Faleminderit Joe Biden, me JU ecim më lehtë!

Opinione

Faleminderit Joe Biden, me JU ecim më lehtë!

Nga: Flamur Shala Më: 18 gusht 2016 Në ora: 09:39
Flamur Shala

Faleminderit Amerikë për përkrahjen e pakursyer! Faleminderit Zëvendëspresident Joe Biden! Me JU ecim më lehtë! Kushdo që do ta thoshte këtë për SHBA-të, jo vetëm për kurtuazi, do ta thoshte me bindje, me emocione, pse jo, duke qenë thellë i bindur për miqësinë, për ndihmën e jashtëzakonshme të shtetit më të madh të globit, që ia fali shtetit më të ri në Evropë. Të jemi mirënjohës përherë!

 “Me Kosovën krenohem!”, këto janë fjalët e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kujtonie, sa krenari ka miku i madh për Kosovën, e sa krenari po ashtu kanë shqiptarët për Amerikën dhe demokracinë e saj. Është e pakufishme!

Vizita e tij shtetërore në Republikën e Kosovës, edhe një herë, shumëçka na kujtoi. Na e kujtoi të kaluarën e dhimbshme, por krenare për shqiptarët. Na e kujtoi vendosmërinë e qytetarëve të Republikës për ta fituar lirinë, na i kujtoi detyrat për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Kudo e gjen të shprehur miqësinë e tij. Kudo e gjen përkrahjen e SHBA-ve. Kudo e gjen porosinë për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Republika nuk do të zhvillohej, nuk do të njihej e as nuk do të çmohej kurrë kështu, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-të janë aleati më i fuqishëm i popujve liridashës, janë aleati më i dëshmuar për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Duke kujtuar të kaluarën, të hidhur për shqiptarët, duke kujtuar rrugën e vështirë të lirisë, duke kujtuar detyrat e së tashmes qytetare, të gjithëve në Republikën e Kosovës u bëhet e ditur edhe një herë dhe u bëhet më e lehtë rruga e zhvillimit, e ndërtimit të shtetit në të ardhmen e tij. Në të gjitha fazat e zhvillimit të Republikës, përkrahja e SHBA-ve në vazhdimësi shkruhet me shkronjat e arta të fitoreve, sukseseve, të ardhmërisë së ndritshme të Republikës.

Në fjalimet e tij, Joe Biden shprehu me të gjithë personalitetin e tij ndienjat më të fuqishme të tij dhe të përkrahjes së SHBA-ve për Republikën e Kosovës. Shtetin më të ri të Ballkanit e sheh të ndërtuar, të përparuar, e sheh me sfida, por jo të patejkalushme. Nuk ka asgjë të përsosur, do të thoshte, por ka përpjekje të parreshtura për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit.

Joe Biden e solli familjen e tij në Republikën e Kosovës. Jo me pak emocione e prezentoi atë. I prezentoi të gjithë anëtarët e familjes para qytetarëve të Kosovës. Paraqitja, sa e mahnitshme po aq e mrekullueshme! Sa e dhimbshme po aq krenare për të! Ai ua prezentoi Kosovën, para syve të tyre, si një vend pelegrinazhi për familjen e tij. Në asnjë çast nuk e fshehu dashurinë, nuk e fshehu ndienjën familjare, që po e lidhte me emrin e djalit të tij, shërbyesit të denjë amerikan për Kosovën.

Joe Biden e shenjoi dhe e shpërfaqi atë ndienjë, sa prej një udhëheqësi të shtetit më të fuqishën të globit, po aq prej një qytetari amerikan, para syve të familjes, gruas dhe djalit të tij, gruas dhe fëmijëve, djalit dhe vajzës, së BO BIDEN, djalit të ndjerë të zëvendëspresidentit. Ai e vulosi ndienjën për Kosovën se familja e tij gjeneratë pas gjenerate do ta kujtojë djalin, babain, vëllain, do ta kujtojë si sot, gjyshin e stërgjyshin BAJDEN.

Sot, duhet të besojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës ndihen më mirë se dje. Ata duhet të shpresojnë në ditë edhe më të mira për vendin e tyre. Ata duhet të shpresojnë në ardhmërinë e mirë të vendit të tyre. Përpjekjet për integrimin e Kosovës po i afrohen qëllimit, po i afrohen Evropës, për të qenë pjesë e saj, përmbajtësisht.

Lëvizja pa viza në hapësirën evropiane e qytetarëve të Republikës së Kosovës i hap rrugë secilit për të qenë konkurrues në këtë hapësirë, për t’u ndier përherë afër zhvillimit të vlerave fundamentale të demokracisë. Ata, qytetarët e Republikës, e ndiejnë thellë demokracinë dhe zhvillimin e saj, në çdo kohë. Këtij zhvillimi, kësaj ndienjeje, i dhanë fuqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga afër, duke qenë bashkë me Kosovën, në çdo hap.

T’i jemi mirënjohës popullit amerikan, përgjithmonë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat