Theranda e sotme, Suhareka e djeshme, që nga UÇK-ja u quajt Graçanic ?!

Opinione

Theranda e sotme, Suhareka e djeshme, që nga UÇK-ja u quajt Graçanic ?!

Nga: Ragip Guraziu Më: 21 shtator 2016 Në ora: 11:23
Ragip Guraziu

Theranda e sotme shtrihet në pjesën verilindore të Prizrenit, përkatësisht në Rrafshin e Dukagjinit. Është qendër bukur e rëndësishme meqenëse gjendet në rrugën që të lidh Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin dhe Rahovecin. Ajo ka qenë edhe në të kaluarën stacion i rëndësishëm në rrugën e vjetër Shkodër - Kosovë, kështu që në saje të kësaj ka pasur  edhe   në të kaluarën funksion të qendrës ekonomike dhe administrative të Podgurit të Prizrenit.

Nëse e vështrojmë shtrirjen territoriale të Therandës, konstatojmë se ky qytet është vendbanim i tipit të grumbulluar që shtrihet pranë rrugës. Popullata kryesisht në fillim ishte e ndare në lagje: ku ishin vendosur familjet përkatëse si Gashi, Kuçi, Elshani, Kryeziu, .Shala, Berisha etj. Ndërsa në vitet e fundit janë vendosur edhe shumë familje të fshatrave të ndryshme të kësaj komune, kështu që popullala tani është e përzier dhe e vendosur kryesisht në pjesët   periferike.

Në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane Suhareka ka luajtur një rol me rëndësi në jetën shoqërore të kësaj treve të Podgurit dhe një pjese të Anadrinit. Në të ishte selia e bajraktarit të Bajrakut të Suharekës. Ky Bajrak ka pasur gjithsejt 42 fshatra të Podgurit dhe të Anadrinit, kurse kah fundi i shekullit XIX kishte 1.048 shtëpi. Bajraku është kujdesur veç tjerash edhe për sigurinë e rrugës së vjetër Shkodër-Kosovë, e cila kalonte nëpër këtë territor.

Theranda (Suharëka) dëri vonë pothuajse ishte fshat. Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore për shkak te pozitës së volitshme gjeografike si qendër në mes të shumë fshatrave përreth filluan të hapen disa dyqane tregtare dhe zejtare kafene, dy furra shkolla fillore, fidanishtja, posta, ëmbeltorja, një rrojtore, një dyqan rrobaqepësie etj. Në këtë periudhë ajo është bërë edhe seli e rrethit të Podgurit. Suhareka filloi të fitojë elemente të një qyteze nga intervali kohor midis dy luftërave botërore, d.m.th. më 14 dhjetor 1928, kur zyrtarisht shpallet qytezë.

Me qëllim të kolonizimit të Kosovës me elementin sllav në vendbanimet e kësaj komune filloi me të madhe vendosja e kolonëve serbe e malazez.

Objektiva ishte e të strukturës së popullsisë, e cila në këtë trevë ishte apsolutisht shqiptare. Kolonizimi mistifikohej me të ashtuquajturën reformë agrare e cila përdorej si pretekst i marrjes së tokës popullatës shqiptare dhe dhënies asaj kolone sllave. Kolonët ishin vendosur kryesisht afër qytezës në vendin e quajtur Shirokë, Topliqan, në koloninë e krijuar Kosanqiq etj. Administrata shtetërore në vetë qytezën kishte regjistruar vetëm 5 shtëpi kolonësh të ardhur nga Serbia. Ndërsa në lokalitetin Shirokë në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore u kolonizuan 13 familje kolone serbe, malazeze e ruse, ndërsa në lokalitetin Kosançiq u kolonizuan 23 familje kolone. Mirëpo në vetë qytezën, ishin vendosur edhe shumë kolonë të cilëve iu kishte dhënë toka, por edhe ishin të punësuar si nëpunës, mësues, xhandarë, ushtarakë etj. Në mesin e tyre kishte edhe pensionist. Këta tokën e marrë nga shqiptarët, sikurse shumë të tjerë ua jepnin me qesim që ta punonin popullata shqiptare e cila ishte në pozitë shumë të vështirë, pasi asaj iu kishte marrë një pjesë e tokës, pastaj pyjet, utrinat, kullotat etj.

Për shkak të trysnive, dhunës, vrasjeve të bërë mbi popullatën shqiptare duke filluar menjëherë pas okupimit të Kosovës nga pushteti serbo-malazez në tetor të vitit 1912 deri në vitin 1915, e më vonë në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe në periudhën e ndërtimit socialist deri në vitet e gjashtëdhjeta të shek. XX shumë familje shqiptare nga ky lokalitet u detyruan të shpërngulën jashtë atdheut, kryesisht në Turqi, Shqipëri e gjetiu. Kështu në Shqipëri u shpërngulën nje familje e Bylykbashëve (Korçë), 2 familje të Kuçëve në Elbasan, 2 familje të Shalëve në Shkodër etj., ndërsa në Turqi jane shpërngulur dy familje të Kuçëve dhe shumë të tjera që nuk mundemi ti konsatojmë. Disa familje janë nisur por janë kthye nga Shkupi. Në vend të tyre pushteti sillte kolonë sllavë. Numri i familjeve të shpërngulura nga Theranda e sotme është i shumtë.

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore u ndërpre vala e shpërnguljeve të popullatës shqiptare dhe e kolonizimit me element sllav. 

Kosova u riokupua nga okupatorët fashist. Ekzistonte një "liri" relative. Mirëpo gjendja e popullatës u keqësua menjëherë pas vitit 1944, kur u vendos pushteti i ri jugosllav. Në aspektin ekonomik, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, për shkak të kushteve të reja të krijuara të sistemit shoqëroro-politik, në këtë trevë filloi një organizim i ri dhe transformim i zhvillimit më të shpejtë ekonomik. Ky zhvillim dhe transformim u realizua sidomos pas ndryshimeve kushtetutare në vitet e shtatëdhjëta. Vendbanimi u shndërrua në qytezë të vërtetë. Bujqësia luante rolin kryesor si bartëse e zhvillimit, e në këtë aspekt rol të veçantë luante vreshtaria dhe pastaj industria ushqimore. Shtyllë e zhvillimit u bë industria e shiritave transportues dhe rrypave trapezë "Ballkan". Kjo fabrikë bëhet faktor me rëndësi shumë të madhe për transformin e komunës së Therandës. Përveç zhvillimit ekonomik, këtu që nga viti shkollor 1968/69 filluan të hapen edhe disa shkolla të mesme, si p.sh. shkolla teknike, gjimnazi etj. E tërë kjo ndikoi që popullata nga fshatrat e ndryshme, sidomos ato malore të shpërngulën dhe të vendosën në këtë qendër komunale, për shkak të mundësisë së punësimit, shkollimit etj. E tërë kjo rezultoi në zhvillimin shumë të hovshëm të qytetit, shtimit të madh të numrit të banorëve dhe rradhitjen e kësaj komune në radhen e qyteteve Indus-triale dhe me një punësim shumë të lartë. Sipas informatorit, deri në vitin 1960 në këtë vendbanim jetonin vetëm familjet e vjetra therandase. Në dhjetor të vitit 1969 ky vendbanim fitoi edhe rrymën elektrike.

Theranda pësoi mjaft edhe gjatë luftës së UÇK-së

Sikurse edhe shumë vendbanime të Kosovës, gjatë vitit 1999, nga forcat ushtarake, paramilitare e policore serbe, edhë ky vendbanim pësoi mjaft, sidomos në popullatë. Sipas raportit të: Departmetit të Shtetit të SHBA, thuhet, se sipas njoftimeve, më 25 mars 1999 forcat serbe vranë të paktën 30 shqiptarë kosovarë duke e djëgur shumicën të gjallë brenda në shtëpi. Deri me 28 mars, forcat serbe kishin djegur 60% të ndërtesave të qytetit. Një refugjatë nga qyteti pohonte se më 4 prill forcat serbe kishin vrarë 40 burra, trupat e të cilëve i kishin hedhur në dy varre masive. Flitet se forcat ushtarake e policore serbe kanë vrarë më pas 350 shqiptarë etnikë nga ky qytet. Sipas njoftimeve të refugjatëve, një grup punonjësish të policisë serbe e bashkë me disa civilë serbë kishin grabitur e vrarë një familje shqiptare etnike ku në shtëpinë e tyre më parë kishin qenë të vendosur ish-zyrtarë të misionit të OSBE-së më pas forcat serbe kishin djegur trupat e viktimave. Njoftohet se e gjithë popullsia shqiptare etnike është dëbuar me force nga ky qytet.  Nga familjet shqiptare kishin pësuar më së shumti familjet e Berishëve, Elshanëve, Gashëve etj.

Sipas shënimeve të Human Rights Watch, thuhet se qyteti I Suharekës me afro 10.000 banorë (90% e tyre shqiptarë etnikë), është nje prej qyteteve që pësoi mjaft shumë në luftën e agresorit serb.

Vrasjet kishin filluar në 22 mars 1999, kur të paktën shtatë shqiptarë etnikë u ranë nga policia ose "u zhdukën pa lënë gjurmë" në rrethana krejtësisht të paqarta. Incidenti më i rëndë ishte vrasja në qytet e të paktën njëzet e katër anëtarëve të familjes së gjerë Berisha, duke përfshirë edhe njëmbdhjetë femijë nga mosha gjashëmbëdhjetë vjeç e poshtë, për shkak se i kishin dhënë dy shtëpi me qira OSBE-së. Kjo kishte ndodhë më 25 mars. Një pjesë e familjes Berisha kur u masakrua ishte ende në gjumë. Disa u vranë në një kafene në qendër të qytetit duke ikur për të kaluar një pjesën tjetër të qytetit. Disa kufarria ishin djegur. Kufomat i kishin ngarkuan në kamion dhe i kishin dërguar në drejtim të Prizrenit. Siç shkruan në raport, brenda gjysmë ore ishin vrarë dyzet e tetë njerëz. Ishin vrarë edhe shumë të tjerë. Këto abuzime i kishin kryer policia ose paraushtarakët serbë, të cilët, 1 vishnin uniforma me ngjyra nga më tëndryshmet: blu, gri ose të gjelbra. Një pjesë mbanin maska të zeza, ndërsa të tjerët flokë të gjatë. Disa kishin lidhur në krah shami të bardhe. Në raport ipen edhe shënime për këto vrasje dhe vrasje të tjera.

Sipas shënimeve të LDK, Theranda kishte 1230 shtëpi me rreth 12.000 banorë.

Nga agresori serb në luftën e viteve 1998/99 janë djegur e shkatërruar 613 shtëpi. Ndërsa të vrarë janë 58 persona dhe 60 persona konsiderohen të zhdukur. Nga pasojat e barbarëve serbë në këtë qendër komunale, sipas evidencës së KMDLNJ për vilin 1999 janë vrarë e masakruar 64 persona të moshave të ndryshme dhe luftëtar të UÇK-së. Ka raste kur vrasjet janë bërë në prani të familjeve dhe të miturve, por edhe aso kohe brenda disa minutave janë shfarosur familje të tëra, siç i ndodhi familjes së Vesel Berishës, të cilit iu vranë të nëntë anëtarët e familjes, një foshnje deri tek e ëma 100 vjeçare. Jane shkatërruar me qindra objekte banimi, lokale afariste, magazina, shkolla, objekte fetare, objekte të tjera ekonomike, ndihmëse etj., numri i saktë i tyre vështirë që mund të përcaktohet. Minarja e xhamisë e ndërtuar më 1520 është minuar dhe është hedhur në ajër. Më vonë është shkatërruar edhe kisha ortodokse, e ndërtuar në vitin 1929. Në lokalitetin e këtij vendbanimi janë zbuluar 3 varreza masive.

Në lokalitetin e Shirokës, sipas shënimeve të Kuvendit Komunal para lufte jetonin  1350  banorë dhe kishte 170 shtëpi banimi. Nga këto shtëpi janë djegur e shkatërruar 135 shtëpi dhe shumë objekte të tjera, kurse nga banorët e saj janë vrarë 3. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal  në vitin 2000 Theranda kishte 14.980 banorë.

Popullata Therandës, i përballoi të gjitha ato tortura e mizori barbare serbe. Pas luftës u kthye në vatrat e veta. Filloi një jetë të re. Filloi rindërtimin e qytetit të tyre. Sot Theranda gjithnjë  e më tepër po e fiton fizionominë e qendrës bashkëkohore urbane, si dhe gjithnjë  e  më  tepër  po i kryen funksionet bashkëkohore të jetës shoqëroro-ekonomke, politike-administrative, kulturo-arsimore, shëndetësore etj. të popullsisë se këtij rajoni.

Autori është gazetar-analist i pavarur,dhe vije po nga kjo kumunë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat