Bukë, kripë e zemër për mikun

Opinione

Bukë, kripë e zemër për mikun

Nga: Nga Behgjet Pacolli Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 08:26

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry do të qëndrojë në Prishtinë nesër për një takim me drejtuesit e qeverisë së Kosovës, ashtu dhe për të dhënë mesazhe për qytetarët, nëpërmjet takimit me mediat dhe me një grup studentësh kosovarë në SHBA.
Kjo vizitë është shumë e rëndësishme për shumë arsye. Është banale të merremi me detaje si përshembull pse ai qëndron në aeroport dhe pse nuk vjen deri në Prishtinë dhe pse nuk takohet me Presidenten por vetëm me kryeministrin dhe zëvendësit e tij. Ne nuk jemi qendër e botës dhe bëhemi qesharakë nëse e shohim veten si të tillë. Që sekretari amerikan i shtetit, numri dy i qeverisë së vendit më me ndikim në botë, në kushtet e krizave të forta botërore, gjen 2 orë kohë për të patur takime politike në Kosovë, është fakti më i parë dhe më i vlershëm nga të gjithë të tjerët. Pavarësisht mesazheve të veçantë që mund të sjellë Sekretari i shtetit Kerry, mesazhi kryesor i kësaj vizite është se SHBA-të janë në krah të Kosovës dhe kjo nuk ndryshon çfarëdo që po ndodh kudo në botë. SHBA-të do të jenë në krah të kombit shqiptar edhe 100 vjet të tjerë dhe këtë e ka deklaruar solemnisht në parlamentin e Shqipërisë, ish sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton. Ky është fakti thelbësor pse ne duhet ta përshëndesim vizitën e sekretarit amerikan Kerry, përfaqësuesit të SHBA-ve, udhëheqës të frontit global për çlirimin e Kosovës, mbrojtjen dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm. Sot SHBA-të janë garantët kryesorë të ekzistencës së Kosovës si shtet në të gjithë kuptimet, në jetën e brendshme dhe të jashtme, madje duke na mbrojtur dhe ushtarakisht. Ish Presidenti amerikan Bill Klinton tha në një vizitë të tijën: së bashku fituam luftën, tani duhet të fitojmë paqen, dhe sot problemi është se po humbim paqen! Si zëvendëskryeministër i Kosovës, si person i angazhuar për njohjet e Kosovës e kam ndjerë angazhimin e SHBA-ve, e kongresmenëve të caktuar, e sekretarit Kerry në Unionin Afrikan, e Sekretares Klinton në shumë raste. AKR-ja, partia që unë drejtoj është themeluar në SHBA, si inisiativë e shumë miqve me ndikim në politikën amerikane, ndaj kam dhe arsye personale të shpreh falënderim për këtë vizitë. Ne si popull dhe si komb, duhet të jemi mirënjohës përjetësisht për këtë aleancë strategjike me SHBA-të.
Pse duhet theksuar kjo? Sepse faktorë të caktuar politikë në Kosovë, apo disa media e keqinterpretojnë mbështetjen amerikane, apo atë perëndimore në përgjithësi duke e konsideruar atë si mbështetje për njerën palë, ose për tjetrën. E vërteta është se qeveria amerikane, diplomacia në përgjithësi bashkëpunon kryesisht me qeveritë, sepse vetëm me to mund të realizohen programe, mund të realizohen vendimmarrje të caktuara, sepse vetëm qeveritë kanë përgjegjësi ekzekutive. Kjo nuk do të thotë ama se qeveria amerikane është prapa qeverisë së Kosovës, se mbështet çdo gjë që bën ajo dhe udhëheqësit e saj. Ambasadorët janë të akredituar pranë qeverive dhe institucioneve, ndaj është normale që të bashkëpunojnë me to, por kjo nuk do të thotë se ato mbrojnë interesat e palëve në politikën kosovare. Kjo vizitë nuk është çek i bardhë për presidenten, kryeministrin, zëvendësat e tij, për qeverinë e Kosovës, për të bërë çka të dojnë me Kosovën, por për të garantuar zhvillim dhe prosperitet të saj. Kjo vizitë, dhe mbështetja amerikane në përgjithësi për Kosovën është shprehje e interesit amerikan që Kosova ta përkthejë pavarësimin e vet në forcim të shtetësisë së saj, në zhvillim ekonomik dhe kontribut për stabilitet në rajon.
Por a e kemi përkthyer pavarësinë në zhvillim dhe begati? Përse na vyejti pavarësia për të cilën derdhëm gjak? Për të patur një shtet zhgënjyes sikur e kemi? Të gjithëve u kujtohet mirë sesi pas çlirimit, ne vetë kemi kërkuar sa më shpejt pavarësinë e plotë që të merrnim më shumë vendime vetë. Pra, u realizua dëshira jonë e madhe që pavarësia të ishte më e vërtetë. Ky është thelbi: pas mbarimit të periudhës tranzitore, shumë prej vendimeve, me gjithë pasojat e tyre të mira, apo të këqia, në politikën e brendshme, apo të jashtme, janë prodhim i vendimmarrjes kosovare. Ambasadorët që bëjnë posaçërisht politikën e vendit të tyre, interesat e vendit të tyre, janë përfaqësuesit e qeverive respektive dhe ata nuk bëjnë politika personale. Nëse ne e kemi bërë bërllog si ajo që po shohim, përgjegjësia kryesore është e jona. Dmth kryesisht e atyre që kanë udhëhequr institucionet tona. Nëse ne nuk merremi vesh mes vedi, përgjegjësia nuk është e miqve.
Parë kështu, ne duhet të heqim dorë nga përfshirja e të huajve, e miqve tanë në polemikat tona të brendshme. Miqtë përpiqen, na japin këshilla, na lënë të gabojmë ndonjëherë, por ne nuk mund të fajësojmë ata, pse miratuam marrëveshje të gabuara, ose jo në Bruksel apo gjetiu. Problemi qëndron tek aftësia jonë negociale, tek formimi profesional i grupeve tona negociatore, tek dinjiteti ynë, përballë palës tjetër në tryezë. Ne nuk mund të gjejmë fajtorë të jashtëm për gabimet tona.
Duke u fokusuar tek vizita e sotme, ne duhet të mbajmë parasysh një të vërtetë historike nëse shohim prapa nga pikëpamja e lojës së interesave dhe aleancave gjithë çka ndodhi shekullin që shkoi. Ne si shqiptarë të Kosovës, si pjesë e kombit shqiptar në përgjithësi, kemi fatin që interesi ynë për mbijetesë shtetërore, për mbijetesë kombëtare u ndërlidh dhe ndërlidhet me interesin amerikan për një Shqipëri të fortë, për Kosovë të fortë në një rajon si ky i yni. Kjo është ajo çfarë do të ripohohet nesër jo thjesht nëpërmjet vizitës, por dhe nëpërmjet mesazheve verbale të mysafirit.
Ndaj sot që na viziton përfaqësuesi i lartë i shtetit mik, SHBA-ve, ne duhet të shohim me realizëm arsyet e asaj vizite dhe pasojat e saj. Ne duhet të forcojmë shtetin tonë, të heqim dorë nga lufta e egër për pushtet, e cila na bllokon zhvillimin ekonomik, dhe begatimin e qytetarëve. Ky është dhe interesi i miqve tanë amerikanë. Ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje edukimit të rinisë sonë, duke ja larguar atë nga duart propagandës ekstremiste, e cila e vendos kombin, interesin kombëtar në rend të fundit. Ne duhet të bëjmë shkolla më të mira, universitete cilësore, të ofrojmë mundësi për punësim, për lëvizje të lirë, të krijojmë një shtet funksional dhe atëherë do të shikojmë se nuk do të kemi plagë si ekstremizmi fetar. Ne duhet të lemë politikën e madhe ta bëjnë të mëdhenjtë, dhe ne të merremi me politikën e oborrit tonë. Sot na ka ardhur një mik për kokë, prej shtetit që na ndihmoi të kthehemi në shtëpi, të rindërtojmë atë, t’i vendosim një kulm shtëpisë sonë duke ju rikthyer jetës normale. Ndaj ne duhet t’i ofrojmë sekretarit amerikan Kerry sipas traditës sonë të mikpritjes, bukë, kripë, e zemër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat