjes tragjike në Paris, në mediat shqiptare u njoftua me të njëjtin patos siç u lajmëruan bombardimet në kryeqytetin francez, se një email kërcënues nga ISIS kishte ardhur në adresë të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

Në fillim s’më erdhi mirë, pastaj u impresionova: “Vërtet? Pas Francës e ka rradhën Shqipëria? Ou? Po çfarë mesazhi do të duan t’i dërgojnë botës këta xhihadistë, duke sulmuar pas një vendi të G8-ës, Shqipërinë, e cila momentalisht po qan hallin e faturave tatimore?

1.Shqipëria është shumë e vogël për të dërguar një mesazh të madh

Aktet terroriste janë të kushtueshme; në vlerë parash dhe në njerëz. Vërtetë anëtarë të ISIS-it, si besimtarë radikalë, vetë-ofrohen të vdesin edhe falas në emër të një ideali dhe Allahut (sipas interpretimit të tyre të Kuranit), vërtet fjalimet e tyre me patos, çdo ditë rekrutojnë një të ri të pasigurt dhe të zemëruar, diku në botë, por numri dhe fuqia e tyre nuk është aq e madhe sa të kenë luksin për të shpërndarë kamikazë në të gjithë botën njëkohësisht. Për më tepër, sfida e tyre nuk është një sulm ndaj një vendi të varfër, me 0 ndikim në ekonominë dhe politikën botërore si Shqipëria, por ndaj vendeve që ata i gjykojnë si shtypëse të vlerave të Islamit.

Edhe Bejruti, në shkallën e influencës botërore, nuk ka të njëjtin ndikim siç ka Parisi, Roma apo Londra (Dy qytetet e fundit, të planifikuara për sulme të ardhshme nga ISIS), por Libani konsiderohet si shtëpia e Hezbollahut, që sipas xhihadistëve, është armiku më I madh që lufton Sunni-t në Siri. Shqipëria është kërcënuar njësoj siç janë kërcënuar pothuajse të gjitha vendet e tjera të botës. Një kërkim në google të rezulton se kërcënime nga ISIS kanë marrë edhe vende të tjera të Ballkanit, gati të gjithë vendet e Europës, duke përfshirë edhe ato më neutralet, Zvicër e Luksemburg, deri tek vende më pak të diskutueshme në media si Argjentinë apo Kili.

2.Shqipëria dhe shqiptarët mund të përdoren si trampolinë dhe jo si destinacion

Gjatë raportimeve live në CNN, mbrëmjen e tragjedisë në Françë, më zuri veshi fjalinë e një korrespondenti në Francë, i cili I pyetur se ku i gjejnë armët terroristët, u përgjigj: “Kryesisht janë armë që vijnë nga Shqipëria dhe vende të tjera të Europës juglindore.” Në 2014, një shkrim në gazetën greke “Ekathemirini” shkruante se “policia greke po hetonte raporte, sipas të cilave rrjete kriminale po transportonin armë nga Shqipëria drejt xhihadistëve të përfshirë në aktivitetet e Shtetit Islamik.” Më pas në këtë gazetë përmendej një arrestim i disa shqiptarëve në Durrës, që dyshoheshin se kishin lidhje me trasportin e armëve. Nuk është çudi që shqiptarët të përfshihen në të tilla transaksione, kur mjafton të kujtojmë se gjatë embargos ndaj Ish-Jugosllavisë, shumë shqiptarë u pasuruan duke furnizuar ilegalisht Malin e Zi dhe Serbinë me naftë, duke shkelur mbi çdo parim e moral njerëzor, për më tepër që ishin këto vende që kërkonin të shtypnin e të spastronin vëllezërit tanë shqiptarë në Kosovë. Vende ende të pasigurta dhe të varfra si Shqipëria, ku shumë njerëz do të bënin gjithçka për para, u interesojnë grupeve të tilla xhihadiste për furnizime, në një kohë që sulmet e vendeve të fuqishme ndaj tyre shtohen.

3.Shqipëria ka një aftësi të vetë-shkatërrohet dhe të vetë-luftohet pa ndihmën e një armiku të jashtëm.

Simbolika më e bukur e kësaj pike janë bunkerët, të cilët u ndërtuan për t’u mbrojtur nga armiqtë, por në fakt nuk u përdorën kurrë, edhe pse vendi vazhdimisht pësoi dëme të mëdha. Fillimisht u vranë dhe u burgosën shumë të pafajshëm nga regjimi komunist, më pas shqiptarët vranë njëri-tjetrin gjatë luftës absurde të vitit 1997 dhe vazhdojnë të bëhen pengues të zhvillimit të atdheut, qoftë si qeveritarë, që përfitojnë në kurriz të popullit (gati çdo vit një qeveritar/deputet, bëhet subjekt i një afere korruptive), qoftë edhe si qytetarë, të cilët e kanë të vështirë të pranojnë dhe të zbatojnë ligjin, si edhe refuzojnë të funksionojnë si komunitet. Për të mos thënë (dhe në fakt tingëllon pak humoristike), që nëse një kamikaz do të vinte tek ne, do të bindej vetë, nga pesimizmi që has nëpër rugët e Shqipërisë, se nuk ia vlen të vetë-sakrifikohet dhe të harxhoj municione, duke vrarë një vend tashmë të plagosur.

Të gjitha raportet e sigurisë sipas medias BalkanInsight të Korrikut 2015, nuk e kanë konsideruar Shqipërinë si një vend ku pritet të ndodhë masakra e rradhës, por si fushë e mundshme trajnimi për mësymje të ardhshme ndaj perëndimit, Madje në këtë artikull, diskutohet një mundësi që në të ardhmen, ISIS të sulmojë një zonë të nxehtë turistike në Greqi, duke përfituar nga mungesa e kontrollit të rreptë të sigurisë në Shqipëri. Sulmi ndaj Greqisë tashmë të rrënuar ekonomikisht, sipas analizës në këtë media, do të kishte pasoja edhe në Shqipëri dhe gradualisht do të sillte destabilizim në Ballkan, që do të përbënte kërcënim për Europën. Pra, sërish, sulmi do të ishte ndaj Europës dhe jo ndaj Shqipërisë.

4.Shqiptarët nuk vrasin në emër të idealeve njëri-tjetrin

Sipas një statistike të publikuar në të përditshmen franceze “Le Monde”, një raport i Kombeve të Bashkuara, e rendiste Shqipërinë të 9-tën në 26 vende të cilat kanë luftëtarë në rradhët e ISIS_it. Madje sipas këtij raporti, kishte më shumë luftëtarë shqiptarë, sesa marokenë, turq apo kuvajtjanë. Ndërsa Kosova, renditej vendi i katërt për nga furnizimi me ushtarë në raport me popullësinë. Rreth 232 shqiptarë të Kosovës janë tashmë pjesë e ISIS.

Këto shifra janë alarmante, por a është njësoj një shqiptar etnik i Kosovës apo i Shqipërisë, në qëndrimin që kanë ndaj vendit mëmë, në krahasim me një arab me origjinë algjeria apo marokene të lindur e të rritur në Francë, në qëndrimin që ka ndaj Francës? Është e vështirë të kuptosh se çfarë shkon në mendjen e një shqiptari që vendos të rradhitet në forcat e ISIS-it, por është akoma më e vështirë, që ky shqiptar në emër të Allahut, të kërkojë të hyjë në një teatër apo të harxhojë karikatorin e kallashnikovit nëpër Bllok, duke vrarë të pafajshëm bashkë-vendas, ndër të cilët, patjetër dikush në mos do të qëllojë një i afërm, do të jetë një i njohur në familje apo shoqëri.

Është e vështirë, që për një shqiptar të Kosovës, i rritur, i persekutuar dhe i nënvlerësuar nga vende të fuqishme, i luftuar dhe i masakruar nga Serbia, të kërkojë të vrasë e të dëmtojë vendin e tij , që ai vetë e di se sa të vështirë e pati të fitonte lirinë.

Fakti që ka më shumë shqiptarë të Kosovës në rradhët e xhihadistëve, lidhet pikërisht edhe me luftën e gjatë të këtij shteti të ri, për të mbrojtur origjinën, gjuhën dhe fenë. Si pasojë, një pjesë e këtyre meshkujve, më shumë se kushdo, rriten të urrejnë fenë kristiane, sepse e lidhin me dogmat përçarëse dhe shtypëse të kishës ortodokse serbe apo ruse. Ndaj lufta është me ta dhe jo kundër shqiptarëve.

5.Shqiptarët nuk i vendos në luftë feja, por paraja dhe pushteti.

Harmonia jonë fetare në fakt, vjen si pasojë e një mos-kokëçarjeje që kemi ne ndaj fesë. 500 vjet nën regjimin ottoman, e përvetësuam fenë muslimane dhe më pas, pranuam ateizmin e imponuar nga regjimi komunist. Pas viteve 90-të iu rikthyem feve tona ose adoptuam fe të reja, degë të kristianizmit. Në asnjë moment, pavarësisht shtimit të besimeve, nuk kemi ndjerë ndonjë konflikt, madje brenda familjes kemi ndarë pikëpamje të ndryshme fetare dhe i kemi pranuar ato. Por nga ana tjetër, po brenda familjes, jemi përçarë për pasuri të trashëguar apo të vënë pas komunizmit, për pikëpamje politike, jemi vrarë për para të humbura në piramida dhe borxhe apo prishje pazaresh. Edhe pse feja sjell me vete një libër të madh me këshilla morali e parimesh, shqiptarët janë futur në gjak për Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe jo për Biblën apo Kuranin.

Është e vështirë të mendosh që kristianët e Shqipërisë do të futeshin në luftë për të mbrojtur veten nga Shteti Islamik dhe akoma më e vështirë është të mendosh se shqiptarët muslimanë që jetojnë në Kosovë apo në Shqipëri, do të rradhiteshin në forcat e ISIS për të luftuar të krishterët në SHqipëri.

Duke ndjekur historinë shqiptare, më e besueshme është që disa shqiptarë të bashkëpunonin me ISIS për qëllime pushteti dhe financiare, ndërsa shumica të luftonte bashkarisht kundër këtij regjimi në emër të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. ISIS do të mundej edhe me shumë mbështetje nga ndërkombëtarët. Nga kjo nuk duhet pasur frikë, aq sa nga qeveria që do të vihej në pushtet pas fitores. Sepse, duke qëndruar ende tek historia jonë, janë pikërisht shqiptarët ata që luftojnë të huajt për të mbrojtur vendin dhe sa e marrin në dorë qeverisjen, e dëmtojnë më shumë vendin e tyre.

Natyrisht të gjitha pikat e mësipërme mbeten hipoteza, duke u mbështetur edhe në një trend të përgjithshëm të historisë së vendit tonë dhe nga mungesa e influencës dhe rëndësisë që kemi në politikat e përgjithshme globale. Shqipëria mund të jetë një trampolinë, një urë, një kufi, një fushë stërvitjeje, por kurrsesi nuk është një destinacion. Fatmirësisht për ne, rrufeja e radikalëve, vështirë të na godasë, vetëm nëse ISIS do të përftonte aq shumë fuqi, sa do të na merrte përpara bashkë me të gjithë shtetet e Ballkanit. Fatkeqësisht për ne, rrezikun më të madh e kemi pritur dhe vazhdojmë t’a presim nga vetja. Emailet kërcënuese të xhihadistëve janë përkëdhelëse, përpara dëmit që i shkaktojmë njëri-tjetrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat