Dy fjale për martesën e fëmijëve te mitur ne Malishevë

Opinione

Dy fjale për martesën e fëmijëve te mitur ne Malishevë

Nga: Leon Duhanaj Më: 21 shtator 2016 Në ora: 12:48
Leon Duhanaj

 Ngjarja e ndodhur në Malishevë, ku dy familje martuan fëmijët e tyre në moshë 14 përkatësisht 13 vjeçare, është një akt aq i shëmtuar dhe duhet të shërbej që t’i ndezë kambanat e alarmit për shtetin ligjorë , që të ndërhy ashpër në zbatimin e ligjeve dhe normave qytetëruese, me qëllim ndaljen e kësaj dukurie të shëmtuar. Nuk besoj që është rasti i vetëm që ka ndodhur dhe ndodh në Kosovë, që të martohen fëmijët, pa e arritur moshën e pjekurisë.

Por, kjo çfarë ka ndodhur këtu është se që të dy partnerët në martesë ishin fëmijë dhe se dasma e tyre u bë publike. Nuk e di se çfarë t’u ketë shkuar në mendje gjithë atyre dasmorëve të cilët kanë qenë pjesë e kësaj dasme, por e di një gjë se duhet së paku t’i mbuloj turpi që të gjithë, sidomos ata që kanë fëmijë. Po përflitet që kjo ngjarje ka ndodhur në familjen Limaj dhe se prezent në darsem ishte edhe kryetari i Nismës për Kosovën z. Fatmir Limaj.

Për këtë nuk kam fakte, por nëse është e vërtet atëherë, do t’i drejtohesha me këto fjalë. Si ka mundësi që një njëri që pretendon me qenë i civilizuar, i shkolluar, me pretendime te larta në këtë shoqëri, që ka bartur dhe bartë poste të rëndësishme në një shoqëri ku ka rregulla dhe ligje të cilat e përcaktojnë edhe moshën e lejuar për martesë, të merr pjesë në një ngjarje kaq të shëmtuar me karakter pedofil.

Aq më shumë kur z. Limaj, ka pretendime elektorale. Si more burrë i botës pretendon me kërkuar votën e qytetarëve kur merr pjesë në një këso ahengu. Vërtet mendon që qytetarët me logjikë të shëndoshë do t’ia besojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre një njeriu që i pëlqen t’i shoh fëmijët e mitur tek lidhen me martesë, në vend që t’u ofrohej mundësi për tu rritur e shkolluar. A është kjo ideja që duhet ofruar kësaj shoqërie edhe ashtu në kriza të llojllojshme.

Nuk e di çfarë masash do të merr sistemi i drejtësisë për këtë ngjarje. Por, nëse kjo ka qenë një shembull publik i asaj çfarë dita ditës po ndodhë me tendencë rritje, atëherë shteti ligjorë do duhet të merr masat ndëshkuese për të gjithë akterët përgjegjës, në mënyrë që t’u bëhet shembull dhe leksion të gjithë atyre që mendojnë t’i martojnë fëmijët e mitur se kjo nuk është e lejueshme dhe që do të dënohen. Kosova është shtet me kulturë dhe tradita së pari shqiptare e pastaj evropiane. Nuk është as Afrikë as Azi ku kjo dukuri është normale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat