Qytetari dhe zoti, në parlament

Opinione

Qytetari dhe zoti, në parlament

Nga: Fadil Lepaja Më: 27 korrik 2016 Në ora: 16:05
Fadil Lepaja

Kush është zot në tokë: qytetari apo zoti? Në perëndim sundohet në emër të qytetarit. Këtë luftë për pushtet e kishte fituar duke e  mundur “inkuizicionin”. Në lindje, sidomos në ato vende ku besimtarët  mysliman janë shumicë, e besa ku islami është edhe fe zyrtare, është shteti vet, aty sundohet në emër të Zotit. Gjithçka bëhet në emër të Zotit.

As njëra palë, as qytetari, as Zoti, nuk sundojnë drejtpërdrejtë. Këtë e bëjnë përmes përfaqësuesve të vet, qoftë në parlament , apo edhe në formën e sovranëve autoritarë, të cilët qytetarëve nuk u lejojnë të marrin vendime as për cikërrima të përditshme. Janë marrë vendimet  moti, thonë ata. Ne vetëm zbatojmë.

Formalisht, andej edhe këndej, parlamenti është vendi ku ata, përfaqësuesit takohen dhe flasin, qysh me ja ba! Nganjëherë edhe rrihen në parlament. Ose shahen rëndë. Por, përfaqësuesit durojnë. Sakrifikohen! Kanë mision!

Nejse, Qytetari dhe Zoti, ka kohë që luftojnë për pushtet. Armët në këtë luftë janë krejtësisht tokësore. Edhe motivet.

Është një film biografik, për diktatorin fashist, Benito Musolini, me titull “Dashnorja e Musolinit”, ku ka një skenë ku ai e sfidon zotin.  Në një tubim socialistësh, ai pasi i mori një pjesëmarrësi një orë dore, të cilën premtoi të ia kthente për të dëshmuar se nuk është hajdut, solemnisht deklaroi: 

“ E sfidoj Zotin! Zotit  i jap pesë minuta kohë të dëshmojë ekzistencën e vet! Ka pesë minuta kohë të më vrasë. Nëse për pesë minuta nuk e bënë këtë, këtu në prezencën tuaj, kjo do të jetë dëshmi se ai nuk ekziston”.

Natyrisht, nuk quhet nëse këtë e bën dikush në emër të Zotit, sepse kështu do të vinte në pyetje plotfuqishmërinë e tij.

 Zoti, nuk e vrau, Musolinin! Së paku jo në ata pesë minutat të cilat ky ia dha afat për të vepruar. Por, ai, Musolini,  pak vjet më vonë, pasi erdhi në pushtet me vota, në emër të ideologjisë vrau qindra e mijëra njerëz.

Por, edhe njeriu e vrau Zotin. Jo më shumë se para 50 vitesh, edhe ndër ne, njeriu, në fakt një perandor i kuq, kishte marrë vendim të ekzekutohet Zoti. Këtë e bëri në “emër” të proletariatit, të atyre të cilët si thotë teoria, nuk kishin asgjë para shpirtit, dhe nuk kishin asgjë për të humbur, përpos robërisë së tyre. U rrënuan objektet e kultit, u  bë ideologji zyrtare ateizmi, dhe u ndalua çdo ritual besimi. Proletari ishte i lirë. Prej atij çasti e tutje, mund të besohej vetëm në pagabueshmërinë e njeriut, më saktë të një njeriu të vetëm, i cili do të krijonte rendin dhe do të sundonte me dorën e hekurt, kuptohet në emër të proletariatit dhe të vërtetës absolute nga librat e “mësuesit”.  

Edhe revolucioni kulturor në Kinë ishte një formë tjetër, ku, perandori i kuq, (keq)përdorte masat. Masave të organizuara ua jepte lirinë mbi individin, ua jepte një armë ideologjike dhe e lejonte të bëjë çka të dojë. Qytetari nuk ekzistonte. Kolektivi ishte gjithçka, dhe ai ishte perëndia në tokë.

Vetëm disa shekuj më herët në mesjetë, “Zoti”  digjte e piqte, këdo që nuk besonte dogmat, të cilat i propagandonin dhe interpretonin përfaqësuesit e tij në tokë. Ishte ky inkuizicioni. Natyrisht,  Krishti vet nuk do të zbriste për të hipur heretikët në turrën e druve. Kjo bëhej në emër të tij. 

Arsyeja na thotë se, për dallim prej qytetarit, krijuesi i tokës dhe qiellit, nuk ka interesa ekonomike, politike apo ushtarake në këtë planet i cili vetërrotullohet në hapësirë si një atom i vogël përballë përmasave të universit. Kushdo që thirret në emër të tij, për qëllime të këtilla, e ka me interesa  dhe qëllime krejtësisht  tokësore .

Zoti, çfarëdo emri që ti vejmë atij, nuk ka nevojë për ushtarë, polic, avokat, kasap, apo financier. Këto janë profesione tokësore. Krijuesi, me atributet e tij, nuk ka nevojë as për masat që rrënojnë gjithçka më emër të tij. Po të mund të komunikonte drejtpërdrejtë me masat, Zoti mbase do të u thoshte: “Masa, rrini në shtëpi! Unë jam fare mirë”

Padyshim, nëse pajtohemi me idenë se krijuesi i gjithësisë, është një, është i plotfuqishëm dhe i gjithëdijshëm, ashtu si thonë librat e shenjët, atëherë do të pajtohemi se Ai nuk ka nevojë për ushtarë apo tanke për të përmbushur vullnetin e vet. As nuk ka nevojë për turma të e “mbrojnë” krijuesin e gjithësisë, nga qytetarët, e besimeve të tjera, apo nga ata që dyshojnë apo nuk besojnë fare.

Krijuesi, padyshim se nuk ka nevojë të shuaj diversitetin të cilin e krijoi vet. Nëse Zoti është fuqia dhe dija absolute, atëherë, atë nuk e rrezikon asgjë, dhe çdo luftë në emër të tij për të nënshtruar të tjerët, apo për të ndaluar vullnetin e lirë të qytetarëve, është tragjikomedi moderne, madje edhe kur bëhet me votat e njerëzve.

Krijuesi i plotfuqishëm nuk ka nevojë që  popujt dhe vendet e ndryshme të i pushtojë ushtarakisht, e madje as ideologjikisht. Krijuesit nuk i duhen karburante, as valutë konvertibile, as vetura luksi,  as pallate me 1000 dritare, as aeroplan privat, as bombardues “F” kaq ose aq, për të përhapur pushtetin e tij.

Njerëzimi është rritur. Njerëzimi tashmë është identitet në vete dhe nuk frikësohet më nga fanatikët, të cilët nga frika nga e ardhmja i janë kthyer mesjetës. Derisa në periudhën e kombeve, qytetari dallonte nga fqinji i vet, për nga përkatësia e madje edhe për nga zoti i tij,  qytetari global, po formësohet me dhembje të mëdha, dhe po e rinjeh veten si njeri, dhe po e rinjeh vullnetin e tij.

Përpos relacioneve me të tjerët, qytetari global  po e rikrijon një relacion të ri edhe me Zotin.  Zoti do të ekzistojë, përderisa  njeriu të kuptojë përfundimisht origjinën e tij, dhe kuptimin e ekzistencës së vet, derisa të sundoj përfundimisht natyrën.

Në ndërkohë, do të sundojë vet, gjithnjë e më tepër drejtpërdrejtë falë revolucionit në teknologji dhe në komunikim.

Deri më tani, ende nuk është zbuluar ndonjë formë  më praktike e sundimit, se demokracia, e cila e ruan diversitetin dhe përfaqëson vullnetin e shumicës. Demokracia bashkëkohore, siguron edhe mbrojtjen e pakicës. I bëri të ligjshme dallimet.

Pra, as njeriu, nuk mund të e vras Zotin e tij, në 5 minuta, edhe pse njeriu mund të dëshmojë në çdo kohë ekzistencën dhe vullnetin e vet. Drejtpërdrejtë dhe përmes përfaqësuesve të vet. Ndërkohë që vullneti i Zotit është çështje besimi.

Lufta padyshim do të zhvillohet edhe një kohë të gjatë në kokat e njerëzve, në rrjetet sociale,  edhe në shoqëri, ndërkohë që kjo tashmë ka marrë, sërish edhe formë politike.

Pas luftës të cilën e humbi krishterimi në raport me qytetarin dhe shkencën, dhe për rezultat kishte identitete të reja, si qytetarin dhe kombet e lira,  marrshi global i islamit, me klithmat mesjetare për pushtimin e globit ose shkatërrimin e tij, po e prodhon një identitet të ri global, një vlerë të re referuese: individin e lirë dhe njerëzimin.

Përfundimisht, kjo nuk është një çështje ku  “palët” mund të dëshmojnë fuqinë absolute në vetëm pesë minuta. Çdo identitet i ri i ka dhembjet dhe klithmat e lindjes, dhe i duhet një djep ku të përkundet.

Gjithsesi, i duhet edhe një këngë e re për të e vënë në gjumë! Fëmijët rriten në gjumë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat