Im atë dhe këlyshët e Titos

Opinione

Im atë dhe këlyshët e Titos

Nga: Mr. Delvina Kërluku Më: 30 shtator 2016 Në ora: 07:19
Mr. Delvina Kërluku

Diktatori dhe liridashësit e vërtetë, nuk mund të përfytyrohen ndryshe, veçse si  bisha që në mënyrë të pandërprerë kacafytet me luanin. Por, ndryshe nga ç’mendohet, kur diktaturat tërbohen, dhe kjo ndodh shpesh, marrin në qafë edhe shumë njerëz të pafajshëm, ose më mirë do thoshim, njerëz të ndershëm. E, zakonisht këta ishin njerëz që nuk pajtoheshin me politikën e kohës dhe që servilizmin e kishin të huaj. Në kohën e diktaturës, kuptohet se ligj ishte fjala e diktatorit, e cila qëndronte në ballë të ligjeve, si flamuri në krye të kolonës.

Njerëzit harrojnë se njeriu që lufton diktaturën, nuk mund të bëhet rob i saj e as t’u bindet ligjeve të saj, për të vetmin fakt të thjesht, se ai nuk e do robërinë. Kemi dëgjuar për diktaturat e skllavopronarëve, feudalëve, borgjezisë, diktaturat ushtarake, politike... Për disa kemi lexuar e për disa kemi dëgjuar. Disa edhe i kemi përjetuar ne ose më tepër se ne i kanë përjetuar prindërit tanë, njerëzit tanë, gjitonët e bashkëqytetarët. Edhe bashkëkombësit tanë. Pushteti i diktatorit është pushteti i pakufizuar dhe i papërmbajtur shtetëror. Ai projekton dhe mbron interesat e veta, të klanit dhe klikës sunduese. Pushteti ushtrohet me dhunë, Dhuna, pra, është kryefjala e tij.

Regjimet diktatoriale kanë prodhuar njeriun “kryengritës” dhe antipodin e tij – njeriun servil, luajal ndaj pushtetit, karrieristin e pështirosur. Nga radhët e këtyre të dytëve, doli edhe soji i njeriut vegël, apo mashë, grup që shiste nderin dhe shpirtin për të mbajtur në jetë regjimin. Ky kishte detyrën të përgjojë e spiunojë çdo të dyshuar. Pra, të survejojë individët dhe grupet tek të cilët dyshohej se mund të mos pajtoheshin me politikën e udhëheqjes aktuale. Kryesisht këta ishin dy faresh: njerëz që pushteti me mjete të ndryshme i kishte zhveshur nga mjetet materiale për një ekzistencë të pavarur nga pagat e shtetit dhe kategoria e dytë ishte ajo e karrieristëve të paparë, të cilët për t’u ngjitur një shkallë më lartë në hierarki dhe për të përfituar edhe më shumë mjete materiale, vihej në shërbim të shërbimeve sekrete.

Por kur kemi parasysh faktin se në shtetet e Ballkanit, kryesisht sistemet ishin komuniste, nënkuptohet se pjesën më të madhe të informatorëve – spiunëve, e përbënin ata të grupit të parë. E tillë ka qenë gjendja në të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët (Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Luginën e Preshevës, Mal të Zi), përveç Greqisë. Natyrisht gjendja më e vështirë ka qenë tek shqiptarët e Maqedonisë, ku kjo veprimtari ishte shumë e përhapur, duke marrë parasysh faktin se shqiptarët  këtu ishin zhveshur nga çdo e drejtë kombëtare. Atyre u ndalohej njohja dhe projektimi i historisë kombëtare, arsimin e mirëfilltë kombëtar, kënga, letërsia, piktura e skulptura ku mund të shfaqej krenaria kombëtare dhe ku personazhe mund të ishin heronjtë kombëtar.

E, im atë me shokët e tij dhe bashkëmendimtarët e tij në mbarë Republikën e Maqedonisë, i përkiste grupit liridashës. Këta arsimtarë përparimtarë tarë nuk pajtoheshin me këtë politikë shtypëse, diskriminuese dhe asimiluese. Për këtë fakt ata ishin bërë objekt i nuhatjeve të këlyshëve të Titos, siç i quante populli informatorët e sigurimit të shtetit – UDB-së. Këta i kishe kudo: në dasma (se mos këndohej ndonjë këngë për Skënderbeun e Ismail Qemalin), në vdekje (se mos shfryhej ndonjë mllef e pakënaqësi), në ndeja e ahengje familjare (se mos i shpëtojë ndonjërit ndonjë shprehje miradie për Shqipërinë dhe Enverin e ndonjë kritikë për Jugosllavinë dhe Titon), në shkolla (se ndonjë arsimtar mos bëjë ndonjë shtrembërim të njësisë mësimore), në shoqëritë artistike-kulturore (se mos vihet në repertor ndonjë këngë e valle e huaj – lexo nga Shqipëria dhe Kosova-)..

I nderuar lexues, këtu më duhet patjetër të sjell një ngjarje kur personazh ka qenë im atë – Besniku. Në shkollën tetëvjeçare të qytetit të Dibrës organizohej një shfaqje me program rasti për të shënuar një festë kombëtare. Në mur mbi skenë ishte varur fotografia e Titos. Me sugjerimin e regjisorit se kjo fotografi, në këtë rast, nuk e ka vendin aty, im atë e heq nga aty duke e zëvendësuar me fotografinë e Skënderbeut...  Se çfarë ndodhi më pastaj, nënkuptohet.     

Por a kishte mundësi që im atë me shokë t’u shpëtojë gjithë jetën nuhatjeve të zagarëve të Titos. Jo! Prandaj edhe e provuan përndjekjen, por edhe burgun.   

Kjo nuk e keqja e tërë. Kjo e keqe vazhdon të projektohet edhe në ditët tona. Bijtë dhe nipat e tyre i gjejmë kudo kur vendoset për fatin e bijve dhe nipave të liridashësve të dikurshëm.

Këlyshët e Titos – fati ynë, deri kur?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat