Një ndarje e dhimbshme mes njerëzve të një gjaku

Opinione

Një ndarje e dhimbshme mes njerëzve të një gjaku

Gjon Neçaj Nga Gjon Neçaj Më 20 shtator 2016 Në ora: 17:09
ilustrim

Qafa e Morinës ndan Tropojën me Gjakovën,e cila për 60 vjet me radhë, ishte sinonimi i ndarjes së njerëzve të një gjaku, prindërve nga fëmijët, vëllaut nga vëllau, motrës nga motra, kur vetëm pak metra ishin larg njëri tjetrit, e çdo mëngjes shiheshin  nga dyshekllëku  i kullave tre katshe shumëshekullore, pra aq afër,  sa siç i themi nga anët tona, vetëm “një pash njeriu”.

Kemi biseduar me njërin nga ata,Tahir Bezhani, nga Smolica e Gjakovës, tashmë me banim në një lagje në perfieri të qytetit, intelektual dhe krijues 69 vjeçar, i cili rrëfen për gazetën “Bota Sot” dhe nepërmjet një bisede të shkurtër tregon tragjikomedinë e jetës së tij.

Unë jam lindur në Smolicë të Gjakovës në maj 1947, nga nëna ime Razë dhe babai Avdullai.Ime ëmë ishte bijë e fshatit Zogaj, të  krahinës së Bytyçit të Tropojës, e shtëpisë së Zenun Halilit,  e njohur  për mikpritjen, besën dhe bujarinë në krejt fisin  e më gjerë.

Pas lindjes sime, kur nuk isha vetëm 5 javësh, siç më ka treguar më vonë ime ëmë, kemi shkuar te dajat, sipas traditës së ahtëhershme, se mashkulli pas pesë javësh duhet të kalojnë një natë te dajallarët, e unë i lidhur lulak, para duarve të nënës, kemi ka kaluar  bokave në rrugën leqe-leqe përmes fshatit Babaj i Bokës e në Zogaj.Fshati i prindërve të nënës ishte afër dhe duhej kaluar vetëm një biçim qafe për të shkuar atje.

E pas tre netë te dajat, kurrë për jetë nuk u takuam.

Kur mbusha 6-7 vjeç dhe vijova  shkollën fillore , sa herë që kthehesha në shtëpi ( atëbotë jetonim në Smolicë në kullën trekatëshe, që tashmë  nuk ekziston, se u shkatërrua nga lufta e fundit ), gjeja time ëmë duke qarë me lotë.Qante vazhdimisht, po unë muk dija pse ajo qante çdo ditë e natë.

Një herë, më kujtohet dhe nuk më shqitet kurrë nga mendja, teksa po luaja në fushë afër kullës, u afrova në oborr  e nga brenda vinte një vajtim, gjëmë e dhimbshme , e ushtonte krejt kulla trekatëshe.Ato gjëmë , ofshama dhe lotë që rridhnin si gurrë, më shponin zemrën time të njomë.

Hyra brenda dhe u afrova afër saj, ku ishte dalë në dritare të dyshekllëkut të kullës, e drejtuar prej vendlindjes së saj, Zogajve, dëneste e thoshte nepër dhëmbë,  e trishtuar :  “Kurrë nuk do t’ju shoh ma, as babë, as nanë, as motër, as vëlla.As dasëm as dekë nuk do të përjetoj ma kurrë, kurrë me ju.E ajo kalonte në dyshekllekun tjetër të kullës, në drejtim të Tropojës, atje ku kishte të martuara dy motrat:  Hyrën në Shipshan e Kadën në Bujan.

Qyqja unë,  e mjera unë, pse të jem gjallë.Ç’ka më duhet kjo jetë pa askënd të gjakut tim, dëneste ime ëmë,e kurrë me prindërit e të afërmit e saj nuk u takua.Ajo mbylli sytë në moshë të re,40 vjeçare në Smolicë,vetëm pak metra larg prindërve të saj në fshatin Zogaj të Tropojës.Teksa mbyll rrëfimin e tij Tahir Bezhani,ngjarje të tilla të trishtueshme ishin me dhjetra në Tropojë. Me mbylljen e kufirit me Jugosllavinë,izolimi zgjati me dekada.Nuset e martuara këtej e matanë kufirit,në Kosovë e Tropojë ndërprenë lidhjet me të afërmit e tyre.Vetëm në fundvitet 70-të të shekullit të kaluar,qeveria e athershme komuniste ,liberalizoj lëvizjen e lirë,duke përcaktuar kritere.Nëse kërkohej nga të afërmit në Krahinën Autonome të Kosovës për vizitë,dukej bërë garancia prej tyre dhe me pasaportë për jashtë shtetit jepej leja një deri në tre muaj.

E njëjta histori kishte ndodhur edhe me Mehmet Zekën nga fshati Babinë,i cili e kishte nënën nga Kosova dhe pak ditë para se të mbyllej kufiri kishte shkuar tek prindërit e saj .Ishte kohë e keqe dhe djalin e kish lënë në shtepi ( vetëm një fëmijë kishte,Mehmetin),por fatkeqësisht kurrë nuk u takuan nënë e bir.Ajo mbeti atje,u martua dhe lindi fëmijë.E Mehmeti rritet pa nënë,por martohet e krijon familje të madhe.Në vitin 1979 hyn në lidhje me motrat dhe dhëndërrat e tij,ben kërkesë për vizitë.Ata I dërgojnë garancinë,por fatkeqësisht nuk arriti t’i takojë.Arsyet nuk dihen,por në degën e punëve të brendshme në Tropojë,kur paraqitet për të marrë pasaportën me vizë,ia anullojnë.

Ja se si i shkruan në një letër të dates 18 qershor 1979,burri i mbesës së tij ( vajza e motrës ) nga Shtupeqi I Vogël ( Pejë).

“… e di se të intereson,e po të tregoj se mbesa e juaj është martuar dhe i ka dy fëmijë.Ke të fala dhe prej mbesës tande,Mahijes,çika e Begies dhe të fala ke edhe prej krejt familjes time me të madh e me të vogël…Tash Mehmet po ju lajmeroj që garancionin ua kam rregulluar,nëse dëshironi me ardhë te ne për vizitë dhe unë kisha me qënë shumë i lumtur.Garancionin po ua çoj me këtë letër…Tash I dashur Mehmet,me tregue ditën se kur mendon me ardhë,unë vi me kerr ( makinë ) në kufi dhe të marr.”

Pjetër Meta,ish-drejtor i Bankës Bujqësore në vitet 70-të në Tropojë,bën kërkesë dhe nga organet e punëve të brendshme i miratohet një vizitë një mujore në Kosovë ,Gjakovë.Atje kishte disa të afërm larguar në fillimin e viteve 30-të të shekullit të kaluar për arsye ekonomike.pasi i kthehet garancia,merr udhëtimin në “tokën e ndaluar”.Ja ç’kujton ai pas 40 e ca vitesh:

“ Sapo kam arritur janë mbledhur gjithë fshati.Ata banonin në fshat,pak minuta larg qytetit.Mua më bënte përshtypje gjendja ekonomike,bollëku.Çdo familje kishte autoveturë dhe mjete të tjera transporti.Bëja krahasimin me gjendjen ekonomike në rrethin tone, e si ekonomist e drejtor banke që isha,kujtoja se isha në parajsë,në botën e përtejme.Të afërmit e mi në Kosovë më quanin të pasur,nga që isha bankier.Por nuk kuptonin ata se ne jetonin në një sistem tjetër,ku shteti është pronsar i gjithçkaje.Pra bëhet fjalë për një periudhe afro 40 vjeçare, e gjendja ekonomike e tyre nuk krahasohej me ne.Kur u ktheva,ndonjëri që pyeste, e gënjeja duke i thënë se ata vdisnin nga uria,ndonëse nën Jugosllavinë e Titos.”

E kështu ish krijuar në mendjen e shqiptarëve andej dhe këndej kufirit versioni i mirëqënies,veçse Kosova ndodhej nën thundrën e serbosllavëve,e jeta e tyre në trojet e të parëve ishte e padurueshme. Shumë e shumë djem të Kosovës,studentë,intelektualë mësynë kufirit për të ardhur në Shqipëri,për t’u shpëtuar raprezaljeve titiste.Një nga ata të rinj të talentuar,ish edhe këngëtari Dervish Shaqja.Kështu përshkruhet në kronikat e kohës kalimi i kufirit në Padesh të Tropojës,nga kujtimet e vetë Dervish Shaqjes.

“ Dita e re po fillonte. Nga qafa e rrëpirë e Padeshit me thirrje të gjata provojnë t’u bëjnë zë malësorëve poshtë në fshat. Por kot, nga lartësia e madhe zërat e tyre humbnin në humnerë. E merr Isa Hoxha pushkën nga Demushi dhe fillon t’ia ngreh këmbëzën. Pushka shkrepë e nuk ndezë. I mungon gjilpëra. As fishekët, e provuar më vonë, nuk bënë punë. Që përpara UDB-ja i kishte zier dhe baruti nuk ndizej. Atëherë unë e nxjerr bombën e vetme që përherë e mbaja në xhep dhe e vërviti shkëmbinjve poshtë. Nga ushtima e bombës alarmohen kufitarët dhe burrat e Shipshanit, të cilët, sa hap e mbyll sytë, u shkojnë në ndihmë. Natën e parë pushojmë në Shipshan. Natën e dytë në Bajram Curri. Ditën e tretë na nisin për Tiranë. Pas pyetjeve të para, të përgjithshme, nga Tirana na dërgojnë në kampin për strehim në Llakatund të Vlorës. Atje pyetem gjatë kohës nga organet e sigurimit rreth shkakut të arratisë, rreth gjendjes së rëndë në Deçan, rreth situatës politike në Kosovë. Në kamp ditët dhe netët janë të gjata. Tashti kam kohë të mendoj, të bëj analiza për veprimin e ndërmarrë. Me mendime herëpashere kthehem në Llukë të Epërme, në mëngjesin e akullt të tetë marsit. Me sytë e mendjes rreth kullës së babës tim, Shaqë Ramës dhe shoh korba të zi…E tërë familja gjashtëdhjetë anëtarëshe me këmbë zbathur në borë. Burrat qehrengrysur sfidojnë. Gratë e fëmijët, të mërdhirë, vetëm heshtin.Në mbrëmje kulla ngryset pa burra. Tortura barbare tërë natën.Sylën, Zenunin, Isën dhe burrat tjerë, të thyer brinjësh e të përgjakur, mëngjesi i zë para stacionit të milicisë n’Deçan.”.  

U deshën gjashtë dekada pritje për t’u takuar njerëzit e një gjaku,por tashmë protagonistët kishin vdekur. Brezi i dytë dhe i tretë rikujtonin të parët e tyre që në grahmat e fundit të jetës belbëzonin emrat e nënës,babait,vëllaut,motrave,të afërmve.

Ende sot,pas një shekull shtet shqiptar,kufiri i kësaj qafe të quajtur Morinë është me dy dogana.Pra për të bërë një vizitë në Malësinë e Gjakovës,duhet kaluar 4 herë dogana, ndërsa në Kukës,qendra e prefektures së qarkut,8 herë dogana vajtje-ardhje.

Paradoksale veçse e vërtetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat