Pse u dëmtua fotografia e presidentit?

Opinione

Pse u dëmtua fotografia e presidentit?

Gani Qarri Nga Gani Qarri Më 23 korrik 2016 Në ora: 11:58
Presidenti Rugova

Siç dihet, Dr. Ibrahim Rugova, ishte dhe mbeti jo vetëm Presidenti Historik i Vendit tonë, por edhe njëri ndër figurat më emblematike dhe personalitetet  më të shquara  kombëtare e shtetërore në gjithë hapësirën tonë etnike. Ai ishte politikani i parë vendor që paraqiti si duhet para opinionit botëror shqiptarët dhe Kosovën duke i përfaqësuar ata denjësisht dhe dëshmuar para gjithë botës se edhe Dardania e vjetër ka emra të zot për politikë dhe diplomacinë ndërkombëtare.

Sado që lufta politike i ka normat e veta në suaza të të cilave duhet vepruar por dhe respektuar konkurentët politik, magjia e veprës së Presidentit të parë demokratik të vendit,fatkeqësisht si duket ende pengon pakufishëm kundërshtarët e papërmirësueshëm, ndaj pas djegies së paradokohshme të flamujve dardan në rrugët e Prishtinës, ata ende-as sot nuk i shohin flamujt e Serbisë që valojnë kudo në Kosovë, dhe duan gjithsesi t’ia shuajnë vetëm emrin e Rugovës dhe shkulin edhe fotografitë e tij, nga të gjitha institucionet.

Kurse se si erdhi deri aty sa një njeri i vetëm të marrë guximin e heqë e dëmtojë pa asnjë pengesë fotografinë e Dr. Rugovës dhe vejë dorë mbi figurën më emblematike të Historisë sonë më të re mu në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku duhet të ketë siguri dhe kujdestari të përhershme, këtë nuk mund ta shpjegojë as kuptojë çdokush dhe secili.

Pastaj,për tu bërë gjendja edhe më komike, pas këtij akti , pjesëtarët e sigurisë së Kuvendit dhe të Policisë së Kosovës jo vetëm se reaguan me vonesë dhe nuk arritën të pengonin heqjen dhe dëmtimin e fotografisë së Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, por ata, sikur të mos  kishte ndodhur asgjë, gojë më gojë me krye-parlamentarin, deklaruan se Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i hapur për vizita nga bashkatdhetarët....

Për aktin në fjalë, u tha thjeshtë se e gjitha kjo u krye nga një bashkatdhetar?!...bashkatdhetar i kujt?... duke parë disponimin aktual të opinionit, persona të tillë gjithsesi nuk mund të jenë bashkatdhetar të shumicës së shqiptarëve, e për këtë më së miri flasin reagimet e shumta dhe neveria e krijuar, pas aktit të lartcekur vandal.

Ndërsa rasti i ndodhur, me të drejtë, nga shumica u përjetua si provokim për të gjithë shqiptarët, si dhe cenim flagrant i integritetit institucional të Republikës së Kosovës, si përbaltje e historisë tonë më të re dhe nëpërkëmbje e paprecedent e traditës dhe kulturës sonë kombëtare e shtetërore, me një fjalë- fyerja më përçmuese e radhës për të gjithë shqiptarët që flasin dhe jetojnë shqip, e cila assesi nuk do duhej lejuar të përsëritet më asnjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat